Imzot Dario Edoardo Viganò Imzot Dario Edoardo Viganò 

60-vjetori i Filmotekës së Vatikanit: imzot Viganò paraqet librin “Kinemaja e Papëve”

U paraqit sot, në ambasadën italiane pranë Selisë së Shenjtë, libri i imzot Dario Edoardo Viganò, me titull "Kinemaja e Papëve. Dokumente të panjohura nga Filmoteka e Vatikanit” (Marietti 2019). Vëllimi botohet me rastin e 60-vjetorit të Filmotekës së Vatikanit, themeluar më 16 nëntor 1959 nga Papa shenjt Gjoni XXIII.

R.SH. - Vatikan

“Nëse Filmoteka e Vatikanit është pikë referimi për të ripërkufizuar marrëdhëniet ndërmjet Kishës dhe mediave, libri përbën një kthesë në udhën e hulumtimit akademik shumëdisiplinor, në të cilin kam marrë pjesë që nga vitet ‘90 e deri më sot, përkrah figurave të rëndësishme të panoramës shkencore italiane dhe ndërkombëtare”. Kështu pohoi sot, zv.kancelari i Akademisë Papnore të Shkencave dhe të Shkencave Shoqërore, imzot Dario Edoardo Viganò, gjatë paraqitjes së librit të tij “Kinemaja e Papëve. Dokumente të panjohura nga Filmoteka e Vatikanit” (Marietti 2019), në ambasadën italiane pranë Selisë së Shenjtë. Ndër relatorët, edhe Sekretari i Shtetit të Vatikanit, kardinali Pietro Parolin; prefekti i Dikasterit vatikanas për Komunikimin, Paolo Ruffini; presidentja e Këshillit universitar për Kinemanë, Giulia Carluccio, dhe ambasadori italian në Selinë e Shenjtë, Pietro Sebastiani.

Filmoteka e Vatikanit u themelua nga Papa shenjt Gjoni XXIII

         Vëllimi botohet me rastin e 60-vjetorit të Filmotekës së Vatikanit, themeluar më 16 nëntor 1959 nga Papa shenjt Gjoni XXIII. Duke pasur mundësinë të konsultojë një dokumentacion thuajse të pabotuar nga arkivat e Vatikanit - në Sekretarinë e Shtetit, në fondet e Këshillit Papnor për Komunikimet Shoqërore dhe në arkivat e Xhandarmërisë - në tekstin e tij, imzot Viganò vë në dukje ndryshimin e ritmit në marrëdhëniet ndërmjet Kishës dhe kinemasë, sidomos, pas Koncilit II të Vatikanit.

Shenjë e ndryshimit të marrëdhënieve të Kishës me mediat

         “Themelimi i Filmotekës së Vatikanit – nënvizoi imzot Viganò, gjatë paraqitjes së sotme të librit - mund të shihet si akti përfundimtar i një lloj marrëdhëniesh me median, që bazohet mbi strategjinë e pedagogjisë së dyfishtë (ndërmjet kritikës dhe inkurajimit), qendër e perspektivës së Papës Piu XII mbi Kishën”. Që atëherë, theksoi imzot Viganò, ndryshuan rrënjësisht marrëdhëniet e Kishës me mediat, si pasojë e vëmendjes kishtare ndaj “shenjave të kohrave”, tipike për papninë e Gjonit XXIII.

Web-doc “Kinemaja e Papëve. Filmoteka e Vatikanit”

Gjatë paraqitjes së librit, të pranishmit mundën të shihnin paraprakisht, para botimit, një dokumentar të prodhuar për internet, me titull “Kinemaja e Papëve. Filmoteka e Vatikanit”, frymëzuar pikërisht nga libri i imzot Viganò-së. Me 6 episode, nga 16 nëntori i ardhshëm, do të transmetohet në portalin Vatikan News të Dikasterit të Komunikimit.

29 tetor 2019, 15:21