Kërko

Gianluca Gauzzi Broccoletti me Papën Gianluca Gauzzi Broccoletti me Papën 

Gauzzi Broccoletti është komandanti i ri i Xhandarmërisë së Vatikanit

Pasardhësi i komandantit Domenico Giani, i cili dha dorëheqjen dje, është nga Gubbio, 45 vjeç, i martuar e me dy fëmijë. Shërben në Xhandarmërinë e Vatikanit që nga viti 1995, ndërsa që nga viti 2018, është emëruar zv.drejtor dhe zv.komandant i saj. E ka shoqëruar Papën në udhëtime të shumta apostolike në Itali dhe jashtë saj.

R.SH. - Vatikan

Papa Françesku emëroi në krye të Drejtorisë së Shërbimit të Sigurisë dhe të Mbrojtjes Civile të Shtetit të Vatikanit, Gianluca Gauzzi Broccoletti-n, i cili merr njëkohësisht përsipër edhe detyrën e komandantit të Xhandarmërisë. Deri tani ka qenë zv.drejtor dhe zv.komandant.

Lindur në Gubbio (Perugia, Itali) më 3 qershor 1974, është diplomuar në Inxhinierinë e Sigurimit dhe të Mbrojtjes në Universitetin “La Sapienza” të Romës, është i martuar dhe ka dy fëmijë. Gauzzi Broccoletti është punësuar në Xhandarmërinë e Vatikanit më 1995. Që nga viti 1999 – njofton, në një deklaratë, Salla e Shtypit e Selisë së Shenjtë – është përgjegjës për projektimin dhe zhvillimin e infrastrukturës teknologjike të lidhjes në rrjet e të sigurisë së Shtetit të Vatikanit, si edhe përgjegjës për Sigurinë Informatike.

Në vitin 2010, u transferua në Qendrën Operative të Sigurisë, derisa arriti të bëhej zv.drejtor dhe zv.komandant në vitin 2018. Me kalimin e viteve krijoi marrëdhënie besimi me Sekretaritë e ndryshme të Atit të Shenjtë, me Autoritetet e larta të Guvernatoratit dhe të Sekretarisë së Shtetit, ku kërkohet kompetencë për hetime me karakter të rezervuar.

Broccoletti i ka shoqëruar Papët në udhëtimet e shumta apostolike e në vizitat baritore në Itali dhe në botë e, edhe gjatë pushimeve verore. Ka marrë pjesë në grupin përgjegjës për sigurinë teknologjike gjatë Konklavit të viteve 2005 dhe 2013. Ka qenë përgjegjësi për sigurinë, i deleguar nga komandanti, në të ashtuquajturat “Ngjarje të Mëdha”, ku merrte pjesë Ati i Shenjtë. Ai ka ndjekur shumë kurse e seminare me forcat e policisë italiane dhe ndërkombëtare.

Gauzzi Broccoletti zë vendin e Domenico Giani-t, komandantit të Trupit të Xhandarmërisë së Vatikanit, i cili dje ia dorëzoi mandatin e tij Papës, “në frymën e dashurisë dhe të besnikërisë ndaj Kishës dhe Pasardhësit të Pjetrit”.

15 tetor 2019, 15:13