Parolin në OKB: t’i mbrojmë pyjet dhe banorët e tyre
R.SH. - Vatikan
Kriza që pason “shkatërrimin e shpejtë të pyjeve, veçanërisht të pyjeve tropikale, nuk është vetëm ambientale, por edhe shoqërore e, sidomos, etike”. Sekretari i Shtetit të Vatikanit, kardinali Pietro Parolin, foli kështu dje, gjatë takimit të nivelit të lartë, në selinë e OKB-së në Nju Jork, kushtuar mbrojtjes së pyjeve të shiut, me qëllim promovimin e veprimeve shumëpalëshe “urgjente dhe afatgjata”.
Parandalimi dhe edukimi për përgjegjësi
“E dimë të gjithë - tha kardinali - sa të rëndësishme janë pyjet për gjithë botën e, edhe për të ardhmen e njerëzimit: ato janë burimi më i besueshëm i rinovueshëm në botë dhe janë thelbësore për zhvillimin e gjithanshëm të njeriut”. Por “në kohën e urbanizimit në rritje – nënvizoi kardinali Parolin - rëndësia e tyre e jashtëzakonshme nënvlerësohet shpesh”. Prandaj, është thelbësor edukimi i njerëzve për t’i konsideruar pyjet jo “thjesht si burime për t’u shfrytëzuar, por edhe si shenjtërore për t’u ruajtur dhe për t’u përtërirë vazhdimisht”. Detyra e mbrojtjes së tyre, ngriti zërin Sekretari i Shtetit të Vatikanit, është edhe më e ngutshme, pasi pyjet po shkatërrohen me shpejtësi, me pasojë “ zhdukjen e llojeve të bimëve dhe të kafshëve e prishjen e ekuilibrit jetësor, që mund të ndryshojë gjithë ekosistemin botëror”.
Shkatërrimi i pyjeve shkakton vuajtje të mëdha
Shkatërrimi absurd i pyjeve, vijoi kardinali Parolin, shkakton vuajtje të mëdha, sidomos për banorët e tyre. Prandaj, “kujdesi për shtëpinë tonë të përbashkët dhe për vëllezërit e motrat tona, që banojnë në atë shtëpi, duhet të vazhdojë nga të gjithë” kërkoi kardinali. Përdorimi i përgjegjshëm i pyjeve ka të bëjë me të ardhmen e popujve indigjenë, për të cilët do të flitet në Vatikan, në Sinodin për Amazonën, duke filluar nga 6 tetori. Por si Amazona, edhe rajone të tjera të botës kërcënohen nga dora e papërgjegjshme e njeriut. Kardinali Parolin përmendi Pellgun e Kongos, pyjet e shiut në Azinë Juglindore e territore të tjera të gjelbërta.
Kujdesi për ambientin kalon nga drejtësia shoqërore
Siç nënvizoi Papa Françesku, gjatë vizitës së tij të fundit në Madagaskar, një vend që ka humbur 21% të pyjeve, në krahasim me vitin 2001: “nuk mund të ketë qasje të vërtetë ekologjike apo veprim konkret për të mbrojtur mjedisin, pa drejtësinë shoqërore, e cila duhet të garantojë të drejtën për t’ua destinuar bashkarisht pasuritë e tokës brezave të sotëm, por edhe atyre të ardhshëm”. Pa vonesë, kërkoi së fundi kardinali Parolin, duhet të pretendojmë një ndërhyrje të përbashkët e shumëpalëshe “për të luftuar varfërinë dhe për t’u rikthyer dinjitetin të përjashtuarve nga shoqëria, e njëkohësisht, një ndërhyrje që të mbrojë këtë dhuratë të çmuar, të domosdoshme dhe të kërcënuar”: pyllin.