Kërko

Vatican News
Ceremonia e nënshkrimit të “Deklaratës së përbashkët të Feve Monoteiste Abrahamike mbi çështjet e fundit të jetës” Ceremonia e nënshkrimit të “Deklaratës së përbashkët të Feve Monoteiste Abrahamike mbi çështjet e fundit të jetës” 

Fetë abrahamike kundër eutanazisë dhe vetëvrasjes së asistuar

Në “Deklaratën e përbashkët të Feve Monoteiste Abrahamike mbi çështjet e fundit të jetës”, kërkohet që vullneti i pacientit të mos konsiderohet peshë nga pikpamja financiare e të mos e nxisë atë “të zgjedhë vdekjen”, në vend të kujdesit dhe të ngushëllimit në çastet e fundit të jetës.

R.SH. - Vatikan

Fetë monoteiste abrahamike janë kundër “çdo forme eutanazie”, si edhe kundër “vetëvrasjes së asistuar nga ana mjekësore”, sepse janë veprime “krejtësisht në kundërshtim me vlerën e jetës njerëzore” e, si pasojë, “të gabuara, si nga pikpamja morale, ashtu edhe nga ajo fetare, prandaj duhen ndaluar pa përjashtime”. Këto janë fjalët e përdoruara në “Deklaratën e përbashkët të Feve Monoteiste Abrahamike mbi çështjet e fundit të jetës”, nënshkruar sot, në Vatikan. Të krishterët, hebrenjtë dhe myslimanët kërkojnë së bashku që kostoja e terapive të mos ndikojë në vendimin e pacientit për fundin e jetës, duke mos e nxitur atë të zgjedhë vdekjen.

Teknologjia e ka zgjatur jetën, por shpesh, me dhimbje e vuajtje

         Problemet, që lidhen me fundin e jetës, nuk janë të lehta, nënvizohet në Deklaratë. “Përparimet e mëdha shkencore e teknologjike e kanë zgjatur jetën, edhe në gjendje e në mënyra të pamenduara deri tani”, por shpesh kjo shtesë shoqërohet me dhimbje e vuajtje, për shkak të sëmundjeve të ndryshme. Kanë ndryshuar edhe marrëdhëniet mjek-pacient, duke u bërë me autonome e më të distancuara. Në krahasim me të kaluarën, kur të sëmurët, edhe ata në fazën e fundit, rrethoheshin nga ambienti familjar, në shtëpitë e tyre, sot, sidomos në vendet më të zhvilluara, njerëzit ndërrojnë jetë shpesh në spitale e klinika e nganjëherë, jeta e tyre varet nga aparatet me të cilat janë lidhur. Kjo e shton rëndësinë e profesionistëve, të mediave, të sistemit gjyqësor e të opinionit publik në trajtimin e pacientëve. Së fundi, vë në dukje Dokumenti, fondet për mjekime të kushtueshme janë gjithnjë e më të pakta.

Vendime etike e fetare për pacientin në fund të jetës

         Deklarata nënvizon se “shumica e vendimeve për pacientët në fundin e jetës nuk janë me natyrë mjekësoro-shkencore”, por me natyrë “fetare, shoqërore, etike, ligjore dhe kulturore”. E parimet e feve monoteiste abrahamike “nuk përputhen gjithnjë me vlerat dhe praktikat e sotme laike”. Sipas feve, kujdesi për njerëzit, kur asnjë lloj trajtimi mjekësor nuk e përmirëson gjendjen e tyre, është “kujdes për dhuratën hyjnore të jetës” dhe “shenjë e përgjegjësisë njerëzore dhe etike” ndaj të sëmurëve në prag të vdekjes. Fetë abrahamike kërkojnë një këndvështrim gjithëpërfshirës, plot “dhembshuri, empati dhe profesionalizëm nga çdo njeri, që kujdeset për pacientin", “veçanërisht, nga ata, që janë përgjegjës për mirëqenien e tij psiko-sociologjike dhe emocionale”.

Refuzim i këmbënguljes së kotë terapeutike

         Më tej, në Deklaratë shpjegohet se “trajtimet mjekësore dhe teknologjike justifikohen vetëm në kuadrin e ndihmës, që mund të ofrojnë”. Prandaj, duhet verifikuar nëse arrijnë vërtet objektivin ku synojnë apo thjesht, zgjasin agoninë. Pra, thuhet në Dokument, “kur vdekja është e afërt, pavarësisht nga mjetet e përdorura”, justifikohet “vendimi për të refuzuar disa trajtime mjekësore, që nuk do të bënin asgjë tjetër, përveç zgjatjes së një jete” plot vuajtje e pa asnjë mundësi përmirësimi. E megjithatë, edhe në këtë rast, pa u ndalur para kostove të larta, nënvizohet në Deklaratën e përbashkët të feve abrahamike, “duhet bërë ç’është e mundur për të lehtësuar dhimbjet, për t’i shoqëruar e për t’u dhënë ndihmë emocionale dhe shpirtërore pacientëve dhe familjes, që duhet të përgatitet për vdekjen”.

28 tetor 2019, 13:49