Kërko

 Simbol i familjes Simbol i familjes 

Tri vjet më parë u themelua Dikasteri për laikët, familjen, jetën

Dikasteri, themeluar më 2016, ka kompetencat, që më parë i përkisnin Këshillit Papnor për Laikët dhe Këshillit Papnor për Familjen, të cilët pushuan së funksionuari.

R. SH. - Vatikan

Kanë kaluar tri vjet nga publikimi i Letrës apostolike “Sedula Mater”, në formë Motu Proprio, me të cilën Papa Françesku themeloi Dikasterin për laikët, familjen, jetën.

Letra Apostolike “Sedula Mater”

“Kisha, nënë e zellshme - lexohet në tekst - pati gjithnjë, gjatë shekujve, kujdes të veçantë për laikët, familjen e jetën, duke shprehur, kështu, dashurinë e Shëlbuesit për njerëzimin. Marrim, prandaj, masa, që dikasteret e Kuries Romake t’u përshtaten situatave të kohës sonë dhe nevojave të Kishës universale. Posaçërisht, mendojmë për laikët, familjen, jetën, duke dëshiruar t’u ofrojmë mbështetje e ndihmë, që të jenë dëshmi aktive e Ungjillit në kohën tonë si dhe shprehje e mirësisë së Shëlbuesit”.

Kompetencat dhe veprimtaritë

“Dikasteri - na kujton statuti - është kompetent për ato çështje, që i përkasin Selisë Apostolike lidhur me promovimin e jetës dhe apostullimin e besimtarëve laikë, me kujdesin baritor të të rinjve, të familjes e të misionit të saj, sipas planit të Zotit si dhe me mbrojtjen dhe kujdesin ndaj jetës njerëzore”. Ndërmjet veprimtarive të posaçme të Dikasterit, janë edhe ato, që kanë të bëjnë me promovimin dhe organizimin e kuvendeve  ndërkombëtare dhe nismave të tjera, të cilat i përkasin apostullimit të laikëve, të të rinjve, institucionit martesor e realitetit të familjes e të jetës në kuadrin kishtar, ashtu si edhe ato, që kanë bëjnë me jetën njerëzore në shoqëri. I takon dikasterit edhe të frymëzojë e të gjallërojë “promovimin e thirrjes e të misionit të besimtarëve si laikë, të martuar ose jo, në Kishë e në botë, e edhe si anëtarë të shoqatave, lëvizjeve  e bashkësive”. Dikasteri favorizon edhe dëshirën e familjeve për bijësim, për t’ua besuar fëmijët dhe kujdesin për të moshuarit, duke qenë i pranishëm pranë institucioneve civile, që t’i mbështesin këto praktika”.

Dikasteri dhe Akademia Papnore për Jetën

Prefekti është kardinali Kevin Farell, i lindur më 2 shtator të vitit 1947, në Dublin të Irlandës, i shuguruar meshtar më 24 dhjetor 1978. Sekretar është atë Alexandre Awi Mello. Dikasteri ka lidhje të drejtpërdrejtë me “Institutin Papnor Teologjik Gjon Pali II për Shkencat e Martesës dhe të Familjes”. Me këtë Dikaster lidhet edhe Akademia Papnore për Jetën.

17 gusht 2019, 18:51