Kërko

Shën Vinçenc De Paoli Shën Vinçenc De Paoli  

Papa Françesku: shën Vinçenc De Paoli vijon t’i flasë Kishës

Të krishterët duhet t’i prekin me dorë të varfërit, thotë Papa, sepse përndryshe krishterimi i tyre nuk është më i mishëruar, pasi i paaftë të prekë korpin e Krishtit. Në një takim të shndritshëm me Jezusin në të varfërit”, shën Vinçenci e ndjeu thirrjen e Zotit, që e ftonte të mos jetonte më për vetveten, por t’i shërbente Hyjit pa rezerva, në të varfërit.

R.SH. - Vatikan

“Shembulli i bamirësisë së shën Vinçencit De Paoli, që sot e përkujtojmë si Pajtor Qiellor  të shoqatave të bamirësisë, ju frymëzoftë juve, të dashur të rinj, t’i zbatoni projektet e së ardhmes me një shërbim plot gëzim e pa interes për më nevojtarët”. Janë këto, fjalët e Papës Françesku gjatë audiencës së përgjithshme tё 27 shtatorit 2017, kur përshëndeti shtegtarët e gjuhës italiane. E, pikërisht mё 27 shtator 2017 Ati i Shenjtё Bergoglio i drejtoi një mesazh falënderimi dhe urimi Familjes rregulltare Vinçenciane me rastin e 400-vjetorit tё karizmës, e cila u ka dhënë jetë Institucioneve dhe Shoqatave, që e përbëjnë.

Në mesazh, Papa Françesku përvijoi figurën e shën Vinçencit, që “ka jetuar gjithnjë për udhë, në kërkim të Zotit e të vetvetes”. “Në një takim të shndritshëm me Jezusin në të varfërit”, shën Vinçenci e ndjeu thirrjen e Zotit, që e ftonte të mos jetonte më për vetveten, por t’i shërbente Hyjit pa rezerva, në të varfërit, të cilët duhej t’i njihte si zotër e pronarë”. Ai, kujtoi Papa Françesku, themeloi ato qendra, që u quajtën “Karitas”, ku kujdeseshin për nevojtarët, tё varfёrit e tё mёnjanuarit e shoqёrisё, duke jetuar së bashku me ta. Një “farë sinapi”, pohoi Papa  Françesku duke pasur në mendje shёmbёlltyrёn e Ungjillit e duke iu referuar familjes Rregulltare tё Shёn Vinçencit, që u mboll në vitin 1617 dhe u bë pemë e madhe me kalimin e kohës.

“Në zemrën e Familjes Vinçenciane është kërkimi i më të mjeruarve e i më të braktisurve” – nënvizoi Ati i Shenjtë Bergoglio, ndërsa i këshilloi anëtarët e saj ta ngulin gjithnjë vështrimin mbi shkëmbin, Jezu Krishtin, nga i cili nisi gjithçka, për të vazhduar ta çojnë freskinë e mesazhit tё zanafillës, mesazhin e Dashurisë sё Zotit në periferitë e sotme të botës. E ky shkëmb, nёnvizoi Papa, mos tё harrojmё, është “Jezusi i varfër, që kërkon prej nesh ta njohim në të varfërin e në atë, që s’ka zë”. Nga ky shkëmb duhet të pijmë të gjithë për t’ia shuar etjen botës me dashurinë, që lind prej Zotit. “Dashuria është në zemër të Kishës, është arsyeja e veprimit të saj, shpirti i misionit të saj”, theksoi Papa.

Shën Vinçenc De Paoli vazhdon t’i flasë Kishës. “Dëshmia e tij – thekson Ati i Shenjtë  Bergoglio – na fton të jemi gjithnjë për udhë, na kërkon të jemi të vegjël”, por krijues në dashurinë e krishterë, “gjithnjë e më e nevojshme sot, në një shoqëri të ndërlikuar e të globalizuar, që ndryshon vazhdimisht, ku disa forma të lëmoshës e të ndihmës, pavarësisht nga ndjeti i mirë, ka rrezik të ushqejnë forma të shfrytëzimit të paligjshëm e të mos sjellin përfitime të vërteta e të qëndrueshme”.

Të krishterët duhet t’i prekin me dorë të varfërit, nënvizoi Papa Françesku, sepse përndryshe krishterimi i tyre nuk është më i mishëruar, pasi i paaftë të prekë korpin e Krishtit. Në fund të mesazhit, Ati i Shenjtë ripropozoi fjalët e shkruara për Ditën e parë Botërore të të Varfërve, që u kremtua për herë të parë në histori, më 19 nëntor 2017. Papa Françesku, kujtojmё, uroi që kjo Ditë ta ndihmojë Kishën “të ndjekë Krishtin e varfër nё vëllezërit e motrat e varfёra, duke u bërë gjithnjë e më shumë dhe më mirë shenjë e dashurisë së Zotit për të fundmit e për nevojtarët, në kundërshtim me kulturën e hedhurinave dhe të shpërdorimit”.

27 shtator 2019, 08:56