Kërko

Sinodi për Amazonën Sinodi për Amazonën 

Sekretarët e Sinodit për “La Civiltà Cattolica”: të ecim me njerëzit e Amazonës

Sekretarët e veçantë të Sinodit na çojnë në Asamblenë e ardhshme kushtuar Amazonës, përmes një artikulli të gjatë, botuar në revistën e jezuitëve “La Civiltà Cattolica”. Atë Spadaro: duhet të përgatitemi për të ecur së bashku dhe për të rikrijuar sinodalitetin në favor të mbijetesës së rajonit amazonik.

R.SH. - Vatikan

“Sinodi për Amazonën ka rëndësi universale për Kishën dhe për botën, duhet ta kuptojmë se Amazona është shtëpi për popujt autoktonë, por ka të bëjë me të ardhmen e ne të gjithëve”. Kështu komenton drejtori i revistës së jezuitëve “La Civilità Cattolica”, atë Antonio Spadaro, artikullin e botuar  ekskluzivisht në numrin e fundit të kësaj reviste, ku dy sekretarët e veçantë të Sinodit, imzot David Martínez de Aguirre Guinea dhe kardinali i ardhshëm, atë Michael Czerny, paraqesin Sinodin, që do të mbahet në Romë, nga 6 deri më 27 tetor, me temë “Udhë të reja për Kishën dhe për ekologjinë e gjithanshme”. Teksti fillon me disa informacione thelbësore për rajonin e Amazonës dhe problemet e tij, dalë nga një proces i gjerë këshillimi, së shpejti mbi tryezën e ipeshkvijve. Atë Antonio Spadaro është i bindur se për t’u marrë me çështjet kryesore të sotme, sinodaliteti është mënyra më e frytshme. Teksti i artikullit është në dispozicion në 5 gjuhë në www.laciviltacattolica.it. Por le të dëgjojmë atë Spadaron:

 Sinodi, siç thonë shumë mirë dy autorët në këtë paraqitje, fillon nga një reflektim mbi realitetin dhe nga problemet që kanë bashkësitë e Amazonës, për shembull, riprodhimi, privatizimi i pasurive natyrore, uji, shpyllëzimi, gjuetia dhe peshkimi pa leje, ndotja, humbja e biolarmisë... I shohim zjarret, që shkatërrojnë intensivisht pyjet, të cilat janë burim oksigjeni. Dëshirojmë të japim një kuadër global, që e konsideron ekologjinë si diçka të gjithanshme: nuk është vetëm një sektor, një vëmendje e veçantë apo vetëm një aspekt, por është një formë, një sintezë, një sintezë e re e doktrinës shoqërore të Kishës. Ashtu si edhe ‘Laudato si’, që nuk është thjesht enciklikë ekologjike, por bën pjesë plotësisht në doktrinën shoqërore të Kishës.

Pikërisht për këto arsye, ka rëndësi që Amazonës i kushtohet një Sinod. Ka ardhur koha të flasim dhe të veprojmë së bashku…

Siç e kemi përjetuar edhe në vitet e fundit dhe në sinodet e mëparshme, forma sinodale e Kishës është ide kryesore, që Papa Françesku po e ndjek me forcë. Duhet të rizgjojmë sinodalitetin. Siç thotë shën Gjon Krizostomi, Kisha dhe sinodi janë sinonime. Prandaj, për të përballuar problemet kryesore, që ka përpara Kisha, forma sinodale, diskutimi, shoshitja, lutja e përbashkët, vendimi i përbashkët, janë themelore. Janë mënyra për ta jetuar përvojën kishtare, që – siç nënvizon shpesh Papa Françesku - nuk mbaron me meshën përfundimtare të sinodit, nuk mbaron kurrë, në kuptimin që sinodi vazhdon në realitetet lokale të Kishës.

Një tekst i thellë, që na paraqet këtë ngjarje të jashtëzakonshme. Dy sekretarët ftojnë që jo vetëm ipeshkvijtë, por të gjithë njerëzit e botës të ecin me banorët e Amazonës, duke theksuar se kjo është mënyra e vetme për t’i shpëtuar mushkëritë e planetit nga shkatërrimi. Si është e mundur të bëhet kjo, sipas mendimit tuaj?

Para së gjithash, duhet nënvizuar se për Françeskun çështja ekologjike lidhet drejtpërdrejt me drejtësinë shoqërore. E tha edhe gjatë udhëtimit në Afrikë. Kuptohet se varfëria, fenomeni i migracionit, siç e shohim për Afrikën, buron nga shkretimi e nga shkatërrimi i ambientit, i Shtëpisë së përbashkët. Pra, lidhja ndërmjet ekologjisë dhe drejtësisë shoqërore është themelore, duhet ta theksojmë këtë, që është temë e fuqishme e vetë Sinodit. Pastaj, Sinodi flet për udhët e reja, përmes të cilave do ta shpallë Ungjillin Kisha në Amazonë, sepse Sinodi ka të bëjë drejtpërdrejt me jetën e zakonshme të Kishës. Më pëlqen shumë shprehja ‘udhë të reja” dhe me të vërtetë, të dy autorët e nënvizojnë atë, theksojnë se vitet e fundit ulja e numrit të rregulltarëve – burra e gra - vë në rrezik praninë e Kishës Katolike në gjirin e popujve indigjenë, prandaj vetë Kishës i kërkohet më tepër besnikëri dhe guxim. Nga ana tjetër, shtrohet problemi themelor i inkulturimit. Është shumë e rëndësishme, thonë autorët, që popujt indigjenë ta bëjnë Kishën të tyren, pra, të jenë subjekte aktive të ungjillëzimit e jo vetëm objekte të tij. Sfidë që bëhet kishtare: si duhet të jetë Kisha e sotme dhe Kisha e së ardhmes.

14 shtator 2019, 09:38