2018.10.20 S.E. Sig. Truong Hoa Binh Vice Primo Ministro Repubblica Socialista Vietnam 2018.10.20 S.E. Sig. Truong Hoa Binh Vice Primo Ministro Repubblica Socialista Vietnam 

Takimi VIII i Grupit të Punës ndërmjet Selisë së Shenjtë dhe Vietnamit

Mbahet në Vatikan, nesër më 21 e pasnesër më 22 gusht, Takimi VIII i Grupit të Punës ndërmjet Selisë së Shenjtë dhe Republikës Socialiste të Vietnamit, kështu njoftoi sot salla e shtypit të Vatikanit. Qëllimi i takimit është të zhvillojë dhe thellojë marrëdhëniet bilaterale.

R.SH. - Vatikan

Do të mbahet në Vatikan, nesër më 21 e  pasnesër më 22 gusht, siç ishte rënë dakord më parë, Takimi VIII i Grupit të Punës ndërmjet Selisë së Shenjtë dhe Republikës Socialiste të Vietnamit, kështu njofton sot drejtori i sallës së shtypit të Vatikanit, Matteo Bruni.

"Takimi VIII ka për qellim t’i thellojë e t’i zhvillojë më tej marrëdhëniet dypalëshe", duke vijuar udhën e hapur nga Takimi VII i Grupit të Punës, mbajtur në Vatikan në dhjetor  2016 e, më pas, me rastin e vizitës së Hà Kim Ngoc, zëvendës-ministër i Punëve të Jashtme të Vietnamit, në  Vatikan, në gusht 2017 dhe asaj të imzot Camillerit në Ha Noi, në janar 2018, si dhe të vizitës së kryeministrit të Vietnamit,  më 20 tetorin e kaluar, në Vatikan, ku u prit në audiencë nga Papa Françesku.

Gjatë këtij takimit, në veçanti, "do të trajtohen edhe disa aspekte të jetës kishtare në Vietnam, si dhe çështje që kanë të bëjnë me statusin e misionin e Përfaqësuesit Papnor Rezident në Viet Nam dhe me vizitën e Sekretarit të Shtetit të Vatikanit, Kardinalit Pietro Parolin në këtë vend, e cila është planifikuar në një të ardhme të afërt. Delegacioni Vietnamez do të kryesohet nga Zëvendës Ministri i Punëve të Jashtme, S.E. Z. To Anh Dung, ndërsa ai i Selisë së Shenjtë nga Nënsekretar për Marrëdhëniet me Shtetet, Imzot Antoine Camilleri".

Dialog e bashkëpunim

Po kujtojmë se më 24 nëntor të vitit 2016, në pragun e festës së martirëve të Kishës së Vietnamit, Papa Françesku priti në audiencë, në Vatikan, Presidentin e Republikës Socialiste të Vietnamit, Tran Dai Quang, i cili pas takimit me Atin e Shenjtë u takua edhe me Sekretarin e Shtetit të Vatikanit, kardinalin Pietro Parolin e imzot Paul Richard Gallagher, sekretar për Marrëdhëniet me Shtetet.

“Gjatë bisedimeve të përzemërta – njoftonte Salla e Shtypit e Vatikanit – u përmenden marrëdhëniet e mira ekzistuese ndërmjet Selisë së Shenjtë e Vietnamit, të mbështetura nga fryma e dialogut dhe kërkimi i përhershëm i instrumenteve sa më të përshtatshme për përparimin e mëtejshëm, dhe u nënvizua bashkëpunimi ndërmjet Kishës e Shtetit në fusha të ndryshme të shoqërisë vendore”.

Selia e Shenjtë, duke ripohuar lirinë e Kishës për ta çuar përpara misionin, për të mirën e mbarë shoqërisë, vlerësoi qeverinë vietnameze për vëmendjen që po i kushton nevojave të Kishës katolike në Vietnam, si dhe për asistencën në organizmin e ceremonive dhe të ngjarjeve të rëndësishme kishtare. Të dyja palët u morën vesh që Kisha katolike në Vietnam të vijojë të frymëzohet nga magjisteri i Kishës lidhur me praktikën e të jetuarit të Ungjillit  brenda kombit, duke qenë besimtarët e saj njëkohësisht katolikë e qytetarë të mirë.

20 gusht 2019, 12:32