Beata Vergine Maria Beata Vergine Maria 

Më 12 shtator Kisha katolike kremton festën e Emrit të Zojës Mari

Emri i Marisë i ka të gjitha kuptimet mrekullisht prekëse, që i jep feja jonë. Duke nisur nga Zoja e Lume e Zoja e Bekuar, te Virgjëra Shenjte, Zonja e Papërlyer, Nëna e Shëlbuesit, Mbretëresha e Qiellit, Ylli i dritës e mbarë epitetet, që Kisha ia këndon në Litani.

R.SH. - Vatikan

Festa e Emrit të Shenjtnueshëm të Marisë Virgjër nisi të kremtohej, me leje të Romës, në vitin 1513, në dioqezën spanjolle të Kuenkës. Papa Piu V e ndaloi këtë kremtim, që rifilloi nën Papninë e Sikstit V e, duke nisur nga viti 1671, u përhap edhe në vise të tjera. Me 12 shtator 1683, kur Gjon Sobieski me polakët e vet i shpartalloi turqit, që kishin rrethuar Vjenën, duke e kërcënuar keqas krishterimin, i Lumi Inoçenci XI e shtriu festën në mbarë Kishën universale, në shenjë falënderimi për ndërmjetësinë e Asaj, që e kishte emrin Mari. Si ditë festimi, u caktua 12 shtatori.

Po tё ndalemi te fjalët që na ofron Ungjilli, aty kemi fillin shpirtëror, që nis nga përshëndetja qё Engjëllit Tёnzot ia drejton Marisё Virgjër, fjalë qё Kisha i ka transmetuar nё uratën “Tё Falemi Mari”, tё cilën besimtarët e lusin në shekuj e deri në ditët tona.

Të falemi

Lavdi fillon me fjalët, që engjëlli Grabriel i drejton Marisë: “Të falem, o Hirplote! Zoti me ty!” (Lk 1,28). Në origjinalin greqisht, shën Luka thotë “kàire”, pra “gëzohu”, por në latinisht kjo pjesë e lutjes u shndërrua në “Të falemi”. Gjithsesi, duke marrë parasysh origjinalin, kuptohet fare mirë se ftesa për t’u gëzuar drejtuar Marisë, që ajo e pranoi dhe e realizoi plotësisht, na drejtohet edhe ne çdo ditë e sa herë e themi këtë lutje.

Mari, hirplote

Emri i Marisë, në lutje, ka të njëjtën peshë me fjalën “hirplote”, që i vjen pas. Në Ungjill, mungon emri, sepse është mbivënie e fjalës “hirplotë” (Kekaritoméne). Mari do të thotë hirplote, pra, plot me Shpirtin Shenjt, model për çdo të krishterë. Në emrin e Marisë është shkruar edhe fati i Virgjërës Shenjte. Nëse kemi parasysh origjinën egjipto-hebraike, kuptimi i emrit është “e dashur nga Zoti”. Rrënja egjiptiane “Myr” do të thotë “e dashur”, ndërsa ajo hebraike “yam” është shkurtim i emrit të Zotit “Iahvè”. Nëse shohim botën aramaike, domethënia e emrit “Mari” është “princeshë”, “zonjë e madhe”. Në të dyja rastet, emri përmbledh në vetvete gjithë misterin e asaj, që lindi Birin e Hyjit.

Në historinë e ekzegjezës, emri Mari shpjegohet në mënyra të ndryshme.
Disa rabinë, që e nxjerrin emrin Miriam nga rrënja MRR = ‘të jesh e hidhur’, mendojnë se Mari do të thotë Hidhërí. Nisen nga emri i Marisë, motrës së Mojsiut, së cilës iu ngjit ky emër, sepse pikërisht kur lindi, Faraoni nisi t’ua bënte hebrenjve jetën tejet të hidhur, duke ua mbytur fëmijët. 

Ky shpjegim mund të pranohet edhe prej të krishterëve, duke menduar se Maria pati dhimbje e hidhërime, që i kalojnë caqet e zemrës njerëzore. Po kemi edhe një shpjegim tjetër, duke u nisur nga fjala hebraishte MOREH- Mësuese e Zojë+YAM-det, pra mësuese e Zonjë e detit të këtij shekulli, të cilin Maria na ndihmon ta kapërcejmë, për të na prirë drejt qiellit.

Emri Mari shpjegohet prej hebraishtes edhe si “Vashë që resh nga qielli një shi hiresh”, sepse ajo vetë asht “shi hiresh”...

Cili prej këtyre shpjegimeve është më i vërteti? Ndoshta Provania na la në dyshim, sepse Emri i Marisë i ka të gjitha kuptimet mrekullisht prekëse, që i jep feja jonë. Duke nisur nga Zoja e Lume e Zoja e Bekuar, te Virgjëra Shenjte, Zonja e Papërlyer, Nëna e Shëlbuesit, Mbretëresha e Qiellit, Ylli i dritës e mbarë epitetet, që Kisha ia këndon në Litani. 

E pamundur t’i kujtosh të gjithë titujt, me të cilët përshpirtëria popullore e nderon Nënën e Virgjër të Krishtit. Vetëm në Napoli të Italisë besimtarët i luten me 250 tituj. E të gjithë përmblidhen në një emën të vetëm: Mari Në festën kushtuar “Emrit të Marisë” avokate e njerëzve pranë Zotit, urojmë të gjitha gratë që quhen Mari, duke kujtuar në mënyrë të veçantë, nënat dhe motrat tona, që mbajnë këtë emër.

12 shtator 2019, 11:42