Kërko

 Takimi i delegacionit vietnamez në Vatikan Takimi i delegacionit vietnamez në Vatikan 

Në Vatikan, takim i grupit të punës Vietnam-Seli e Shenjtë

Përfundoi dje, në Vatikan, një takim i Grupit të përbashkët të Punës Vietnam - Seli e Shenjtë

R. SH. - Vatikan

Takimin e kryesuan së bashku imzot Antoin Camilleri, zëvendës-Sekretar për Marrëdhëniet me Shtetet, kryetar i delegacionit të Selisë së Shenjtë dhe To Anh Dung, zëvendës-Ministër i Punëve të Jashtme të Vietnamit. Palët - lexohet në një komunikatë, përhapur nga Salla e Shtypit e Vatikanit - patën një shkëmbim të thelluar pikëpamjesh lidhur me marrëdhëniet Vietnam-Seli e Shenjtë,  duke përfshirë edhe çështjet që kanë të bëjnë me Kishën katolike në Vietnam. Dy delegacionet shprehën kënaqësinë lidhur me marrëdhëniet dypalëshe gjatë këtyre viteve të fundit.

Vietnami dhe liria e besimit

Delegacioni vietnamez pohoi se Shteti i Vietnamit ka vijuar ta përmirësojë vënien në jetë të politikës në favor të respektit e të garancisë të lirisë së besimit e të fesë, duke krijuar edhe mjedisin e nevojshëm për veprimtaritë  dhe zhvillimin e bashkësisë katolike në Vietnam. Selia e Shenjtë shprehu vlerësimin e saj për ndihmën, që po i jep shteti Kishës Katolike, duke kujtuar edhe dëshirën e besimtarëve katolikë që ta jetojnë thirrjen e tyre si besimtarë të mirë e njëkohësisht, si qytetarë të mirë, me qëllim që të kontribuojnë me fryt në zhvillimin dhe mirëqenien e Vietnamit.

Gjendja e Kishës në Vietnam

Dy delegacionet diskutuan edhe për disa çështje, që kanë të bëjnë me situatën kishtare në Vietnam. U morën vesh, kryesisht, për rrugët, që duhen përshkuar lidhur me thellimin e marrëdhënieve ndërmjet Vietnamit dhe Selisë Apostolike në të ardhmen e afërt e, posaçërisht, për parimet bazë të rregullimit të statusit të përfaqësuesit papnor, të zyrës së tij në selinë e Vietnamit dhe për rregullimin sa më shpejt të jetë e mundur, të kësaj zyre.

Takimi me Papën Françesku

Të dyja palët u impenjuan për vazhdimin e dialogut, mbi bazën e besimit e të respektit për parimet e konkorduara bashkërisht, që udhëheqin marrëdhëniet dypalëshe. Nënvizuan edhe rëndësinë e promovimit të kontakteve të reja, duke përfshirë edhe ato të nivelit të lartë. Me rastin e vizitës në Vatikan, delegacioni vietnamez u prit në audiencë nga Papa Françesku, për t’i bërë, më pas, edhe një vizitë mirësjelljeje sekretarit të Shtetit, kardinalit Pietro Parolin si dhe sekretarit për Marrëdhëniet me Shtetet, kryeipeshkvit Paul Richard Gallagher. Këto takime - lexohet në përfundim të komunikatës - u zhvilluan në atmosferën e përzemërt të vullnetit të mirë e të respektit të anasjelltë.

23 gusht 2019, 15:23