Kërko

Vigjëra Mari Vigjëra Mari 

Liturgjia e Fjalë së Zotit e te Ngjiturit te Zojes ne Qiell

Festa e Të Ngjiturit të Zojës në Qiell, na fton ta nderojmë Marinë me titullin “Mbretëreshë”. Sundim i përvuajtur, ky i Marisë, por që na tregon qartë se Zoti, siç këndon vetë Vasha e Nazaretit në 'Magnificat', “të mdhajt prej së neltit rrotullim i sdrypi, prej së poshtit nalt të vogjlit me dorë të vet i hypi”(përkthimi shqip është i dom Ndue Bytyçit). Vasha e vogël e e përvujtë e Nazaretit, u bë Mbretëreshë e botës! Është një nga mrekullitë, që zbulojnë zemrën e Zotit.

R.SH. - Vatikan

Ja përsëri në takimin tonë me Fjalën e Zotit të së shtunës, kësaj here do të dëgjojmë e meditojmë së bashku leximet biblike të solemnitetit të të Ngjiturit të Zojës së Bekuar në Qiell me trup e me shpirt.

Liturgjia e Fjalës së Zotit e festës të tё “Të ngjiturit të Zojës në Qiell”

Cdo vit, në zemër të verës, kthehet solemniteti i Të Ngjiturit të së Lumes Mari Virgjër në Qiell, festa më e lashtë mariane. E për ne besimtarët është një rast i volitshëm për t’u lartuar me Marinë Virgjër në lartësitë e shpirtit, ku thithet ajri i pastër i jetës së mbinatyrshme e kundrohet bukuria më e vërtetë dhe e plotë, që është shenjtërimi. Atmosfera e kremtimit të kësaj feste është e mbushur me gëzimin e Pashkëve.

Maria është ngjitur në qiell: galdoni e gëzohuni, me Krishtin mbretëron përgjithmonë. Aleluja”. Ky kumtim na flet për një ngjarje tejet të jashtëzakonshme dhe unike, që e mbush zemrën e njeriut me shpresë e lumturi. Vërtet, Mari është krijesa e parë e njerëzimit të ri, krijesa në të cilën misteri i Jezu Krishtit - Mishërimi, Vdekja, Ngjallja, të Ngjiturit të Krishtit në Qiell kanë pasur efektin apo rezultatin e plotë, duke shpëtuar nga vdekja e duke e transferuar (bartur) me shpirti e me trup në mbretërinë e jetës së pavdekshme. Për këtë Virgjëra Mari, sikur na kujton Koncili II i Vatikanit, për ne është shenjë e shpresës së sigurt dhe ngushëllim. 

Festa e ‘Të ngjiturit të Zojës në Qiell’ pohon se dashuria, në dukje ligështi e Hyjit, fiton mbi pushtetin e egoizmit e të dhunës. “E gjithë historia është luftë ndërmjet dy dashurive: dashurisë së Zotit deri në dhurimin e plotë të vetvetes e dashurisë për vetveten, deri në përbuzjen e Zotit, deri në urrejtjen për të tjerët”, thotë Shën Agostini.  Festa e sotme na fton të kemi besim, sepse dashuria, që duket si ligështi e Zotit, në fund të fundit ngadhënjen mbi atë që duket si pushtet absolut i urrejtjes e i dhunës. 

Në Leximin I nga Zbulesa, spikasin dy figura: ajo e gruas së veshur me diell, simbol i dashurisë së Hyjit dhe ajo e dragoit të kuq vigan, simbol i dashurisë për vetveten. Me figurën e dragoit Shën Gjoni simbolizoi pushtetin e perandorëve romakë antikristianë, që nga Neroni e deri te Domiciani: pushtet që dukej i pakufizuar, pushtet ushtarak, ekonomik, politik, propagandistik: Përballë këtij pushteti feja, Kisha, dukej si një grua e pambrojtur, pa kurrfarë mundësie për të shpëtuar e aq më pak, për të fituar: e kush mund t’i kundërvihej një pushteti të tillë të gjithpranishëm, që dukej se mund të bënte gjithçka? E megjithatë e dimë se fitoi gruaja e pambrojtur, nuk fitoi egoizmi, as urrejtja; fitoi dashuria e Hyjit e Perandoria romake ia hapi dyert fesë së krishterë.

Dragoi pra simbolizon pushtetin e egoizmit absolut, të terrorit, të dhunës. Përfaqëson diktaturat antikristiane të të gjitha kohërave, si nazizmi e komunizmi, në shekullin e kaluar. Dukej e pamundur që feja të mbijetonte: por edhe këtu, në fund të fundit, dashuria ngadhënjeu mbi urrejtjen. Por dragoi nuk është mposhtur ende plotësisht: vijon të ekzistojë në forma të reja: “Ekziston në format e ideologjive materialiste, që na thonë se është absurde të mendosh për Hyjin, është absurditet t’u bindesh dhjetë urdhërimeve të Tënzot; na thonë se është diçka e vjetruar, që i përket një kohe të shkuar e se ajo që vlen, është ta jetosh jetën për vete, se vlen vetëm konsumi, egoizmi, dëfrimi… E përsëri të duket absurde, e pamundur t’i kundërvihesh një mendësie të tillë, që sundon me gjithë forcën e saj mediatike, propagandistike. Duket e pamundur sot të mendosh për një Hyj që krijoi njeriun e që u bë fëmijë e se ky fëmijë do të ishte sundimtari i vërtetë. Edhe sot dragoi duket e pathyeshme, por edhe sot Hyji është më i fortë se dragoi e dashuria është ajo që fiton, jo egoizmi”.

Më pas kemi figurën e gruas të veshur me diell, sepse jeton në dritën e Hyjit, e ka hënën nën këmbë, sepse e ka lënë pas vetes vdekjen. E na thotë “Guxim! Në fund fiton dashuria! Guxoni të jetoni kështu, pa u frikësuar nga kërcënimet e dragoit”. Gruaja nxjerr në dritë foshnjën me dhimbje: simbol i Kishës shtegtare në të gjitha kohërat: në të gjitha breznitë duhet ta lindë përsëri Krishtin, ta sjellë në botë Krishtin me dhimbje të madhe në gjirin e këtij njerëzimi që vuan. Është Kishë e përndjekur nga dragoi në të gjitha kohërat, por në të gjitha kohërat jeton në dritën e Hyjit. E kështu në të gjitha mundimet Kisha, duke vuajtur, fiton e është garanci e pranisë së dashurisë së Hyjit kundër të gjitha ideologjive të urrejtjes e të egoizmit. E dragoi edhe sot dëshiron ta përpijë Hyjin e bërë foshnje: ‘mos mendoni për këtë Hyj, i ka kaluar koha!’ – na thonë – por edhe sot ky Hyj i ligsht, është i fortë, është forca e vërtetë.

E kështu festa e ‘Të ngjiturit të Zojës së Bekuar në Qiell’ na fton të kemi besim e shpresë: Është ftesë për të pasur besim në Hyjin, ftesë për t’i përngjarë Marisë, ashtu siç ka thënë Ajo vetë: jam shërbëtorja e TënZot, jam në dorë të Zotit. Të ecim në rrugën e saj. Të japim jetë e jo të marrim jetë. E pikërisht kështu jemi në rrugën e dashurisë, që do të thotë ta humbasësh vetveten e që, megjithatë, është e vetmja rrugë në të cilën duhet të ecim, për ta gjetur vërtetë vetveten, për të gjetur jetën e vërtetë. Atëherë mund të themi me plot gojën se festa e ‘Të ngjiturit të Zojës në Qiell’ është festa e gëzimit. Hyji fiton! Feja, në dukje e ligsht, është forca e vërtetë e botës. Dashuria është më e fortë se urrejtja.

Po kështu duhet të kujtojmë se festa e ‘Të ngjiturit të Zojës në Qiell’ bazohet në Shkrimin Shenjt, Bibël, që na e paraqet Virgjërën të bashkuar fort me Jezusin në luftën kundër armikut djallëzor, deri në fitoren e plotë mbi të. Është fitore që gjen shprehjen e vet kryesisht në kapërcimin e mëkatit e të vdekjes. E prandaj Maria, solidare me Jezusin edhe në ngjallje, u ruajt nga kalbja në varr, për t’u ngjitur me shpirt e korp në lumturinë e Qiellit - siç pohoi Piu XII, duke shpallur, më 1 nëntor 1950, Dogmën e të ngjiturit të Zojës në Qiell, në Kushtetutën apostolike “Munificentissimus Deus”. Duke u ngjitur në Qiell Maria nuk u largua nga ne, e kemi edhe më pranë e drita e saj ndriçon jetën tonë e historinë e mbarë njerëzimit: 

Shembulli i Marisë tregon se Hyji kërkon njerëz në të cilët mund të ndërtojë banesën e vet. Krishti dëshiron të jetojë edhe në zemrën tonë. Kisha – shtëpi e Hyjit rritet në se ne, njerëzit, e pranojmë Zotin me fenë tonë, me adhurimin tonë, me shpresën tonë e me dashurinë tonë, duke u bërë kështu, gurë të gjallë të kësaj shtëpie shpirtërore. Virgjëra Mari na dhuroftë të gjithëve ndjenja të mirëkuptimit, të vullnetit të marrëveshjes e të dëshirës së harmonisë!

                                                            Liturgjia e Fjalës

Leximi i parë Zb 11, 19; 12, 1-6.10
Gruaja është imazhi i popullit të Hyjit, sepse është nusja e Hyjit dhe nëna e Mesisë. Kundër popullit dhe kundër Mesisë ngrihet Dragoi, armiku i njeriut, mëshirimi i së keqes, që shkatërron qiellin e tokën. Krishti i shmanget fuqisë së tij me anë të ringjalljes.  Maria është imazhi i gjallë i popullit të Hyjit, ka jetuar si Krishti provën e besimit dhe kundërshtimin e kryqit. Dhe tani është imazhi i lavdishëm i së ardhmes së premtuar të bijve të Hyjit.
 
Lexim prej Zbulesës së shën Gjonit apostull

Atëherë u hap tempulli i Hyjit që është në qiell dhe u duk Arka e Besëlidhjes së tij në tempullin e tij, shërthyen vetëtimë, gjëmë e rrufe, termet dhe breshër i madh!
Në qiell u duk një shenjë e madhërueshme: një Grua e veshur me diell, me hënë nën këmbë, në krye kurorën me dymbëdhjetë yje! Shtatzënë, bërtiste në mundime, në dhimbjet e lindjes. Pastaj në qiell u duk edhe një shenjë tjetër: Ja, Dragoi! I madh, i zjarrtë, me shtatë kokë e dhjetë brirë! Mbi kokë shtatë kurorë! Bishti i tij ngrehte pas vetes të tretën e yjeve të qiellit – dhe i rrëzoi për tokë! Dragoi zuri vend para Gruas që po lindte fëmijën që, posa ta lindte fëmijën, t’ia hante. 
Dhe Ajo lindi fëmijën – një djalosh – që do të sundojë të gjithë popujt me skeptër hekuri. Por fëmija i saj qe sjellë te Hyji dhe te froni i tij, kurse Gruaja iku në shkreti ku Hyji ia përgatiti një vend që atje të ushqehej për një mijë e dyqind e gjashtëdhjetë ditë. Atëherë dëgjova një zë të madh në qiell, që thoshte: “Ja, tani koha e shëlbimit, e pushtetit dhe e Mbretërisë së Hyjit tonë dhe e sundimit të Krishtit të tij! Sepse u hodh poshtë paditësi i vëllezërve tanë që ditë e natë i padiste para Hyjit tonë. Fjala e Zotit.

Psalmi 44

Në të djathtën tënde, o Zot, shkëlqen mbretëresha

----- ----- -----
Bija mbretërish janë në përcjelljen tënde,
në të djathtën tënde të qëndron mbretëresha, në ar Ofiri e ngrirë.
----- ----- -----
Më vështro, o bijë, shih e dëgjo:
harroje popullin tënd dhe shtëpinë e babës tënd. 
Nëse mbretit do t’i pëlqejë bukuria jote, 
nderoje atë, ai është zotëria yt!
----- ----- -----
Përcjellja e saj, shoqet e saja, vajza.
Me hare u prijnë e me brohori,
ja, po hyjnë në pallatet e mbretit!
----- ----- -----

Leximi i dytë 1 Kor 15, 20-26
Shën Pali paraqet nga njëra anë Adamin e parë si atë që ka mëkatuar dhe është i kërcënuar nga vdekja dhe nga boshllëku i dëshpërimit dhe nga ana tjetër paraqet Krishtin, Adami i përsosur ai që ka fituar mbi mëkatin dhe vdekjen dhe ka dhuruar jetën nëpërmjet ringjalljes.

Lexim prej Letrës së parë të shën Palit apostull drejtuar Korintasve

Vëllezër, Krishti u ngjall prej të vdekurve! Ai është fryti i parë i të vdekurve! Kështu, pra, nëpër një njeri erdhi vdekja, përsëri nëpër një njeri vjen ngjallja prej së vdekuri. 
Dhe, sikurse në Adamin vdesin të gjithë njerëzit, ashtu nëpër Krishtin të gjithë njerëzit do ta rifitojnë jetën. Veçse, secili sipas radhës së vet: një herë fryti i parë, Krishti; pastaj, në ditën e gjyqit, ata që i përkasin Krishtit, pastaj mbarimi, kur Krishti t’ia dorëzojë mbretërinë Hyjit Atë, pasi të ketë asgjësuar çdo parësi, çdo pushtet e çdo fuqi. 
Sepse Atij i takon të mbretërojë derisa t’i vërë nën këmbët e tija të gjithë armiqtë e tij. Armiku i fundit që do të asgjësohet, do të jetë vdekja. Fjala e Zotit.

ALELUJA, aleluja.
Maria u ngjit në qiell: galdojnë aradhat engjëllore.
Aleluja


Ungjilli Lk 1, 39-56
Në këngën “Manjifikat” që Maria i drejtohet Hyjit Shpëtimtar shfaqet mënjëherë kontrasti mes të fuqishmve dhe mendjemëdhenjve nga njëra anë dhe e të përvuajturve dhe të varfërve nga ana tjetër.  Mbi këtë turmë, në të cilën shkëlqen Nëna e Zotit e veshur me diell lartësohet fuqia e Hyjit që mbron dhe ushqen bijtë e tij. 
 
Leximi i Ungjillit shenjt sipas Lukës

Ndër ato ditë, Maria u nis me nxitim për krahinën malore në një qytet të Judës. Ajo hyri në shtëpinë e Zakarisë dhe e përshëndeti Elizabetën. Tashti, posa Elizabeta e dëgjoi përshëndetjen e Marisë, i kërceu foshnja në kraharorin e saj. Elizabeta u mbush me Shpirtin Shenjt dhe brohoriti me zë të lartë: “Je më e bekuar se të gjitha gratë dhe i bekuar është fryti i kraharorit tënd! Dhe, nga e pata fatin të vijë tek unë nëna e Zotit tim? Ja, se, posa zëri i përshëndetjes sate arriti në veshë të mi, foshnja prej hareje kërceu në kraharorin tim. E lumja ti që besove se do të plotësohet çka të qe thënë prej Zotit!” 
Atëherë Maria tha: “Shpirti im e madhëron Zotin, shpirti im me hare i brohorit Hyjit, Shëlbuesit tim, sepse shikoi me pëlqim mbi shërbëtoren e vet të përvujtë: po, që tani të gjitha breznitë do të më quajnë të lumtur. Sepse punë të mëdha bëri për mua Hyji i gjithëpushtetshëm: i shenjtë është Emri i tij! Mëshira e tij brezni me brezni për ata që e nderojnë. E tregoi fuqinë e krahut të vet: i hodhi poshtë qëllimet e krenarëve; i rrëzoi princat prej froneve të tyre, e i lartësoi të përvujtët. Me të mira i mbushi ata që s’kishin ç’të hanë, e të pasurit i nisi duarthatë. I ndihmoi Izraelit, shërbëtorit të vet, duke u sjellë në mend mëshirën – si ua pati premtuar etërve tanë – në dobi të Abrahamit e të pasardhësve të tij në amshim.” Maria ndenji me Elizabetën rreth tre muaj, e atëherë u kthye në shtëpinë e vet. Fjala e Zotit.

14 gusht 2019, 17:28