Kërko

2019.08.29 Intervista Parolin viaggio Mozambico 2019.08.29 Intervista Parolin viaggio Mozambico 

Japoni: Parolin, ‘Papa do të insistojë mbi çarmatimin, jemi në rrezik të madh’

Papa, në Japoni në fund të nëntorit, do të bëjë një thirrje të zjarrtë "për ta marrë seriozisht çarmatimin sepse sot jemi me të vërtetë në rrezik të madh". Kështu pohoi Sekretari i Shtetit të Vatikanit, kardinali Pietro Parolin.

R.SH. - Vatikan

Papa, në Japoni në fund të nëntorit, do të bëjë një thirrje të zjarrtë "për ta marrë seriozisht çarmatimin sepse sot jemi me të vërtetë në rrezik të madh". Kështu pohoi Sekretari i Shtetit të Vatikanit, kardinali Pietro Parolin, me rastin e një veprimtarie organizuar në Palazzo Borromeo, në Romë, mbi kinemanë e Papëve nëpërmjet dokumentacionit të pabotuar të Filmotekës Së Vatikanit, përgatitur nga Mons. Dario Vigano'. "Tendenca - vërejti kardinali Parolin -është të riorganizohet dhe të rritët arsenali në vend që t'i pakësohet".

Sot diplomacia e politika duhet të punojnë shumë në këtë drejtim, për të ndihmuar kapërcimin e zgjidhjen e të gjitha konflikteve. Nga Papa Benedikti XV, i zgjedhur pak pas fillimit të Luftës I Botërore, tek Papa Françesku; nga shekulli i kaluar tek shekulli i ri, veprimtaria diplomatike e Papëve ka qenë dhe është përherë në shërbim të paqes  e sot vijon të spikatë gjithnjë më shumë. E pikërisht për një diplomaci në shërbim të paqes, bota sot ka nevojë më shumë se kurrë, tha kardinali Parolin.

Të investohet për zhvillimin, jo për armët

“Paqja botërore nuk mund të bazohet mbi ekuilibrin e terrorit, perspektiva për botën vjen vetëm nga çlirimi e armëve bërthamore dhe çarmatimi i plotë. Armët bërthamore  - theksoi sekretari i Shtetit të Vatikanit, kardinali Pietro Parolin - nuk mund ta zgjidhin problemin e sigurisë.

E, duke kujtuar fjalët e Papës Françesku, nënvizoi sa urgjente është të investohet për zhvillimin, jo për armët. Hirësia e Tij vërejti se nuk mund të jetë i qëndrueshëm stabiliteti botëror, që bazohet mbi frikën, mbi kuptimin e rremë të sigurisë. Njëkohësisht nënvizoi se nuk mund e nuk duhet të duket “irrealist”  e madje edhe “utopik” mendimi për një botë të çliruar nga armët bërthamor.

Të promovohet mirëkuptimi reciprok ndërmjet shteteve ndërluftuese

Me rëndësi të dorës së parë, nismat e Papës për të promovuar mirëkuptimin reciprok ndërmjet shteteve e grupeve ndërluftuese. Diplomacia e Selisë së Shenjtë nuk është tjetër, veçse diplomacia e vetë Papës, nënvizoi Sekretari i Shtetit të Vatikanit, kardinali Parolin.  E Selia e Shenjtë merr pjesë në shumë organizata ndërkombëtare, që nga themelimi i tyre, duke u radhitur gjithnjë në vijën e parë të luftës për paqen e qëndrueshme, për respektimin e të drejtave të njeriut, përfshirë edhe të drejtën për mbrojtjen e jetës, të drejtën për lirinë e ndërgjegjes e të fesë, ligjin humanitar, mbrojtjen e ambientit, çarmatimin, kujdesin e duhur për emigrantët dhe refugjatët, zhvillimin gjithanshëm njerëzor e kështu me radhë. Kontributi i Selisë së Shenjtë është moral e shpirtëror. Mbrojtja e paqes nuk është e huaj për misionin e Kishës. Përkundrazi, është pjesë themelore përbërëse e detyrës së saj për vijimin e misionit të Krishtit, nënvizoi Kardinali Parolin

29 tetor 2019, 15:12