Kërko

15 agosto assunzione Maria al cielo, Madonna Assunta 15 agosto assunzione Maria al cielo, Madonna Assunta  

Solemniteti i të Ngjiturit të Marisë në Qiell, mister shprese e gëzimi për të gjithë.

Kremtojmë Të Ngjiturit e Zojës Mari në Qiell, por edhe kulmin e gushtit. Është një britmë që dëgjohet nga Qielli, që na kujton se, në sa jemi ende në tokë, nuk duhet ta harrojmë cakun, sepse kur shtegtari harron për ku është nisur, humbet rrugën. Ndërsa kur kujton cakun, shtegton me gëzim, sepse e di mirë që në fund të udhës është një shtëpi, që e pret.

R.SH. - Vatikan

Solemniteti i të Ngjiturit të Zojës në Qiell është një nga festat më të dashura për devocionin popullor. Kujtojmë se në këtë festë të të Ngjiturit të Virgjërës Mari në Qiell me shpirt e korp, ashtu siç ka besuar gjithnjë Kisha, që nga zanafilla e saj e ashtu si, më pas, Papa Piu XII e shpalli solemnisht më 1 nëntor 1950. Festa e sotme është ftesë për t’i lartuar sytë drejt amshimit, për shikuar lart e për të kujtuar se jeta e njeriut nuk mbaron këtu poshtë; jeta nuk përfundon me të sotmen; jeta tokësore shkon drejt jetës së pasosur, që përplotëson gjithçka e përmban kuptimin e gjithçkaje. Jeta është shtegtim. Është e pasosur.

Ajo, Virgjëra Mari më e përvuajtura ndërmjet krijesave, për virtyt të Krishtit, arriti në cakun e mbramë të shtegtimit tokësor; është tashmë në lumninë e Trinisë. Prandaj Maria, Nëna jonë, Zoja e Bekuar, shkëlqen për ne si shenjë e sigurtë shprese. Është Nëna e shpresës; në ecjen tonë, në udhën tonë, ajo është Nëna e shpresës. Është edhe Nëna që na ngushëllon, Nëna e ngushëllimit e Nëna, që na shoqëron në sa jemi përudhë.

Kështu, me solemnitetin e të Ngjiturit të së Lumes Mari Virgjër në Qiell, duhet të mësojmë për t’u bërë edhe ne shenja shprese e ngushëllimi, përballë shfaqjes së trishtuar të gëzimit të rremë e njëkohësisht të një dhimbjeje plot ankth, që vërshon mbi botën bashkëkohore, e një nxitje për ta kumtuar me jetën tonë, ngjalljen e Krishtit! Me këto fjalë shprehet bukur domethënia e solemnitetit të të Ngjiturit të Zojës në Qiell. Festa e të Ngjiturit të së Lumes Mari Virgjër në Qiell, na kujton Kisha, na nxit të ngjitemi bashkë me Marinë në lartësitë e Shpirtit Shenjt, ku thithet ajri i pastër i jetës së mbinatyrshme e kundrohet bukuria më e vërtetë, që është shenjtëria.

Të ngjiturit e Marisë me korp e me shpirt në qiell – na kujton liturgjia e festës – është ngjarje e pashembullt dhe e jashtëzakonshme, që e mbush me shpresë e me lumturi zemrën e çdo njeriu. Kështu Zoja e Bekuar bëhet shenjë shprese e ngushëllimi. Kjo festë na nxit t’i lartojmë sytë drejt qiellit; një qielli që nuk është i bërë nga ide abstrakte, e as një qielli imagjinar, krijuar nga arti, por qiellit të realitetit të vërtetë të Hyjit. Hyji është qielli, Hyji është caku nga vijmë e ku dëshirojmë të shkojmë.

Kur Maria ra në gjumë në këtë botë, për t’u zgjuar në qiell s’bëri tjetër, veçse ndoqi për herë të fundit Birin e vet, Jezusin, në shtegtimin e tij më të gjatë e përfundimtar. Si Jezu Krishti, e së bashku me Të, u nis nga kjo botë, për t’u kthyer në shtëpinë e Atit Hyjnor. E gjithë kjo nuk është larg nga ne, siç duket në çastin e parë, sepse të gjithë jemi bij të Hyjit, të gjithë jemi vëllezër të Jezusit e të gjithë jemi edhe bij të Marisë, Nënës sonë. E të gjithë priremi drejt lumturisë. E lumturia, që të gjithë e dëshirojmë, është Hyji, kështu të gjithë jemi në shtegtim drejt kësaj lumturie, të cilën e quajmë qiell e që është Hyji. T’i lutem Marisë – na fton sot Kisha - të na ndihmojë që çdo hap i jetës sonë të jetë një hap para në shtegtimin drejt Hyjit, drejt këtij shndërrimi që ka të bëjë me çdo njeri e me mbarë gjithësinë.

Ajo, nga e cila Zoti u mishërua, me shpirtin e shporuar nga shpata mbi Kalvar të Krishtit, qe e para që provoi misterin e këtij shndërrimi, drejt të cilit shkojmë të gjithë, edhe ne shpesh herë të shporuar nga shpatat e vuajtjeve të kësaj bote. Eva e re ndoqi pas Adamin e ri në vuajtje, në mundime e edhe në gëzimin përfundimtar. Krishti është fryti i parë, por korpi i tij i Ngjallur nuk mund të ndahet nga ai i Nënës së Tij tokësore, Marisë, e në Të, gjithë njerëzimi përfshihet në Ngjitjen drejt Hyjit.

Është ky një shndërrim në të cilin përfshihet mbarë gjithësia, sepse do të lindë një qiell i ri e një tokë e re, në të cilën nuk do të ketë më lot, as vaj e as vdekje. Ç’mister i madh dashurie na propozohet përsëri sot në këtë festë për kundrim! Krishti fitoi mbi vdekjen me gjithëpushtetin e dashurisë. Vetëm dashuria është e gjithëpushtetshme e të bën të hysh në mbretërinë e jetës. Maria hyri atje pas të Birit Jezus, e shoqëruar nga lumnia e Saj, pasi qe shporuar nga mundimet, duke lënë pas udhën e hapur për të gjithë ne.

E prandaj sot e quajmë ‘Porta e qiellit’, ‘Mbretëresha e Engjëjve’ e ‘Streha e mëkatnorëve’. Sigurisht nuk janë gjykimet që na bëjnë t’i kuptojmë këto realitete tejet të larta, por feja e thjeshtë, e kulluar, e thellë dhe heshtja e lutjes, që është shumë më e fuqishme se ne vetë e që na ndihmon të flasim drejtpërdrejtë me Zotin. T’i lutemi Marisë – na fton gjithnjë Kisha - të na japë dhuratën e fesë, të asaj feje që të bën të jetosh që tani në përmasën ndërmjet sosjes së jetës e jetës së pasosur, asaj feje që shndërron edhe ndjenjën e kohës.

Duke parë Zojën e Ngjitur në Qiell, e kuptojmë më mirë se jeta jonë e përditshme, ndonëse plot me prova e vështirësi, rrjedh si lumë drejt oqeanit hyjnor, drejt gëzimit e paqes së përkryer. Kuptojmë se vdekja jonë nuk është fundi, por hyrja në jetën që nuk njeh mort. Perëndimi ynë në horizontin e kësaj bote, është agim në botën e re, në ditën e amshuar. Pra, Kisha na kujton se nga Parajsa, Zoja e Bekuar vijon t’i ndihmojë bijtë, që ia besoi Jezusi, para se të vdiste në kryq, posaçërisht në çastet e vështira të provës.

Sa dëshmi të kësaj mbrojtjeje amtare vërtetohen duke vizituar Kishat e Shenjtëroret që i kushtohen Asaj kudo në botë e po kështu edhe në viset shqiptare! Zoja e ngjitur në qiell na tregon cakun e fundit të shtegtimit tonë tokësor. Na kujton se gjithë qenia jonë – shpirt e korp – është e paracaktuar për jetën e vërtetë; se kush jeton e vdes duke dashur Zotin e të afërmin, do të shndërrohet sipas shëmbëlltyrës së trupit të lumnuar të Krishtit të ngjallur; se Zoti i përul krenarët e i larton të përvujtit (cfr Lk. 1, 51-52). Këtë Zoja e Bekuar e shpall në amshim me misterin e të Ngjiturit të saj në Qiell.

Qofsh e lavdëruar përgjithmonë e jetës, o Virgjëra Mari. Lute Zotin për ne!. Në këtë festë, pra, t’i lutemi Marisë të na shoqërojë në mundimin e jetës sonë të përditshme e të vdekjes sonë, duke na ndihmuar të drejtohemi gjithnjë drejt atdheut të lumnive hyjnore.

14 gusht 2019, 16:55