Kërko

Shkatërrimet nga lufta në Siri Shkatërrimet nga lufta në Siri 

Auza: t’u jepet fund vuajtjeve në Jemen e Siri; paqe ndërmjet palestinezëve dhe izraelitëve

Në një deklaratë, gjatë debatit të Këshillit të Sigurimit të Kombeve të Bashkuara për Lindjen e Mesme, vëzhguesi i përhershëm i Selisë së Shenjtë në OKB denoncoi situatën katastrofike humanitare në Jemen, duke uruar të ndalet fluksi i armëve në zonë. Gjithashtu, imzot Bernardito Auza shprehu “shqetësim të madh” për Sirinë dhe kërkoi zbatimin e plotë të rezolutave ndërkombëtare për çështjen palestineze.

R.SH. - Vatikan

Një vështrim i gjithanshëm mbi “konfliktet tragjike, që vazhdojnë të rëndojnë” mbi zonat dhe mbi popujt e Lindjes së Mesme: kjo qe ndërhyrja e djeshme në Nju Jork, e kryeipeshkvit Bernardito Auza, vëzhgues i përhershëm i Selisë së Shenjtë në OKB, i cili mori pjesë në debatin e hapur të Këshillit të Sigurimit për rajonin, përfshirë çështjen palestineze.

Emergjenca humanitare në Jemen

         Të dhënat e fundit, tha nunci apostolik, tregojnë se në Jemen “gjendja humanitare mbetet katastrofike”: fëmijët “vdesin nga uria”, mungon uji i pijshëm, ka dëme serioze në ekonomi dhe është tepër e vështirë të dërgosh ndihma humanitare, sidomos në vijën e parë të frontit. Muaji shtator ka qenë më vdekjeprurësi i vitit 2019, me një mesatare prej trembëdhjetë vdekjesh në ditë. Është “thelbësore”, nënvizoi vëzhguesi i përhershëm i Selisë së Shenjtë, të arrihet armëpushimi i kërkuar vazhdimisht nga vetë Këshilli i Sigurimit, për t’i dhënë fund vuajtjes “së patolerueshme” të popullit jemenit. Kryeipeshkvi kërkoi ndalimin e fluksit të armëve në rajon, sepse, theksoi imzot Auza, “kriza më e rëndë humanitare në botë ndodh aty ku armët dhe municionet qarkullojnë lirisht”.

Konflikti në Siri

Vëzhguesi i Vatikanit shprehu “shqetësim të madh” edhe për krizën në Siri, duke pasur parasysh konfliktin turko-kurd në verilindje. Ka një dritë shprese, vërejti imzot Auza, nga lajmi për mbledhjen e parë të Komitetit Kushtetues, që duhet të hartojë Kartën e re themeltare të vendit, me shpresën se ajo tokë e torturuar nga tetë vite konflikti, do të qetësohet. Mbledhja do të mbahet nesër, më 30 tetor, në Gjenevë. Pavarësisht nga kjo, siç ka theksuar kohët e fundit Papa Françesku, u duhet siguruar ndihmë humanitare atyre popullsive, që janë detyruar të ikin nga fillimi i tetorit, duke u siguruar “respektimin e plotë” të të drejtave themelore, ruajtjen e “identitetit etnik” dhe shmangien e “tensioneve dhe të padrejtësive”.

Çështja palestineze

         Duke u ndalur në çështjen palestineze, gati tri vite pas rezolutës 2334 të Këshillit të Sigurimit të OKB për vendbanimet izraelite, nunci apostolik kujtoi se Kombet e Bashkuara kanë vërejtur se ngulimet izraelite janë “shtrirë”, prishjet e ndërtesave palestineze janë “përshpejtuar” , dhuna “vazhdon”, arritja e bashkimit ndërmjet palestinezëve duket një “perspektivë gjithnjë e më e largët” dhe akoma duhet të fillojnë negociata të besueshme. Një kuadër i tillë, shtoi imzot Auza, ndikon për keq në perspektivat për “paqe të qëndrueshme” dhe në zgjidhjen e “dy shteteve”. Përçarja ndërmjet palestinezëve e bën “rifillimin e dialogut përparësi absolute”, ndërsa shqetëson “dështimi i Izraelit në formimin e një qeverie”.

Të krishterët e Lindjes së Mesme

         Duhet bërë gjithçka është e mundur për t’u siguruar që Vendet e Shenjta mbrohen sipas ligjit ndërkombëtar dhe “status quo”-së së Jeruzalemit, kërkoi imzot Auza, ndërsa shprehu “shqetësimin e thellë” për bashkësitë e krishtera, që detyrohen të ikin në kërkim të paqes dhe të sigurisë: prania dhe dëshmia e tyre në këto troje, nënvizoi Vëzhguesi i Selisë së Shenjtë, është me “rëndësi thelbësore”.

Shtet palestinez përkrah atij izraelit

         Duke kujtuar se besueshmëria e Këshillit të Sigurimit vihet në diskutim nga mozbatimi i plotë i rezolutave për çështjen palestineze, nunci apostolik vuri në dukje se ajo, përkundrazi, përforcohet kur “vendimet dhe mekanizmat në dispozicion përdoren frytshëm për të arritur qëllimin e krijimit të një shteti palestinez, që jeton në paqe dhe siguri përkrah shtetit izraelit, brenda kufijve të sigurt dhe të njohur ndërkombëtarisht”.

29 tetor 2019, 14:30