Roger Schutz di Taize' Roger Schutz di Taize' 

Vëllai Roger i Taize-së, lutja e pajtimi i rinjve, shpresë për të ardhmen

Më 16 gusht, gjatë uratëve të mbrëmjes, vëllai Roger Schutz, themelues i Bashkësisë ekumenike të Taize-së, mbytej nga një e re me kufizime mendore. Shuhej, duke u lënë trashëgim të rinjve fjalët: “Bëni jetë të thjeshtë e rrini të bashkuar!”.

R.SH. - Vatikan

Më 16 gusht kujtojmë përvjetorin e vdekjes së Frère Roger Schutz, themeluesit të bashkësisë ekumenike të Taizé-së. “Do të këndoj në amshim mëshirën e Zotit!”. Dymbëdhjetë mijë zemra rrihnin njëherësh në Kishën e Pajtimit, të Taize-së, e miliona, të bashkuara  shpirtërisht me to, luteshin kështu 14 vjet më parë, me lutje të shkurtra e të përsëritura, siç i kish mësuar vëllai Roger Schutz, themelues i bashkësisë ekumenike të Taize-së. E ai u shua më 16 gusht 2005, pasi u ther, gjatë lutjes së mbrëmjes, nga një grua me aftësi të kufizuara mendore.

Dëshmitar i palodhshëm i Ungjillit të paqes e të pajtimit, Vëllai Roger Schutz qe pionier në rrugën e vështirë drejt bashkimit të dishepujve të Krishtit. Po Kisha kujton një periudhë shumë më të largët, se 14 vjetët e kaluara nga vdekja e Vëllai Roger, që diti të mësojë mijëra të rinj për të gjetur lumturinë në lutje, në takimin e tyre me Zotin. Mëse shtatëdhjetë vjet më parë, vëllai Roger themeloi një bashkësi, rreth së cilës u mblodhën të rinj nga mbarë bota, në kërkim të kuptimit të jetës. E ndonëse Themeluesi nuk është më mes të gjallëve, të rinjtë vijojnë të mblidhen në lutje, që organizohet nga Bashkësia e Taize-së, duke fituar përvojën e jashtëzakonshme të takimit me Zotin.

Pra Vëllai Roger Schutz, konsiderohet si një nga figurat më të mëdha të krishtera të shekullit XX. Me të dhe me sivëllezërit, që kanë të njëjtin vizion, Taize-ja u bë pikë takimi, vend thellimi në lutje e respekti për traditën e tjetrit. Ky përvjetor kujtohet edhe nga mijëra të rinjtë, që çdo vit vizitojnë Taize-në, duke dëshmuar në mënyrë bindëse se edhe sot e kësaj dite Mesazhi Ungjillor i Dashurisë së Zotit mund të ketë jehonë të thellë në zemrat njerëzore, në se nuk predikohet vetëm me fjalë, por edhe e sidomos,  me gjithë jetën e përditshme të njeriut. Vëllai Rozhe është provë e ringjalljes. Vdekja është reale e, në dukje, tejet e pushtetshme mbi botën tonë. Por jeta e vdekja e një njeriu, si Vëllait Rozhe, flasin vetë: na kujtojnë të gjithëve se jeta fiton mbi vdekjen.

Zoti është i bashkuar me çdo qenie njerëzore, pa asnjë përjashtim

Thellësisht i prekur, vëllai Alois Löser, pasardhës i caktuar nga vetë vëllai Roger, që më 1998, në krye të njëqind murgjërve të bashkësisë, kujtonte bindjen e parë, që i priu vëllait Roger në këtë udhë: “Zoti  është  i bashkuar me çdo qenie njerëzore, pa asnjë përjashtim”. Kështu fliste, dy vjet para vdekjes, në mars 2003, në një intervistë dhënë Octava dies, revistë e Qendrës Televizive të Vatikanit: “Mos kini frikë nga vdekja! Krishti është aty pranë, i padukshëm, por i bashkuar shpirtërisht me të gjithë, pa asnjë përjashtim”. Në këto fjalë jo vetëm disa njerëz, por mbarë Kisha e familja njerëzore gjejnë ndihmë, mbështetje, gëzim. Në një kohë kur kanë aq shumë nevojë për gëzim!

Që nga vitet shtatëdhjetë, shtegtimet mbi kodër vijojnë…

Çdo vit, qindra të rinj ngjiten mbi kodrinën, në zemër të Francës, për të jetuar një javë të veçantë: takime, këngë, lutje, heshtje me shijen e përvojës së Teze-së, që të nxisin vetvetiu të rizbulosh kuptimin e jetës. Në përfundim të lutjes, në Kishën e Pajtimit, ose të takimeve të tjera evropiane, vëllai Roger bisedonte shpesh me të rinjtë. Biseda që vijonin, e që vijojnë, nga viti, në vit…

Na prin besimi në Zotin e në të tjerët

“Në Taize shkohet, ashtu si shkohet pranë një burimi. Shtegtari ndalohet, shuan etjen e pastaj vijon udhën”. Janë fjalët e një shtegtari jo të zakonshëm, këto. I pati shqiptuar Gjon Pali II, edhe ai shtegtar mbi kodrinën e Borgonjës franceze, më 5 tetor të vitit 1986. E s’ka fjalë më të gjetura për ta përshkruar thirrjen e bashkësisë ekumenike, themeluar më 1940 nga Roger Schutz, asokohet 25 vjeçar, i cili që nga vitet shtatëdhjetë  vijoi të priste e të përcillte mijëra të rinj të krishterë nga mbarë bota, të joshur nga lutja e bërë me këngë melodioze, me pak fjalë e me shumë heshtje. E të tërhequr fort nga jeta komunitare e vëllezërve të burrit imcak, që u shua duke lënë pas jehonën e fjalëve optimiste: “Kur e jetojmë besimin në Zotin e në të tjerët, mund të ecim me guxim përpara, sepse nuk shkojmë drejt dënimit, as të provës, por drejt paqes e mirësisë së zemrës!”.

16 gusht 2019, 12:38