Kërko

Mons. Rino Fisichella Mons. Rino Fisichella 

Ungjillëzimi i ri. Imzot Fisichella: takimi me Zotin e ndryshon jetën

Një konferencë ndërkombëtare që u hap dje në Romë trajton temën "Takimi me Zotin: a është i mundur? Mënyrat e ungjillëzimit të ri”. Nisma është një rast për të pyetur për udhët që e bëjnë të mundur takimin personal të njeriut me Zotin.

R.SH. - Vatikan

Krijimi i një hapësire ​​për një reflektim dhe formim që favorizon, para së gjithash, konfrontimin jo vetëm mbi krizën aktuale të fesë së krishterë në Perëndim, por edhe mundësinë e identifikimit të shtigjeve që mund të përshkohen për një ungjillëzim të ri. Ky është qëllimi i takimit ndërkombëtar, i cili u hap dje në Vatikan, në Sallën e Sinodit të Ri dhe u drejtohet përgjegjësve të qendrave akademike, të lëvizjeve dhe shoqatave të ungjillëzimit të ri. Nisma, e promovuar nga Këshilli Papnor për Ungjillëzimin e Ri, synon, gjithashtu, t'u përgjigjet kërkesave të magjisterit të Papëve të fundit mbi nevojën e një impulsi të ri në kumtimin e fesë në shoqërinë bashkëkohore.

Të nxitet kërkimi i Zotit

Takimi, në të cilin marrin pjesë studiues, teologë, filozofë dhe psikiatër, shqyrton tri tematika qendrore, për të cilat në mikrofonin e  Vatican News flet Presidentin i Këshillit Papnor për ungjillëzimin e ri, Imzot Rino Fisichella:

R. - Ky takim ndahet në tri situata ekzistenciale. E para është kërkimi i Zotit, së cilës do të duhet t'i përgjigjemi për të ringjallur dëshirën e besimit. Pastaj kemi temën e madhe të indiferentizmit, por indiferenca është tipike te ai që e ka marrë fenë, te ai që duhet të gjejë gëzimin e besimit. Prandaj duam të reflektojmë edhe mbi temën e nostalgjisë për Zotit, që është e pranishme në zemrën e çdo burri dhe të çdo gruaje. Dhe së fundi, situata e tretë, është ajo që na kujton Papa Françesku, që nga dita e parë e papnisë së tij, duke na ftuar ta realizojmë: kulturën e takimit.

Le të ndalemi pikërisht mbi temën e takimit që shtron një pyetje thelbësore, ju pyes: a është e mundur të takohet Zoti?

R. - Kjo është ajo që ne pyesim, së pari, vetveten në këtë takim. Të mos harrojmë se Zoti është i panjohuri i madh në kulturën bashkëkohore. Nuk është aq shumë mohimi i Zotit. Nuk ka një njohuri koherente dhe, prandaj, duhet t’i kërkojmë këto shkaqe. Atëherë takimi ndërkombëtar, që po mbahet, lëviz pikërisht në këtë këndvështrim e perspektivë: të nxisim tek njeriu i sotëm kërkimin e Zotit, dëshirën për Zotin dhe të bëjmë që të krishterët të jenë, akoma, në gjendje ta komunikojnë gëzimin e takimit të tyre me Të.

20 shtator 2019, 11:56