Kërko

Vatican News
Shën Agostini Shën Agostini  (© MET)

Lutje e Shën Agostinit: "O Zot më mëso të dua!"

Lutja e Shën Agostinit: "O Zot më mëso të dua!" O Zoti im,/ bëj ta takoj dashurinë/ që më prin drejt Teje,/ një dashuri të sinqertë,/ ngrohtësi pa interes,/ të fortë, besnike, bujare,/ një dashuri-shëmbëllim,/ me Ty, o Zoti im!

R.SH. - Vatikan

Shёn Agostini, filozof, teolog e ipeshkëv, qe model në lidhjen e fesë me arsyen,  ky është edhe shtegtimi tij intelektual e shpirtëror. Ipeshkvi i Iponës kërkonte një fe, që të ishte shprehje e arsyes së tij; e etja e thellë për të vërtetën, e largoi, ende të parritur, nga feja katolike, në të cilën e kishte edukuar e ëma Monika - por njëkohësisht e bëri të mos kënaqej me ato filozofi, të cilat nuk e çonin tek vetë e vërteta e ia shpjegonin zotin si hamendje të fundme kozmologjike e jo si Zot që jep jetë. Ky kërkim e çoi Shën Agostinin, Ipeshkvin e Iponës, Anaba e sotme e Algjerisë, në sintezën ndërmjet fesë e arsyes.

Këto dy përmasa, fe e arsye, nuk duhet të ndahen nga njëra-tjetra e aq më pak, t’i kundërvihen njëra-tjetrës, por duhet të shkojnë krah për krah. Siç shkroi pak kohë pas kthesës së tij, vetë Shën Agostini në veprën ‘Contra Academicos’, “fe e arsye janë dy forca që na çojnë tek njohja e Hyjit”.

“Beso për të kuptuar” e “kupto për të besuar”: janë dy formulat agostiniane, që përmbledhin pikarritjen e Atit të Kishës, i cili jetoi ndërmjet shekullit të katërt e të pestë.  Besimi të hap udhën për të hyrë në portat e së vërtetës… por edhe për ta kuptuar e për ta shikuar të vërtetën, dmth për të gjetur kështu Zotin e për të besuar.

Harmonia ndërmjet fesë e arsyes na bind sidomos se Hyji nuk është larg, përkundrazi, është fare pranë çdo njeriu; është sa pranë zemrës, aq edhe pranë arsyes së tij. Prania e Hyjit tek njeriu, e thellë e njëkohësisht misterioze, mund të njihet e të zbulohet vetëm në thellësinë e shpirtit. “Mos dil jashtë vetvetes – pohon Agostini – por kthehu tek vetvetja; në thellësitë e vetvetes banon e vërteta; e në se mendon se natyra jote është e ndryshueshme, dil përmbi vetveten… syno të arrish atje ku ndizet drita e arsyes”. Pikërisht ashtu si thekson ai vetë, në krye të veprёs ‘Confessiones’ (Rrëfimet), autobiografia e tij shpirtërore: “Na bëre për vete, o Zot, e zemra jonë mund të gjejë paqe vetëm kur të pushojë në Ty’. Atëherë mund të themi se largimi nga Hyji është largim nga vetvetja”. 

Njё nga kreflektimet e mëdha të Shën Agostinit janё edhe mbi jetën, posaçërisht shkrimet e Ipeshkvit të Iponës për njeriun. “Njeriu është një enigmë e madhe, është një greminë e thellë, enigmë e greminë që vetëm Krishti mund ta ndriçojë e ta shpëtojë. Ka rëndësi ta dijë se kur është larg Hyjit, është edhe larg vetvetes, është kundër vetvetes e mund ta gjejë përsëri vetveten vetëm duke u takuar me Hyjin. Kështu arrin edhe tek vetvetja, tek uni i tij i vërtetë, tek identiteti i tij”. Njeriu është qenie shoqërore për natyrë, por antishoqërore për ves” - lexojmë në veprën e Shën Agostinit ‘Qyteti i Hyjit’. E këtë e vërejmë edhe sot atë që vë në dukje Ati i Kishës, dmth, se është Krishti ai që e shpëton njeriun, Ai, i vetmi që mund të ndërmjetësojë për njerëzimin pranë Hyjit. Pra Agostini i mëson njeriut të sotëm se shpresa për ta gjetur të vërtetën ekziston.

Nё vijim po propozojmë njё lutje tё bukur tё Shёn Agostinit

O Zot,
unë s’di të lutem,
askush s’më ka mësuar.
E as tashti
s’ e di çfarë duhet të të them,
Ty, që s’e di a je a s’je?
A je kund, o Zot?
Në se je, pse s’të shoh?
Apor është e tepërt
kjo që po të kërkoj!
Majat e deti e lulet
gjithësia mbarë më flet për Ty,
e prap nuk mund të të shoh,
të të zbuloj nuk mund.
Më thonë se dashuria
është provë e qenies sate.
E ndoshta prandaj, deri më sot
s’të kam parë
e as të kam takuar.
Kurrë nuk më deshën aq shumë
sa unë ta ndjej praninë tënde!
O Zoti im,
bëj ta takoj dashurinë
që më prin drejt Teje,
një dashuri të sinqertë,
ngrohtësi pa interes,
të fortë, besnike, bujare,
një dashuri-shëmbëllim,
me Ty, o Zoti im!

28 gusht 2019, 18:29