La prima redazione del programma albanese RV: Andrea Shuli, suor Lucie Laca, don Zef Shestani, Zef Pali (da sinistra a destra). La prima redazione del programma albanese RV: Andrea Shuli, suor Lucie Laca, don Zef Shestani, Zef Pali (da sinistra a destra). 

68-vjetori redaksisë shqipe pranë Radio Vatikanit

Redaksia shqipe pranë Radio Vatikani të Dikasterit të Selisë së Shenjtë për Komunikim, mbushi 68 vjet. Në shërbim të Zotit, Kishës, Papës e popullit.

R.SH. - Vatikan

68 vjet më parë, më 3 tetor 1951, fillonte transmetimi i parë i Radio Vatikanit në gjuhën shqipe. Prandaj, është e natyrshme që sot ta kujtojmë këtë ngjarje domethënëse, 68 vjet jete kishtare, kombëtare, kulturore, politike e shoqërore, me gëzime e hidhërime, me arritje e lëshime, po gjithnjë me shpresën që buron nga Ungjilli i Krishtit e në shërbim të popullit të Tij, kudo në trevat shqiptare e në botë. 

          (Sigla aktuale e redaksisë shqipe të Radio Vatikanit)

Sigla aktuale e redaksisë shqipe të Radio Vatikanit

Sigla radiofonike, që dëgjohet sa herë hapet stacioni i Radio Vatikanit-Vatican News, na kujton, së pari, shërbimin që eminentja e Selisë së Shenjtë u bëri katolikëve e qytetarëve të Shqipërisë të izoluar pas perdes së hekurt, që nuk kishin asnjë mundësi të komunikonin me Selinë Apostolike, me Kishën universale dhe me botën në periudhën e gjatë të diktaturës komuniste.  

            (Sigla parë e redaksisë shqipe të Radio Vatikanit)

Sigla parë e redaksisë shqipe të Radio Vatikanit

Ndërsa kjo që po dëgjoni tani, është sigla e parë e redaksisë shqipe pranë Radio Vatikanit, që nisi të transmetonte, në kushtet e diktaturës komuniste në Shqipëri, më 3 tetor të vitit 1951, 68 vjet më parë, nën drejtimin e meshtarit shqiptar dom Zef Shestani. Kështu, pra, redaksia shqipe nisi programet e veta me përshkimin dhe transmetimin e Udhës së Kryqit të Shpëtimtarit të njerëzimit, Jezu Krishtit.

Redaksia shqipe e Radio Vatikanit përshkoi një rrugë të gjatë, duke shoqëruar  e mbështetur popullin shqiptar në periudhën e errët të diktaturës komuniste, deri në ngadhënjimin e Dritës mbi errësirën, të lirisë mbi trysninë.

E gjatë periudhës 68 vjeçare, redaksia e vogël në gjuhën shqipe e Radio Vatikanit priti e përcolli njerëz të thjeshtë dhe personalitete fetare e laike, që folën para mikrofonit të Radios së Papës, për t’i transmetuar popullit shqiptar mesazhin e paqes e të dashurisë njerëzore e të krishterë. Pastaj kohët ndryshuan e, ndryshoi edhe sigla, por misioni mbetët përherë i njëjtë, ai për t’i transmetuar popullit shqiptar Lajmin e Mirë, mësimet dhe fjalët e përzemërta e inkurajuese të Papëve të Romës.

03 tetor 2019, 13:48