Kërko

Papa, në funeralin e kardinal Levadës Papa, në funeralin e kardinal Levadës 

U kremtua sot funerali i kardinalit William Joseph Levada

Funerali i prefektit të nderit të Kongregatës për Doktrinën e Fesë, i cili vdiq mbrëmë në Romë në moshën 83 vjeç, u kremtua sot në Bazilikën e Shën Pjetrit. Kryesoi meshën kardinali Tarcisio Bertone, së bashku me kardinajt, kryeipeshkvijtë dhe ipeshkvijtë e pranishëm. Në fund të kremtimit eukaristik, si zakonisht, Papa Françesku kryesoi ritin e “Ultima Commendatio” dhe të “Valedictio”.

R.SH. - Vatikan

Vdiq mbrëmë në Romë, kardinali William Joseph Levada, prefekti i nderit i Kongregatës për Doktrinën e Fesë. Tani, kolegji i kardinajve ka 212 anëtarë, nga të cilët 118 me të drejtë vote në Konklav.

Funerali u kremtua sot në mesditë, në altarin qendror të Bazilikës së Vatikanit, nga kard. Tarcisio Bertone, së bashku me kardinajt, kryeipeshkvijtë dhe ipeshkvijtë e pranishëm. Në fund të kremtimit eukaristik, si zakonisht, Papa Françesku kryesoi ritin e “Ultima Commendatio” (Porosive të fundit) dhe të “Valedictio” (Lamtumirës).

Shërbimi i kardinalit Levada në Kishë

         Lindur në Long Beach, kryedioqeza e Los Angeles-it, më 15 qershor 1936, pasi u shugurua meshtar në Bazilikën e Shën Pjetrit, më 20 dhjetor 1961, për pesë vjet, kardinali i mëvonshëm William Joseph Levada shërbeu në famullitë e Los Angeles, si Drejtor i Edukimit të vazhdueshëm për klerin. Dha lëndën e teologjisë në Seminarin e Shën Gjonit. Në vitin 1976 u thirr në shërbim të Selisë së Shenjtë si funksionar i Kongregatës për Doktrinën e Fesë. Gjatë këtyre viteve, dha lëndën e teologjisë në Universitetin Papnor Gregorian. Më 1982, u bë Drejtor Ekzekutiv i Konferencës Ipeshkvnore të Kalifornisë. Më 25 mars 1983, Papa Gjon Pali II e emëroi ipeshkëv ndihmës të Los Angeles-it. Mori shugurimin ipeshkvnor më 12 maj të po atij viti.

         Më 1 korrik 1986, u emërua në kryeipeshkvinë e Portland-it, Oregon. Në nëntë vitet e shërbimit baritor në Portland, kard. Levada iu përkushtua thirrjeve për meshtari dhe përmirësimit të seminarit në Mount Angel, ku dha lëndën e ekleziologjisë. Më 1995 filloi shërbimin si kryeipeshkëv i San Francisko-s. Nga viti 1986 deri më 1993 ishte ipeshkvi i vetëm amerikan në komitetin editorial të Komisionit për Katekizmin e Kishës Katolike. Ai është autori i Fjalorit të publikuar në botimin e dytë të Katekizmit në anglisht.

         Në vitin 1997, kard. Levada mori pjesë në Asamblenë e veçantë të Sinodit të Ipeshkvijve për Amerikën dhe më vonë, u emërua anëtar i këshillit pas-sinodal. Gjatë vitit 2000 u emërua ipeshkëv bashkëkryetar i dialogut anglikano-katolik në SHBA-të (ARC-USA). Në nëntor të atij viti u bë anëtar i Kongregatës për Doktrinën e Fesë.

         Në vitin 2003, kard. Levada organizoi kremtimin e 150-vjetorit të Kryeipeshkvisë së San Francisko-s dhe filloi presidencën tre-vjeçare në Komitetin e Konferencës Ipeshkvnore të SHBA-ve mbi Doktrinën. Më 13 maj 2005, Benedikti XVI e emëroi prefekt të Kongregatës për Doktrinën e Fesë, vend i lënë bosh nga ai vetë. Levada u krijua kardinal në Koncistorin e 24 marsit 2006. Nga 2 korriku 2012, tashmë në pension, ishte prefekt nderi i Kongregatës për Doktrinën e Fesë, kryetar nderi i Komisionit Papnor “Ecclesia Dei”, i Komisionit Biblik Papnor dhe i Komisionit Teologjik Ndërkombëtar.

27 shtator 2019, 15:03