Kërko

2018.08.20 Madre Teresa di Calcutta 2018.08.20 Madre Teresa di Calcutta 

Kisha katolike kremton festën e Shenjtes Nënë Terezë, Ganxhe Bojaxhiut

Më 5 shtator Kisha katolike kremton festën liturgjike të Shenjtes Nënë Terezë, që përkon edhe për vjetorin e ditës së kalimit të Ganxhe Bojaxhiut në amshim, 5 shtator 1997. Kush jeton në Zotin që në këtë tokë, tërhiqet e shndërrohet nga vezullimi i fytyrës së Tij Hyjnore. Këtë na dëshmon jeta dhe vepra e Nënë Terezës, të cilën Kisha përmes festës së saj liturgjike na e paraqet si shembujt të ndritur dhe na fton ta ndjekim në jetën tonë të përditshme.

R.SH. - Vatikan

Më 5 shtator Kisha katolike kremton festën liturgjike të Shenjtes shqiptare Nënë Terezës. Kjo e kremte perkon edhe me ditën e 5 shtatorit  1997, kur Themeluesja e Motrave Misionare të Dashurisë dhe të Vëllezërve të Bamirësisë, Shenjtja Nënë Terezë, kur u kthye në shtëpinë e Atit Qiellor.

Bota mbarë e nderon gruan, Nënë Terezën që ia kishte mjekuar plagët të varfërve e të sëmurëve të braktisur të shoqërisë bashkëkohore, duke shkelur personalisht në të katër skajet e globit, me sandalet e vjetra të rregulltares dhe me moton e pamort të Krishtit: "Në se i jepni një pikë, ujë njërit prej këtyre të vegjëlve të mi, ma keni dhënë mua!" Kudo shkoi, Shenjta Nënë Terezë u përpoq të shuante pikërisht etjen e Krishtit, etjen për Krishtin! Papa Shën Gjon Pali II, që e vlerësoi, madje e admiroi dhe e ndihmoi vazhdimisht, e quajti Nënë Terezën "dhuratë e Zotit për Kishën e për botën", për t'u kujtuar kështu të gjithëve se dashuria Ungjillore qëndron mbi të gjitha vlerat, posaçërisht kur gjen shprehjen e vet në shërbimin që i bëhet më të përbuzurit e nëpërkëmburit ndërmjet vëllezërve e motrave tona.

Papa Françesku gjatë homelisë së Meshës së kanonizimit – shenjtërimit të Ganxhe Bojaxhiu, më 4 shtator 2016, në Sheshin e Shën Pjetrit në Vatikan, mes tjerash tha: “Nënë Tereza, në gjithë jetën e saj, qe bujare e shpërndarëse e mëshirës hyjnore, duke qenë gjithnjë e gatshme për të gjithë, përmes mirëpritjes e mbrojtës së jetës njerëzore, jetës së braktisur e të flakur tutje. U angazhua në mbrojtje të jetës, duke theksuar vazhdimisht se “kush nuk ka lindur akoma, është më i ligshti, më i vogli, më i mjeri” e duke ua njohur dinjitetin, që ua jep vetë Zoti; e ngriti zërin aq, sa të dëgjohej nga të pushtetshmit e tokës, që t’i pranonin fajet përballë krimit të varfërisë së krijuar prej tyre. Mëshira për të ishte “kripë” që i jepte shije çdo vepre, ishte “dritë”, që ndriçonte errësirën e njerëzve, të cilët nuk kishin më as lot për të qarë mbi varfërinë e tyre, mbi vuajtjen e tyre.

Misioni i saj në rrethinat e qyteteve e në periferitë ekzistenciale, mbetet, në ditët tona, dëshmi që flet vetë për afërsinë e Zotit pranë të varfërve më të varfër. Sot - tha Papa Françesku - po ia dorëzoj këtë figurë simbolike gruaje e rregulltareje mbarë botës së vullnetariatit; le të jetë Ajo modeli juaj i shenjtërisë! Kjo veprimtare e palodhur e mëshirës na ndihmoftë ta kuptojmë gjithnjë më mirë se i vetmi kriter i veprimtarisë është dashuria pa shpërblim, e lirë nga çdo ideologji e nga çdo lidhje, që u përket të gjithëve, pa dallim gjuhe, kulture, race, feje. Nënë Terezës i pëlqente të thoshte: “Ndoshta nuk e flas gjuhën e tyre, por mund t’u buzëqesh”.

Ta mbajmë në zemër buzëqeshjen e saj e t’ua dhurojmë atyre, që takojmë në udhën tonë, posaçërisht njerëzve, që vuajnë. Do të hapim, kështu, horizontet e gëzimit e të shpresës për mbarë njerëzimin, që e ka humbur besimin e ka shumë nevojë për mirëkuptim e dhembshuri!”.

Me rastin e festës liturgjike që Kisha kremton sot me 5 shtator e që  përkon edhe me pervjetorin e kthimit të Nënë Terezës në shtëpinë e Atit Qiellor, pa u ndaluar tek imtësitë e jetëshkrimit të saj, që sot rikujtohet kudo, po e kujtojmë këtë gjigante të fesë, të dashurisë e të bamirësisë me fjalët e Shën Gjon Palit II:  

"Nënë Tereza e Kalkutës është shembull i jashtëzakonshëm i misionit të heshtur të bamirësisë, që lind nga kundrimi i përhershëm i Krishtit në kryq, dëshmitare e paharrueshme e dashurisë, që gjeti shprehjen e vet konkrete në shërbimin e vazhdueshëm ndaj vëllezërve më të varfër e më të braktisur. Në fytyrat e të mjerëve, Nënë Tereza pa fytyrën e Jezu Krishtit i cili, nga lartësia e kryqit, vijon të dihasë: "Kam etje!". E ajo iu përgjigj kësaj dihame klithje, që dilte prej buzëve të shkrumbuara nga etja të Zotit Krisht mbi Kryq, duke ia dhuruar vetveten njerëzve të varfër, të braktisurve, të vuajturve, të vetmuarve, atyre që vdisnin rrugësh.

Duke ecur, pa u lodhur kurrë, nëpër rrugët e botës, Nënë Tereza la gjurmë të pashlyeshme në historinë e shekullit kur jetoi: mbrojti gjithnjë e kudo, me një guxim të pashoq, jetën e dinjitetin e njeriut; atyre që shtypeshin nën barrën e rëndë të padrejtësisë e të harresës nga bota, u dha vetëdijen se nuk ishin të tepërt e të refuzuar, por se ishin të zgjedhurit e Zotit, Atit të gjithëpushtetshëm, plot dashuri e mëshirë për të gjitha krijesat e veta. Nënë Tereza e dëshmoi Ungjillin e dashurisë, që ushqehet me dhurimin pa asnjë kusht të vetvetes,  deri në grahmën e fundit. Kështu do ta kujtojmë gjithmonë, duke iu lutur të ndërmjetësoi për ne e nevojat tona pranë Atit qiellor. Sot shembulli i shkëlqyer i shërbimit të saj bamirës është bërë burim frymëzimi për familjen e saj shpirtërore, për Atdheun e saj, për Kishën e mbarë njerëzimin!”.

Kështu u shprehen Papët e Romës e jo vetë ata, e ne sot, në kremtimin e festës liturgjike e shikojmë Shenjten Nënë Terezë me emocion të thellë e cila nga elteri nga na porosit:

“Duajeni njëri-tjetrin, ashtu si Zoti do secilin prej jush dhe lutuni… lutuni e silleni lutjen brenda familjes, sepse familjet që luten së bashku, qëndrojnë të bashkuara. E nëse njerëzit qëndrojnë bashkë, ato do ta duan njëri-tjetrin, ashtu si Zoti e do secilin".

”Kisha është Korpi i Krishtit, është Nëna jonë”, thoshte Nënë Tereza duke i ftuar të gjithë e posaçërisht ne sot :”ta dhurojmë vetveten me Krishtin e për Krishtin. Lëreni Atë të shohë me sytë tuaj, të flasë me gojën tuaj, të punojë me duart tuaja, të ecë me këmbët tuaja, të mendojë me kokën tuaj dhe të dojë me zemrën tuaj. Ai na fton që ne ta duam njëri-tjetrin, ashtu si na deshi Ai, deri në dhembje.

Nuk na lejohet të themi “E dua Zotin, por nuk e dua fqinjin”. Si mund ta duash Zotin, që nuk e sheh, nëse nuk e do fqinjin, që e sheh, e prek, jeton me të?  Përpiquni ta çoni Zotin në familje, sepse familjet që luten së bashku qëndrojnë së bashku. Mendoj se ne, në familjen tonë, nuk kemi nevojë për bomba apo armë që ta shkatërrojmë ose ta sjellim paqen – duhet veç të rrimë bashkë, ta duam njëri-tjetrin, të sjellim në shtëpitë tona paqen, gëzimin, fuqinë e pranisë së Zoti”.

Kundrim e veprim, ungjillëzim e përparim njerëzor: Nënë Tereza e kumtoi Ungjillin me jetën e saj të cilën ua dhuroi plotësisht të varfërve, e njëkohësisht lutjes drejtuar Zotit. Në përfundim të këtij përkujtimi liturgjik, t’i bëjmë tonat fjalët e Papës Wojtila për Nënë Terezën, shqiptuar në homelinë e Meshës së Lumnimit të saj në Vatikan më 19 tetor 2003:“Ta lavdërojmë këtë grua të vogël, të dashuruar me Zotin, këtë lajmëtare të përvuajtur të Ungjillit e bamirëse të palodhur të njerëzimit. Në të nderojmë një nga personalitetet më të rëndësishme të epokës sonë. Ta pranojmë mesazhin ta ndjekim shembullin e saj”.

Kush takohet me Jezusin, kush lejon të tërhiqet prej Tij dhe është i gatshëm ta ndjekë deri në sakrifikimin e jetës, siç bëri e Lumja Nënë Terezë, ai njeri provon personalisht sikur ka bërë edhe Krishti se vetëm “kokrra e grurit” që bie në tokë e vdes sjell “shumë fryt” – tha Papa Gjon Pali II. Rruga e Krishtit është “rruga e dashurisë së plotë që fiton kundër vdekjes. Kjo është përvoja e jashtëzakonshme, e përjetuar nga e Lumja Nënë Terezë, Apostulle e Dashurisë, që e ndoqi Jezusin udhëve të mjerimit të njerëzit nëpër botë. Kush jeton në Zotin që në këtë tokë, tërhiqet e shndërrohet nga vezullimi i fytyrës së Tij Hyjnore. Këtë na dëshmon jeta dhe vepra e Nënë Terezës, të cilën Kisha përmes festës së saj liturgjike na e paraqet si shembujt të ndritur dhe na fton ta ndjekim në jetën tonë të përditshme.

Kjo është përvoja e miqve të vërtetë të Zotit, shenjtërit e posaçërisht Shentja Nënë Terezë, që ka njohur dhe dashur tek vëllezërit, veçanërisht tek më të varfërit dhe nevojtarët, tek të përbuzurit e të mënjanuarit e botës fytyrën e Atij Zoti, të cilin aq gjatë e ka kundruar me dashuri në lutje edhe Shenjta Nënë Terezë. Ajo është për ne shembull nxitës për t’u imituar; ajo na siguron se nëse ecim me besnikëri kësaj rruge ungjillore, rrugës së dashurisë, edhe ne – siç thotë Psalmisti – do të ngihemi me praninë e Zotit.”

Për sot kemi zgjedhur një lutje të Nënë Terezës drejtuar Zotit që të na ndihmojë të duam njëri-tjetrin kurdoherë: ‘Hapna sytë tanë, o Zot!”

O Zot, hapna sytë tanë, që të mund të shohim Ty
në vëllezërit e motrat tona.
Hapna veshët tanë, që t’i dëgjojmë thirrjet
e atij që ka uri, që ka të ftohtë e frikë,
të atij që është i shtypur dhe i përbuzur.
Hapna zemrën tonë, o Zot, që të mund të mësojmë
ta duam njëri-tjetrin
ashtu si na do Ti.
Përtërije vazhdimisht në ne, Shpirtin tënd, o Zot,
që të jemi të lirë e të bashkuar në emrin Tënd të shenjtë. Amen! 

05 shtator 2019, 13:18