Vatikani Vatikani 

Imzot Galantino: “Asnjë alarm për falimentim në Vatikan”

Presidenti i APSA-s, në një intervistë për gazetën “Avvenire”, hedh poshtë supozimet gazetareske, që flasin për një falimentim të mundshëm financiar të Selisë së Shenjtë.

R.SH. - Vatikan

“Këtu nuk ka asnjë ‘crac’ apo ‘default’. Ekziston vetëm nevoja e rishikimit të shpenzimeve. E pikërisht, këtë po bëjmë. Mund t’jua dëshmoj me shifra”. Reagon kështu presidenti i Administratës së Pasurisë së Selisë Apostolike (APSA), ipeshkvi Nunzio Galantino, në intervistën me gazetën katolike italiane “Avvenire”, duke komentuar ç’thuhet në shtyp mbi librin e ri të gazetarit Gianluigi Nuzzi, i cili do të dalë së shpejti në librari. Nuzzi hedh hipotezën se Vatikani po falimenton, për shkak të administrimit të keq të trashëgimisë së tij financiare.

Jemi në kohën e “spending review”

Pasi sqaron nga rrjedh pasuria e administruar nga APSA - pjesërisht nga Marrëveshja financiare, bashkangjitur Pakteve të Lateranit në vitin 1929 – imzot Galantino thekson se “gjendja aktuale e administrimit të Selisë së Shenjtë nuk ka asgjë të ndryshme nga ç’ndodh në familje apo në shtetet e të gjitha kontinenteve. Në një moment të caktuar shihet sa shpenzohet, çfarë fitohet dhe bëhen përpjekje për të ekuilibruar shpenzimet”.

Shpëtimi i një spitali katolik

Duke folur për buxhetin e APSA-s, imzot Galantino e përgënjeshtron pohimin e gazetarit se humbjet e vitit të kaluar janë pasojë e “administrimit klientelist e pa rregulla, e llogarive fantazmë dhe e sabotimit këmbëngulës të veprimtarisë së Papës”, siç shkruan Nuzzi në libër. “Në të vërtetë - shpjegon ai – viti administrativ i zakonshëm i APSA-s më 2018 është mbyllur me një fitim prej më se 22 milion eurosh. Të dhënat negative të kontabilitetit rrjedhin ekskluzivisht nga një ndërhyrje e jashtëzakonshme, që synonte të shpëtonte veprimtarinë e një spitali katolik dhe vendet e punës të punonjësve të tij”.

APSA nuk ka llogari të fshehta, ose paralele

Imzot Galantino hedh poshtë edhe denoncimin tjetër të Nuzzi-t, sipas të cilit në APSA ka llogari të fshehta, ose paralele. “Konfirmoj dhe përsëris: APSA nuk ka llogari sekrete ose të koduara. Duhet folur me fakte, jo kot. Në APSA nuk ka llogari personash fizikë dhe personash të tjerë juridikë, përveç atyre të dikastereve të Selisë së Shenjtë, të subjekteve të lidhura me to dhe të Guvernatoratit. Një shtet, që nuk ka taksa, ose borxh publik, ka vetëm dy mënyra për të jetuar. Të nxjerrë të ardhura nga pasuria që zotëron dhe të bazohet mbi kontributin e besimtarëve, edhe ato të Obolit(Lëmoshës) të Shën Pjetrit. Këtu duan që Kisha të mos ketë asgjë, por pavarësisht nga kjo, t’u sigurojë pagën e duhur punonjësve të saj dhe t’u përgjigjet shumë nevojave, para së gjithash atyre të të varfërve. Është e qartë se nuk mund të jetë kështu. Kemi nevojë të rishikojmë shpenzimet, të ulim koston e personelit dhe blerjen e materialeve, prandaj për këtë po punohet me shumë kujdes dhe vëmendje. Pra, asnjë alarmizëm për ndonjë falimentim të mundshëm. Është fjala vetëm për një realitet, që e kupton se duhet të përmbahet në shpenzime. Siç ndodh në çdo familje të mirë e në çdo shtet serioz”.

Apartamentet u jepen me qira punonjësve

Presidenti i APSA-s jep të dhëna për pasuritë e patundshme të administruara nga dikasteri i tij: “Kemi 2400 apartamente kryesisht në Romë dhe Castel Gandolfo. Po ashtu, edhe 600 dyqane e zyra. Ato, prej të cilave nuk nxjerrim të ardhura, janë apartamentet e shërbimit, ose zyrat e Kuries. Sa i përket vlerës së tyre në treg, është e pamundur të bëhet një vlerësim. Le të marrim ndërtesat e Sheshit Piu XII (afër Vatikanit): sa vlejnë konkretisht? Nëse kthehen në hotele luksoze, natyrisht që vlejnë shumë, por nëse aty janë zyrat e Kuries Romake, siç ndodh aktualisht, nuk vlejnë asgjë. Për më tepër, rreth 60 përqind e apartamenteve u jepen me qira punonjësve, që kanë nevojë për to, të cilët paguajnë një qira më të ulët. Kjo është një formë shoqërore për strehimin. Nëse e bëjnë ndërmarrjet e mëdha private, konsiderohen realitete për t’u lavdëruar, që kujdesen për personelin. Nëse e bën Vatikani, konsiderohet i paaftë, ose më keq akoma, mendohet se nuk di ta administrojë trashëgiminë e vet”.

Supozime prej romancieri

“Vënia e Papës kundër Kuries - përfundon imzot Galantino - është një klishe gazetareske e konsumuar tashmë. Ne të gjithë po vazhdojmë të punojmë për të balancuar të ardhurat dhe shpenzimet, prandaj përpiqemi të bëjmë pikërisht e vetëm siç dëshiron Papa. Interpretimet e tjera duken tepër të llojit të ‘Kodit Da Vinci’, pra, të një qasjeje prej romancieri ndaj realitetit”.

22 tetor 2019, 12:50