2019.09.28 Migranti 2019.09.28 Migranti 

Dita Botërore e Migrantëve e Refugjatëve, 2019: "Nuk ёshtё fjala vetëm pёr emigrantë"

Papa: Është Jezusi, Ai që troket në portë, i uritur, i etur, i huaj, i zhveshur, i sëmurë e i burgosur, duke na kërkuar ta takojmë dhe ta ndihmojmë. E nëse kemi akoma ndonjë dyshim, ja fjalët e Tij, krejt të qarta: ‘Për të vërtetë po ju them: gjithçka bëtë për njërin nga këta vëllezërit e mi më të vegjël, e bëtë për mua’(Mt 25,40)”.

R.SH. - Vatikan

Nuk bëhet fjalë vetëm për emigrantë”: kjo, tema  e edicionit  të 105-të të Ditës Botërore të Emigrantit dhe Refugjatit, qё, kujtojmë u kremtua sot, të dielën, 29 shtator 2019.  Me këtë temë, Papa Françesku dëshiron të nënvizojë se thirrjet e tij të përsëritura janë në favor të emigrantëve, refugjatëve, personave të zhvendosur dhe të viktimave tё trafikimit, të cilët duhet të jenë objekt i vazhdueshëm i shqetësimit të thellë dhe të kujdesit të Kishës e të bashkësisë ndërkombëtare, pa harruar periferitë ekzistenciale.

Të uriturit, të eturit, tё huajt, të zhveshurit, të sëmurët dhe tё burgosurit, që trokasin në derën tonë sot, janё vetë Jezusi, i cili kërkon që këta persona të takohen dhe të ndihmohen. Siç tha Ati i Shenjtë Bergoglio, në predikimin e tij, mё 15 shkurt 2019, në Sacrofano, afër Romës: "Është me të vërtetë Ai [Jezusi], edhe atёherё kur sytë tanë janë tё lodhur për ta njohur praninё e Tij në migrantin a të varfërin: me veshjet e shqyera, me këmbët plot baltë, me fytyrën e deformuar, trupin e plagosur, i paaftë ta flasë gjuhën tonë".

“E bëtë për mua”, na thotë Jezusi

Kështu ndodh kur para nesh paraqiten emigrantët: njerëz të panjohur, të huaj, të ndryshëm, që kërkojnë mbrojtje, siguri e punë. Duket sikur kërcënojnë qetësinë e vendeve ku shkojnë, pasi qytetarët pritës nuk janë të përgatitur për këtë takim, nënvizoi Papa Françesku, në homelinё e Meshës kremtuar mё 15 shkurt 2019 nё Fraterna Domus të Sacrofano-s, me rastin e Takimit me temë “Të lirë nga frika”, organizuar nga Karitasi Italian, Fondacioni “Migrantes” dhe Qendra Astalli.

Nuk është e lehtë ta kuptosh tjetrin e kulturën e tij, posaçёrisht kur bёhet fjala pёr migrantё, por duhet ta kapërcejmë frikën e takimit me tjetrin, kushdo qoftё. Ka një plan hyjnor, të cilit duhet t’i besojmë, sepse Zoti nuk e braktis Popullin e vet.

“Takimi me tjetrin – pohon Papa Françesku – është edhe takim me Krishtin. Na e ka thënë Ai vetë. Është Ai, që troket në portë, i uritur, i etur, i huaj, i zhveshur, i sëmurë e i burgosur, duke na kërkuar ta takojmë dhe ta ndihmojmë. E nëse kemi akoma ndonjë dyshim, ja fjalët e Tij, krejt të qarta: ‘Për të vërtetë po ju them: gjithçka bëtë për njërin nga këta vëllezërit e mi më të vegjël, e bëtë për mua’(Mt 25,40)”.

Tek emigrantët, takojmë Krishtin

Të tjerët, që trokasin në portë, vijon Papa Françesku, janë pikërisht Krishti, të cilin nganjëherë nuk e njohim e kështu, biem viktima të frikës, por Ai nuk na braktis. Megjithëse nuk kemi shumë fe, Krishti vijon të na japë dorën “për të na shpëtuar e për të na lejuar ta takojmë; takim, që na shëlbon e na e rikthen gëzimin se jemi dishepuj të Tij”.

 “Kush ka pasur forcën të çlirohet nga frika – përfundoi Papa – kush e ka provuar gëzimin e këtij takimi, është i thirrur sot, ta kumtojmë këtë mbi çati, haptas, për t’i ndihmuar të tjerët të bëjnë të njëjtën gjë, duke u përgatitur për takimin me Krishtin e me shëlbimin e Tij”.

29 shtator 2019, 20:58