Mbledhja e Komitetit për Vëllazërimin Njerëzor Mbledhja e Komitetit për Vëllazërimin Njerëzor 

Në Shtëpinë e Shën Martës, mbledhja e parë e Komitetit për Vëllazërimin Njerëzor

Françesku përshëndeti dhe inkurajoi anëtarët e Komitetit të Lartë, ngritur për të zbatuar objektivat e Dokumentit për Vëllazërimin Njerëzor, të nënshkruar nga Papa së bashku me Imamin e Madh të Al-Azharit, Al-Tayyib, në Abu Dabi, më 4 shkurtin e kaluar. Pjesëmarrësit e takimit u lutën për viktimat e 11 shtatorit dhe të çdo akti terrorizmi.

R.SH. - Vatikan

Sot në mëngjes, 11 shtator 2019, në ora 8.30, në Shtëpinë e Shën Martës, në Vatikan, u mbajt mbledhja e parë e Komitetit të Lartë për arritjen e objektivave të Dokumentit mbi Vëllazërimin Njerëzor për paqen botërore dhe bashkëjetesën, themeluar gushtin e kaluar. 11 shtatori u zgjodh si shenjë e vullnetit për të ndërtuar jetën dhe vëllazërimin, aty ku të tjerët mbollën vdekjen dhe shkatërrimin, 18 vjet më parë, me sulmin terrorist kundër Kullave Binjake në Nju Jork.

Përbërja e Komitetit

Komiteti përbëhet nga 7 anëtarë. Selia e Shenjtë përfaqësohet nga imzot Miguel Ángel Ayuso Guixot, president i Këshillit Papnor për Dialogun Ndërfetar, dhe nga imzot Yoannis Lahzi Gaid, Sekretar i veçantë i Atit të Shenjtë. Universiteti Al-Azhar merr pjesë me përgjegjësin e tij, Dr. Mohamed Husin Abdelaziz Hassan, dhe Mohamed Mahmoud Abdel Salam, gjykatës dhe ish-këshilltar i Imamit të Madh, Al-Tayyib. Emiratet e Bashkuara Arabe përfaqësohen nga Mohamed Khalifa Al Mubarak, Kryetar i “Abu Dhabi Culture”, Yasser Saeed Abdulla Hareb Almuhairi, shkrimtar dhe gazetar, dhe nga Sultan Faisal Al Khalifa Alremeithi, Sekretar i Përgjithshëm i Këshillit të Pleqve Myslimanë.

Fjalët dhe dhuratat e Papës

Ati i Shenjtë përshëndeti anëtarët dhe përgjegjësit e sekretarisë së Komitetit dhe u dhuroi anëtarëve një kopje të Dokumentit për Vëllazërimin Njerëzor, realizuar nga Biblioteka Apostolike e Vatikanit. Më pas, u drejtoi disa fjalë mirënjohjeje dhe inkurajimi anëtarëve të Komitetit, “artizanë të vëllazërimit”, që të jenë në zanafillën e një politike të re, “jo vetëm të dorës së shtrirë, por të zemrës së hapur”.

Emërimet

Pasi u prit nga Zëvendësi i Sekretarisë së Shtetit, imzot Edgar Peña Parra, Komiteti u kthye në Shtëpinë e Shën Martës për të filluar punën. Gjatë seancës u emëruan presidenti, imzot Miguel Angel Ayuso Guixot, dhe sekretari, Mohamed Mahmoud Abdel Salam, si dhe anëtarët e Komisionit Ekzekutiv, imzot Yoannis Lahzi Gaid, Yasser Saeed Abdulla Hareb Almuhairi dhe Sultan Faisal Al Khalifa Alremeithi. Përveç kësaj, u shqyrtua teksti i Statutit, që do të rregullojë punën e Komitetit. Komiteti shprehu mirënjohjen e tij për Papën Françeskun, për mikpritjen dhe inkurajimin, si edhe për mesazhin e Imamit të Madh, Al-Tayib e për mbështetjen e Lartmadhërisë së Tij Muhamad Ben Zaid.

Hapat e para

U përcaktuan disa hapa konkrete për të filluar veprimtarinë. Ndërmjet tyre, propozimi për Kombet e Bashkuara, që të shpallë një Ditë ndërkombëtare për Vëllazërimin Njerëzor ndërmjet 3 dhe 5 shkurtit, si edhe vendimi për t’u propozuar disa përfaqësuesve të feve të tjera që të marrin pjesë në Komitet. Së fundi, takimi tjetër u caktua për 20 shtator 2019 në Nju Jork. Mbledhja përfundoi në orën 13:00 dhe secili u lut sipas besimit të tij për viktimat e 11 shtatorit dhe të çdo akti tjetër terrorist.

11 shtator 2019, 16:47