Kërko

Papa Françesku gjatë udhëtimit në Mozambik Madagaskar Maruricius Papa Françesku gjatë udhëtimit në Mozambik Madagaskar Maruricius  Editorial

Forca e popullit, që kërkon të përforcohet në fe

Komenti i prefektit të Dikasterit të Selisë së Shenjtë për Komunikimin, Paolo Ruffini - në udhëtim me Papën në Afrikë - mbi Popullin e Zotit, që mirëpriti Françeskun në Mozambik, Madagaskar dhe Mauricius, dëshmi e fuqishme e Kishës.

R.SH. - Vatikan

PAOLO RUFFINI

        Ka një aspekt të udhëtimit të Françeskut në Mozambik, Madagaskar dhe Mauricius, që është i përbashkët me të gjitha udhëtimet e tjera të Papëve, pa e minimizuar aspak rëndësinë e këtij të fundit. Madje, ia shton atë.

Është bashkimi i Popullit të Zotit, ndërsa pret Papën, aspekt kryesor i shërbimit pjetrin, që ndoshta as pamjet nuk janë në gjendje ta japin. Një numër i madh njerëzish (fytyra, vështrime, gjeste) që tregon për pritjen, gëzimin, forcën e një takimi. Mrekullia e një populli, ngjeshur në kilometra rruge, mbledhur në fusha pa fund, ulur si të qëllonte, në mesin e pluhurit, vetëm për ta parë Papën të kalonte, për ta kryqëzuar shikimin me të dhe për ta përqendruar në një çast historinë personale dhe kolektive, për të marrë shikimin dhe bekimin e tij. Kjo është dëshmi e fuqishme se çfarë është Kisha.

Qindra mijëra njerëz nxituan të bëhen një gjë e vetme, të dëshmojnë me gëzim fenë e tyre dhe të përforcohen në të nga pasardhësi i Pjetrit. Qindra mijëra njerëz që mishërojnë – secili - praninë e dukshme të Zotit, i cili nga ana e Tij, pret të bëhet i dukshëm në çdo vështrim të tyre. Qindra mijëra njerëz, të cilët, nga ana e tyre, i kthejnë pasardhësit të Pjetrit dhe gjithë Kishës forcën e Popullit të Hyjit.

Në këtë takim vështrimesh, dobësish dhe feje jeton misteri i Kishës, që Zoti ua ka besuar Pjetrit dhe pasardhësve të tij; këtu gjen vend edhe misteri i “munus” pjetrin, që e bën Kishën të fortë, pavarësisht nga vështirësitë, nëpër të cilat ka kaluar dhe kalon gjithmonë.

Papa Françesku foli për këtë gjatë konferencës për shtyp në avion. Kur, në përgjigje të një pyetje lidhur me tundimet skizmatike, tha se nuk ka frikë dhe se beson tek lutja. Kur foli për besimin e popullsisë mozambikane, malgashe dhe mauriciane. Kur shpjegoi çfarë e bëri krishterimin të përhapet dhe të zhvillohet: jo prozelitizmi, por dashuria për njëri-tjetrin, bashkimi në një gjë të vetme.

Jezusi foli për këtë gjatë Darkës së Mbrame, duke iu drejtuar Pjetrit në situatën dramatike të atyre orëve, të cilat i paraprinë vdekjes dhe ringjalljes së Tij, dhe pasuan festën e turmës në Jeruzalem, që e kishte mirëpritur si mbret. E bëri këtë, duke sqaruar se forca e Pjetrit dhe e pasardhësve të tij, ajo që e ruan Kishën nga portat e ferrit, është në lutjen për Pjetrin, që vetë Jezusi ia besoi Zotit Atë.

Siç e pati shpjeguar shën Gjon Pali II, fjalët e Jezusit (Lk 22,31-32) “pa dyshim, i referohen përmasës eskatologjike të Mbretërisë së Hyjit, kur apostujt do të thirren për të ‘gjykuar dymbëdhjetë fiset e Izraelit’ (Lk 22,30). Por ato kanë vlerë edhe për fazën e saj aktuale, për kohën e Kishës këtu në tokë. Dhe kjo është kohë prove”... Këto fjalë shërbejnë “edhe për të na nxitur të shohim në dritën e Hirit Hyjnor, zgjedhjen, misionin dhe vetë pushtetin e Pjetrit. Çka i premton dhe i beson Jezusi vjen nga Qielli, dhe i përket – e duhet t’i përkasë - Mbretërisë së Qiellit” (Audienca e përgjithshme, e mërkurë, 2 dhjetor 1992).

11 shtator 2019, 13:21