Kërko

Concilio Vaticano II Concilio Vaticano II 

Më 11 tetor 1962 filluan punimet e Koncilit II të Vatikanit

Me Koncilin II Kishtar të Vatikanit, përuruar në Romë nga Papa Gjoni XXIII më 11 tetor të vitit 1962. Me të Kisha do të niste një rrugë ndryshimesh: do të zbriste në botë, duke thyer skemat shekullore; do të bashkohej me mbarë familjen njerëzore, duke jetuar së bashku me të frikën e shpresën, gëzimet e ankthet. Hapje kilometrike e revolucionare, fiksuar në mënyrë të pashlyeshme në faqet e njohura të Kushtetutës baritore "Gaudium et Spes".

R.Sh. - Vatikan

Duke shfletuar kalendarin historik, më 11 tetor, kujtojmë inaugurimin e punimeve të Koncilit II të Vatikanit, më 11 tetor 1962. Nga institucion te komuniteti i besimtarëve: ky është revolucioni që Kisha që vë në jetë me Koncilin II Kishtar të Vatikanit, përuruar në Romë nga Papa Gjoni XXIII më 11 tetor të vitit 1962. Me të Kisha do të niste një rrugë ndryshimesh: do të zbriste në botë, duke thyer skemat shekullore; do të bashkohej me mbarë familjen njerëzore, duke jetuar së bashku me të frikën e shpresën, gëzimet e ankthet. Hapje kilometrike e revolucionare, fiksuar në mënyrë të pashlyeshme në faqet e njohura të Kushtetutës baritore "Gaudium et Spes". Punimet e këtij Koncili kishtar u mbyllën nga Papa Pali VI më 8 dhjetor 1965, në të cilin morën pjesë nga 2549 prelatë a etër kishtarë prej pesë kontinenteve.

Pyetja kryesore, e ngulur fort në mendjen e Papës Gjoni XXIII, që në muajt e parë të papnisë së tij, ishte: “Ç’duhet bërë për Kishën e për botën, ku jetojmë sot?”. 25 janar 1959. Papa Giuseppe Angelo Roncalli bëri pothuajse papritur e pa kujtuar, një vizitë në Bazilikën Ostiense, në Romë. Më pas, në manastirin e Shën Palit, u flet kardinajve. Kujton hollësisht tre muajt e parë të papnisë, foli për rreziqet, që kërcënonin botën moderne e pastaj, me thjeshtësinë më të madhe, shtoi fjalët, që do të shënonin hapin e parë të risimit të Kishës: - “Për t’iu përgjigjur nevojave të popullit të krishterë, njoftojmë se së shpejti do të kremtojmë një koncil ekumenik universal... Mendojmë të tingëllojë edhe si ftesë drejtuar bashkësive të ndara, për kërkimin e unitetit. Kardinajtë e ndjekin pa frymë: është ngjarje, pak të themi, e jashtëzakonshme, e jo më pak, e rrezikshme. T’i mbledhësh të gjithë ipeshkvijtë e botës e t’u thuash: “Të diskutojmë së bashku për Kishën e për botën!”.

Po kjo do të thotë të shkaktosh një stuhi të fuqishme, madje, një tërmet. Po Papa Gjoni vë buzën në gaz, ashtu si dinte të bënte vetëm ai: “Do të jetë mes nesh edhe Shpirti Shenjt, tha. Prandaj unë nuk kam aspak frikë. T’i vihemi, pra, punës”. Koncili II i Vatikanit nisi në orën 8.30 të datës 11 tetor 1962. 2500 ipeshkvij, nga të katër anët e botës, vërshojnë në Shën Pjetër e nisin diskutimet. Diskutime krejt të hapura, madje nganjëherë edhe të ndezura. Argumentet tundin shpirtrat: bëhej fjalë për marrëdhëniet e Kishës me botën politike, botën punëtore, botën kulturore; për Meshën Shenjte e jetën liturgjike të katolikëve, për luftën e paqen, urinë e etjen, begatinë e skamjen.

Nësa vijonin diskutimet e tyre të zjarrta, 2500 ipeshkvijtë i ngulnin mirë në kokë fjalët e thjeshta e njëherësh revolucionare, që Papa Gjoni XXIIII ua përsëriti të gjithëve: “Ta duam njëri-tjetrin, të tjerat vijnë vetë”. “Duhet ta mërijmë mëkatin, jo mëkatarin. Të flasim fjalë, që na bashkojnë, jo që na ndajnë. Ta kapërcejmë çdo pengesë, që shkakton përçarje”.

Më 8 dhjetor mbyllej seanca e parë e Koncilit. Fjalët e Papës janë fllad i freskët besimi: “Diskutimet tuaja i treguan botës lirinë e shenjtë të bijve të Hyjit... Mirupafshim pas nëntë muajsh”. Po kush ia nguli mirë sytë fytyrës së Papës këtë ditë, kishte një përshtypje të dhimbshme: Papa Gjoni ishte keq. Do ta shikonin përsëri pas nëntë muajsh? Të Enjten e Madhe të vitit 1963, Papa Gjoni i dhuroi botës enciklikën e madhe “Pacem in Terris”.
Në Nju Jork, të përditshmet qenë të parat, që e botuan tekstin. Nën titujt me shkronja vigane, shkruhej:
“Papa kërkon të marrë fund riarmatosja!”.
“Ndalojeni garën e armatimeve!”.
Times e Londrës e quan: “Mesazh drejtuar mbarë botës”.
Presidenti Xhon Kenedi, nga Universiteti i Bostonit, tha për Pacem in Terris: “Si katolik, krenohem me të; si amerikan, mësoj shumë prej saj”.

Dokumentet e Koncilit të II Kishtar Ekumenik të Vatikanit përmbajnë një pasuri tejet të madhe për formimin e breznive të reja të krishtera, për formimin e ndërgjegjes sonë. Dokumentet e Koncilit II të Vatikanit, tek të cilat duhet të rikthehemi, duke i çliruar nga masa e madhe e botimeve, të cilat shpesh, në vend që t’i bëjnë të njohura , i fshehën, janë edhe për kohën tonë busull, që i krijon barkës së Kishës kushtet për të dalë në det të hapur, mbi valët të stuhishme a të shtuara e të qeta, për të lundruar e sigurt e për të arritur tek caku.

Prandaj, duhen lexuar e studiuar, e po kështu edhe Katekizmin e Kishës Katolike, e në këtë mënyrë do rizbulojmë sa gjë e bukur është të jesh i krishterë, të jesh Kishë, të jetosh atë 'ne' të madhe, që Jezusi formoi rreth vetes, për të ungjillëzuar botën: 'ne' të Kishës, që nuk mbyllet kurrë, që është gjithnjë e hapur, për t’ua kumtuar Ungjillin të gjithëve. Koncili foli edhe mbi përgjegjësinë e laikëve, për çka pati ngulur këmbë Papa Pali VI, kur në Frascati më 1 shtator 1963, tha se ajo nuk vjen ‘vetëm nga nevoja e zgjatjes së krahëve (duarve) të meshtarit, i cili nuk mbërrin tek të gjitha mjediset e nuk arrin t’i bëjë ballë të gjitha punëve të mundimshme. Ajo vjen nga një diçka shumë e thellë e më thelbësore, nga fakti që, edhe laiku është i krishterë”.

Të gjithë jemi përgjegjës, të gjithë jemi bashkëpërgjegjës. Zoti i thërret të gjithë njerëzit, duke i ndarë dhuratat për detyra të ndryshme në Kishë. Ai thërret në udhën e meshtarisë e të jetës së shuguruar, e thërret në martesë e në angazhim si laikë në të njëjtën Kishë si dhe në shoqëri. Koncili II i Vatikanit, pra, na thotë se detyra themelore e Kishës është t’i tregojë mrekullitë e Zotit njeriut të kohës sonë, t’i kumtojë atij Ungjillin e Krishtit. Mbi këtë bazohet dialogu, bashkëndarja, përgjegjësia e përbashkët: duhet të nisemi nga këto rrënjë të thella, në të cilat ne besojmë se është e rëndësishme të kthehemi. Ne nisemi nga Koncili, i cili duhet të na ndihmojë në këtë kohë të re, ku duam të dëshmojmë sa bukur është të jesh i krishterë.

Ne shikojmë se koha, në të cilën jetojmë, vijon të jetë koha e harresës, kohë që e bën veshin të shurdhër për zërin e Zotit. Prandaj, duhet ta nxëmë mirë mësimin më të thjeshtë e më themelor të Koncilit, atë, që na kujton se krishterimi, në thelb, është besim në Zotin, në dashurinë trinitare dhe takim personal e komunitar me Krishtin, që i prin jetës sonë, e udhëheq atë: të tjerat janë rrjedhoja.

E në këtë datë të rëndësishme të 11 tetor, t’i kujtojmë katër pikat themelore të busullës së Koncilit II të Vatikanit, që mund ta orientojnë edhe Kishën e sotme në misionin e saj ungjillëzues: Kushtetutat Koncilare ‘Sacrosantum Conculium’, ‘Lumen gentium’, ‘Dei Verbum’ dhe ‘Gaudium et spes’, me urimin që trashëgimia e Koncilit t’i ndihmojë të krishterët ta rizbulojnë çdo ditë bukurinë e fesë. Gjëja më e rëndësishme sot, pikërisht ashtu siç dëshironin Etërit Konciliarë, është të shikohet, përsëri e qartë, se Zoti është i pranishëm, se na shikon, na përgjigjet. E edhe se, kur mungon besimi në Zotin, shembet gjithçka është themelore, sepse njeriu humbet dinjitetin e vet më të thellë, humbet atë që, në kundërshtim me çdo reduksionizëm, e bën të madh humanitetin e tij.

11 tetor 2019, 17:30