Cmimi i Fondacionit Ratzinger, Salla e Shtypit e Vatikanit Cmimi i Fondacionit Ratzinger, Salla e Shtypit e Vatikanit 

Çmimi Ratzinger 2019 iu dha filozofit kanadez Taylor dhe teologut afrikan Béré

Një studiues 87-vjeçar i shekullarizmit dhe një jezuit afrikan 53-vjeçar janë fitimtarët e edicionit IX të Çmimit të Fondacionit vatikanas, që promovon studimin e veprës së Benediktit XVI. Ndër nismat e ardhshme, një simpozium në Budapest (8-9 tetor) mbi gjendjen e Evropës Qendrore në dritën e doktrinës shoqërore të fesë dhe një seminar mbi bashkëpunimin ndërmjet OKB-së dhe Kishës Katolike për Amazonën, më 19 tetor në Vatikan.

R.SH. - Vatikan

Me “Çmimin Ratzinger”, një nga ngjarjet më të rëndësishme të Fondacionit vatikanas “J. Ratzinger - Benedikti XVI”, në edicionin e tij të nëntë, “synohet të privilegjohet filozofia, në reflektimin e saj mbi fenë në botën bashkëkohore” dhe “të vihet në dukje teologjia afrikane, me misionin e saj shumë të rëndësishëm për inkulturimin e Ungjillit dhe për ungjillëzimin e kontinentit afrikan”.

Kështu foli atë Federico Lombardi - kryetar i këshillit administrativ të Fondacionit, themeluar në vitin 2010 për të promovuar studime dhe botime mbi punën dhe mendimin e Papës së nderit - në Sallën e Shtypit të Shenjtë, duke njoftuar se Çmimi Ratzinger i jepet këtë vit filozofit kanadez, Charles Margrave Taylor dhe teologut afrikan Paul Béré. Çmimi do t’u dorëzohet nga Papa Françesku më 9 nëntor, në Pallatin Apostolik, në Vatikan.

Charles Taylor, filozofi që studion shekullarizimin

Lindur në Montréal, në vitin 1931, Taylor studioi së pari në Universitetin McGill dhe më pas, në Angli, në Universitetin e Oksfordit, ku mori doktoratën në filozofi. Përveç historisë së filozofisë, ai i është kushtuar filozofisë politike dhe shkencave shoqërore. Kontributet e tij më të famshme kanë të bëjnë me fushat e komunitarizmit, kozmopolitizmit dhe marrëdhënieve ndërmjet fesë dhe modernizmit. Në veçanti, ai konsiderohet një nga studiuesit më me autoritet në fushën e shekullarizmit. Punimet e tij më të njohura janë “Sources of the Self” (1989), “A Secular Age” (2007) dhe “The Language Animal” (2016).

Paul Béré, eksperti teolog në komunikimin e Fjalës

Me origjinë nga Burkina Faso, por i lindur në vitin 1966 në Bregun e Fildishtë, Paul Béré hyri në Shoqërinë e Jezusit më 1990 dhe i përfundoi studimet me një doktoraturë në Institutin Biblik të Romës. Që nga viti 2007, jep leksione mbi Besëlidhjen e Vjetër dhe mbi gjuhët biblike në Institutin Biblik dhe në Institutin Teologjik të jezuitëve në Abidjan (Bregu i Fildishtë). Gjithashtu, ka realizuar projekte të rëndësishme për zhvillimin e teologjisë në Afrikë. Atë Béré ka punuar si ekspert në Sinodet e ndryshme të ipeshkvijve e si këshilltar për Sekretarinë e Përgjithshme të Sinodit. Që nga viti 2018, është anëtar i Komisionit Ndërkombëtar për Dialogun me Kishën Anglikane dhe bën pjesë në shoqata të ndryshme teologësh.

01 tetor 2019, 14:29