Kërko

Shtegtimi në Mozambik-Madagaskar-Mauricius. Intervistë me kard. Parolin

Paqja, kujdesi për Krijimin dhe kulturën e takimit, do të jenë udhët që do të përshkojë Papa në shtegtimin e 31-të apostolik në Mozambik, Madagaskar e në Republikën e Mauritius

R. SH. - Vatikan

Mozambiku, Madagaskari dhe Republika e Mauritius janë në pritje festive. Më 4 deri më 10 shtator trojet e tyre do t’i vizitojë Papa Françesku. Në këtë atmosferë, vihet në dukje se Papa rikthehet në një Kontinent tepër shpesh të plagosur, por të aftë për ta ndërtuar të sotmen e, sidomos, të ardhmen, plot me shpresë. Sekretari i Shtetit të Vatikanit, kardinali Pietro Parolin, nënvizon kryesisht frymën e paqes e të dialogut, në qendër të vëmendjes gjatë këtij shtegtimi.

Hirësi, cilat janë temat kryesore të shtegtimit?

“Zakonisht Afrika përfytyrohet si kontinent përplot me probleme, konflikte, epidemi. Mendoj se Afrika, mbi të gjitha, është Kontinent plot me humanizëm, tokë e pasur me vlera, e pasur me fe e më duket se Papa shkon në Afrikë pikërisht me këto ndjesi. Do të nënvizoja tri pika kryesore. E para, ngulmimi mbi temën  e paqes. Pastaj, sigurisht, tema e kujdesit për Krijimin, në vijë me “Lëvduar qofsh!”. E pastaj, akoma, kultura e takimit. Dhe e gjithë kjo, në përmasën e shpresës. Prej këndej, mendoj se Papa dëshiron të theksojë e të promovojë të gjitha këto shenja shprese, të gjitha këto përpjekje, që po bëhen për t’i dhënë fund një mori konfliktesh, për një zhvillim të qendrueshëm, për respektimin dhe kujdesin ndaj krijimit. Duke përdorur një shprehje të Shën Palit VI, mund të themi se Afrika është laborator i zhvillimit të gjithanshëm. E nënvizoj pikërisht  këtë përmasë shprese e vështrimi drejt së ardhmes, duke u nisur nga shumë shenja pozitive brenda Kontinentit”.

Në Mozambik, pas dhjetra vitesh ngarkuar me konflikte të brendshme, pavarësisht nga përfundimi i Luftës Civile, u nënshkrua një marrëveshje për paqe ndërmjet qeverisë dhe ish-rebelëve Renamo, sot partia kryesore e opozitës. Mendoni se kjo vizitë është e ngarkuar edhe me forcën e një ardhmërie të re?

“Kështu shpresojmë, sepse vërtet kohët e fundit u hap një faqe e re në historinë e Mozambikut. Vend me histori shumë të ndërlikuar, shumë të trazuar. Kujtojmë, së pari, luftën për pavarësi, e, menjëherë pas, luftën civile, që shpërtheu ndërmjet forcave kryesore Frelimo e Renamo, fazë që përfundoi në vitin ’92, me marrëveshjen e Romës. Përfundoi, kështu, faza, por jo ndeshja. Ndeshja vijoi. Kohët e fundit, falë vullnetit të mirë të palëve, u arrit  një marrëveshje e re për paqen. Kuptohet se Kisha vuajti shumë nga gjithë kjo histori. Tani ka pasur shumë progres, zhvillim, njohje të rolit të Kishës, të lirisë fetare e të dëshirës për paqen. Besoj se Papa shkon pikërisht për të nënvizuar rëndësinë e dialogut në përgjithësi, por sidomos, lidhur me këtë situatë që vijon në vend. Dialog do të thotë të heqësh dorë një herë e përgjithmonë nga logjika e armëve, nga logjika e dhunës, si metodë për zgjidhjen e konflikteve, të ndryshimeve, që ka njëra palë nga tjera e në vend të saj, të nisësh seriozisht rrugën e dëgjimit reciprok, rrugën e bashkëpunimit, rrugën e  bashkëveprimit, për zhvillimin e gjithanshëm të popullsisë. Besoj se është pikërisht kjo, ndryshimi i logjikës. Kjo është e rëndësishme, si në Mozambik, ashtu edhe në pjesët e tjera të botës, ku vijojnë konfliktet. Këtë kërkon Papa: mendësinë e re,  rrugëzgjidhjen e re për këto situata”.

Kishë e varfër për të varfërit: këtë do të gjejë Papa në Madagaskar. Katolikët janë 1/3 e popullsisë në këtë vend, me probleme serioze, që kanë të bëjnë me shpyllëzimin e thatësirën, pa harruar edhe krizat politike, jo më pak shqetësuese. Çfarë kuptimi ka në këtë kontekst vizita e Papës?

“E kujtoj Madagaskarin me shumë dashuri, sepse pata rastin  ta vizitoj pak vjet më parë e pashë se është vend në valim, vend i ri, të cilit i duhet të përballojë një mori sfidash. Sfida e parë është pikërisht ajo e rinisë, sepse  është vend që duhet t’u ofrojë të rinjve të vet mundësi zhvillimi, rritjeje. Pastaj, varfëria: është e nevojshme të sheshohet hendeku i thellë ndërmjet një grushti të pasurish e shumicës së popullsisë, që jeton në kushte të vështira. Besoj se vizita e Papës do t’i japë hov të ri përpjekjes për të gjetur mjetet, që i kënaqin të gjithë e, sidomos, të rinjtë, duke hapur para rrugë të reja drejt së ardhmes së ëndërruar. Edhe Kisha është e varfër, por megjithatë, përpiqet të jetë prani domethënëse, posaçërisht përmes  institucioneve të saj të asistencës, institucioneve edukative, duke u bërë sot shenjë shprese për këtë popullsi. Prej këndej, Papa do të shkojë të fuqizojë këto angazhime, këtë përpjekje nga ana e Kishës”.

Më 9 shtator Papa do të jetë në Republikën e Mauritius, udhëkryq historik popujsh. Gjysma e popullsisë është hinduiste, vijnë më pas katolikët e, më pak se një e pesta përbëhet nga islamikët. Cila është zemra e kësaj vizite?

“Besoj se është pikërisht përmasa e tretë, që e kujtova më parë: kultura e takimit, e cila vlen, natyrisht, për të gjitha vendet e të gjitha kombet, që do të vizitojë Papa. Takimi në Mozambik me forcat politike kundërshtare të ishullit, kompozicion shumetnik, shumëkulturor, shumëfetar. Për të nënvizuar se duhet kapërcyer çdo formë diskriminimi, sidomos kur është fjala për emigrantët, që vijnë shpesh këtu, në kërkim të një jete më të mirë. E pastaj edhe dialogu ndërmjet feve të ndryshme, dialog, që duhet të vihet në shërbim të bashkëpunimit, për t’i përballuar e për t’i zgjidhur problemet e shoqërisë e edhe të botës, në përgjithësi”.

Do të jenë gjashtë ditë të ngarkuara me veprimtari… Nuk është e lehtë të flasësh për to!  Gjithsesi do ta bëjmë edhe një pyetje, që ëshë zakon të bëhet në fund: mendimi juaj personal për këtë shtegtim?

“Jam i kënaqur për këtë shtegtim, i kënaqur që do ta shoqëroj Papën në Afrikë. Afrika ka qenë përvoja ime e parë, edhe pse ishte Afrika perëndimore e jo ajo lindore. Gjithsesi, një pjesë e zemrës sime mbeti e lidhur fort me këtë Kontinent, prandaj shkoj me kënaqësi. Dua të them dy gjëra, që janë edhe vijat themelore të çdo arritjeje në Afrikë. E para është se afrikanët duhet të jenë të vetëdijshëm lidhur me përgjegjësinë që kanë për t’i gjetur brenda shoqërive të tyre, shteteve të tyre, zgjidhjet e problemeve afrikane. Më thjeshtë, duhet ta kuptojnë plotësisht se fati i Afrikës është në dorë të afrikanëve! Së dyti, Afrika ka nevojë për më shumë vëmendje nga ana e bashkësisë ndërkombëtare. Afrika  ka nevojë për miq, jo për njerëz, që e shikojnë me sytë e interesit të tyre. Ka nevojë për njerëz, që duan ta ndihmojnë vërtet këtë Kontinent, që t’i shfrytëzojë për vete pasuritë e veta. E bukura do të jetë, pastaj, ajo e takimit me bashkësinë e krishterë, me katolikët. Do të jetë kënaqësi e madhe kjo përvojë në gjirin e bashkësive katolike. Çast shumë i bukur edhe ky. Ashtu si përpjekja për ta ndihmuar këtë Kishë të rritet, të vihet gjithnjë në shërbim të Ungjillit e të shoqërisë, në gjirin e së cilës kryen misionin e saj”.

30 gusht 2019, 15:48