Kërko

Imzot Paul Richard Gallagher  në IAEA Imzot Paul Richard Gallagher në IAEA 

Çarmatimi bërthamor: Gallagher, mbështetje e Selisë së Shenjtë për veprimtarinë e IAEA-s

Sekretari i Vatikanit për Marrëdhëniet me Shtetet, imzot Paul Richard Gallagher, në Konferencën e 63-të të Përgjithshme të IAEA-s (Agjencia Ndërkombëtare e Energjisë Atomike): Selia e Shenjtë “mbështet” pjesëmarrjen e Agjencisë në monitorimin e çarmatimit të Iranit dhe përpjekjet e bashkësisë ndërkombëtare për rifillimin e negociatave lidhur me programin atomik të Koresë së Veriut, që “kërcënon regjimin e mospërhapjes” të armëve bërthamore.

R.SH. - Vatikan

Selia e Shenjtë rithekson “mbështetjen” e saj për “veprimtaritë e shumta” të IAEA-s, Agjencisë Ndërkombëtare të Energjisë Atomike, të cilat “kanë forcuar bashkëpunimin ndërkombëtar dhe kanë kontribuar ndjeshëm në parandalimin e përhapjes së armëve bërthamore dhe në promovimin e çarmatimit bërthamor”. Kështu foli dje në Vjenë, kryeipeshkvi Paul Richard Gallagher, Sekretar i Vatikanit për Marrëdhëniet me Shtetet, në Konferencën e 63-të të Përgjithshme të organizatës, së cilës i çoi përshëndetjet e Papës Françesku.

Zhvillimi i gjithanshëm njerëzor

         Veprimtaritë dhe strategjitë e Agjencisë, nënvizoi prelati, kontribuojnë edhe në mbështetjen e “zhvillimit të gjithanshëm njerëzor, duke promovuar bashkëpunimin teknik në shkencat bërthamore dhe në zbatimet e tyre”, si edhe “përdorimin paqësor të teknologjive bërthamore”. Në veçanti, imzot Gallagher u përqëndrua në rolin e shkencës dhe të teknologjisë në administrimin e Gjithësisë së krijuar nga Zoti. Projektet e bashkëpunimit teknik të IAEA-s në fushën e shëndetësisë, të përdorimit të ujit dhe të ambientit, në atë të ndryshimit të klimës, të sigurisë ushqimore dhe të bujqësisë, kanë kontribuar “në mënyrë të konsiderueshme në uljen e varfërisë dhe në rritjen e aftësive të vendeve” përkatëse për të arritur zhvillimin e qëndrueshëm. Imzot Gallagher bëri thirrje të vihet njeriu në qendër të politikës dhe të krijohen baza për dialog e bashkëpunim në të gjithë sektorët.

Irani dhe Koreja e Veriut

         Kryeipeshkvi kujtoi nënshkrimin dhe ratifikimin e Traktatit për ndalimin e armëve bërthamore nga Selia e Shenjtë, e cila, theksoi më tej, “mbështet pjesëmarrjen e IAEA-s në verifikimin dhe në kontrollin e angazhimeve të Iranit në kuadrin e Planit të Përbashkët të Veprimit të vitit 2015”. Kohët e fundit, Teherani dha sinjale se dëshiron t’i kapërcejë kufijtë e lejuar nga kjo marrëveshje. Gjithashtu, Vatikani mbështet përpjekjet e vazhdueshme të bashkësisë ndërkombëtare për rifillimin e negociatave mbi programin bërthamor të Koresë së Veriut, e cila kërcënon regjimin e mospërhapjes së armëve bërthamore.

Terapitë kundër tumorit

         Së fundi, Sekretari vatikanas për Marrëdhëniet me Shtetet u përqëndrua në strategjitë e organizatës së Vjenës, lidhur me Programin e Veprimit për Terapitë kundër kancerit. IAEA impenjohet në krijimin dhe në fuqizimin e programeve të radioterapisë, si edhe në formimin e personelit në këtë fushë, veçanërisht në shtetet anëtare, që nuk kanë shumë mundësi ekonomike.

17 shtator 2019, 14:29