Kërko

San Gregorio Magno San Gregorio Magno  (© Biblioteca Apostolica Vaticana)

Me 3 shtator, Kisha përkujton Shën Gregorin e Madh, Papë

Ishte i madh, sepse i përvujtë, Shën Gregorin e Madh, qe i pari që e quajti papën ‘Shërbëtor i shërbëtorëve të Hyjit”. Jeta e tij, që zgjati nga viti 540 deri në vitin 604, qe e jashtëzakonshme: në moshën 30 vjeçare u bë prefekt i Romës; murg më vonë; e më pas u zgjodh papë, pa dëshirën e vet. Ishte një papë që bashkoi aftësinë administrative, të fituar si nëpunës perandorak, me stilin kundrues e asketik të jetës oshënare.

R.SH. - Vatikan

Kalendari i Kishës romake, sot më 3 shtator, përkujton shën Gregorin e Madh, Papë e Doktor i Kishës ( lindi në vitin 540, ndërroi jetë në vitin 604). Figura e tij e veçantë, mund të themi unike, është shembull për të gjithë, si për barinjtë po ashtu dhe për nëpunësit e autoritetet e administratës civile, sepse shën Gregori Papë e jetoi autoritetin si shërbim, në një sintezë kundrimi dhe veprimi.

Shën Gregori Madh, që jetoi prej vitit 540 deri në 604 mbas Krishtit, në fillim qe Prefekt i Romës, kur ishte vetëm 30 vjeç, pastaj murg e në fund ipeshkëv e Papë. Si funksionar perandorak shën Gregori u dallua për aftësi administrative dhe dinjitet moral”, si murg u zgjodh nga Papa si përfaqësues i tij pranë Perandorit të Lindjes, duke mbajtur gjithmonë “një stil jete murgare, me thjeshtësi dhe varfëri”.  Në fund, i shpallur si mëkëmbës i Krishtit, pra Papë, shën Gregori kërkoi me çdo mënyrë t’i ikte atij emërimi, por iu deshtë të dorëzohej në fund dhe, pasi la kuvendin murgar, iu kushtua bashkësisë kishtare, i vetëdijshëm se po përmbushte një mision e detyrë dhe se ishte thjeshtë “një shërbëtor i shërbëtorëve të Zotit. Pra, ishte i madh, sepse i përvujtë, Shën Gregorin e Madh, qe i pari që e quajti Papën ‘Shërbëtor i shërbëtorëve të Zotit”.

Ishte një Papë që bashkoi aftësinë administrative, të fituar si nëpunës perandorak, me stilin kundrues e asketik të jetës oshënare. Gregori i Madh shkruante kështu: “Jeta e bariut të shpirtrave duhet të jetë sintezë e drejtpeshuar e kundrimit dhe e veprimit, e frymëzuar nga dashuria, që prek majat e larta kur përkulet plot mëshirë mbi shqetësimet e thella të të tjerëve. Aftësia për t’u përkulur para mjerimit të tjetrit, është masa e forcës së sulmit drejt lartësisë”. (II,5)

“Nuk është me të vërtetë i përvuajtur — shkruante shën Gregori — ai që kupton se duhet të jetë në udhëheqje të tjerëve në saje të vullnetit Hyjnor dhe megjithatë e përçmon këtë punë të dorës së parë, këtë epërsi. Por përkundrazi, nëse u nënshtrohet udhëzimeve hyjnore dhe heqë dorë nga këmbëngulja e vet dhe është i pajisur me ato dhanti me të cilat mund të ndihmojë të tjerët, kur i caktohet dhe imponohet posti më i lartë i qeverisjes së shpirtrave, ai edhe pse me zemër duhet t’i shmanget pushtetit, por edhe pse është kundër dëshirës personale, duhet t’i bindet, pra të jetë i dëgjueshëm kur pushteti është për të mirët e tjerëve dhe të përbashkët.” (Rregulli baritor, I, 6)

Shën Gregori i pa pushtimet barbare të kohës së tij me besim. Me një largpamësi profetike, Gregori kuptoi se një qytetërim i ri po lindte nga trashëgimia romake dhe të ashtuquajturit “barbarë”, falë forcës bashkuese dhe ngritjes morale të Krishterimit. Jeta murgare po shfaqej si një pasuri jo vetëm për Kishën por edhe për mbarë shoqërinë.

Shën Gregori i Madh Papë, ishte i ligësht nga shëndeti por i fortë nga bindjet morale, zhvilloi një veprimtari të gjerë baritore dhe qytetare. Është edhe autor i shumë ligjeve e kanuneve kishtare në fushën e liturgjisë, të këngës e muzikës së shenjtë, e në këtë fushë është e famshme reforma e tij e këngës liturgjike, që prej emrit të tij u quajt “kënga gregoriane”, përuroi Sakramentarin që bartë gjithnjë emrin e tij e që përbënë pjesën themelore të Mesharit Romak. La shumë shkrime me karakter baritor, shpirtëror, moral e predikime që formuan brezni të tëra të krishtera e posaçërisht në Mesjetë. 

Shën Gregori Madh, Papë u dallua për shenjtëri jete dhe mësime të mëdha doktrinore. Ai mëson se jeta e një bariu shpirtrash duhet të jetë një sintezë e drejtpeshuar e kundrimit dhe veprimit, e gjallëruar nga dashuria që “prek maja shumë të larta kur përkulet me mëshirë mbi të këqijat e rënda të të tjerëve. Aftësia e tij për t’u përkulur mbi mjerimin e njerëzve tjerë është masa e forcës së vrullit drejtuar nga lart”, nga Hyji. (II, 5), shkruan Shën Gregori.

03 shtator 2019, 09:34