Misionarë të Zojës së Papërlyer, në  Serra do Sol Misionarë të Zojës së Papërlyer, në Serra do Sol  Editorial

Letër vëllezërve në meshtari, për t’u dhënë guxim e për t’i ndihmuar

Falënderim i Papës Françesku për shërbimin e përditshëm të shumë meshtarëve që, në të katër anët e botës, e shoqërojnë hap pas hapi popullin e Zotit.

R. SH. - Vatikan

Andrea Tornielli – Qyteti i Vatikanit

Drama e abuzimeve, britma  tronditëse e viktimave, që i pësuan nga ata, që nuk mund as të përfytyroheshin, peshon si barrë e rëndë mbi shpatullat e çdo meshtari. Ka meshtarë, që shikohen me zemërim e me dyshim, për faje që nuk i kanë bërë, por që mbeten plagë të gjakosura për mbarë trupin kishtar.

Me letrën, drejtuar meshtarëve në 160-vjetorin e vdekjes së Famullitarit shenjt të Ars, model i priftit, që shkriu gjithë vetveten në shërbim të popullit të Zotit, Papa Françesku - i cili sigurisht nuk zmbrapset kurrë përballë detyrës së padisë dhe të qortimit, kur është nevoja - përgjigjet duke  falënderuar ushtrinë e heshtur të meshtarëve, që nuk e tradhtuan  as fenë as besimin. Në këtë letër, nënshkruar në Bazilikën e Shën Gjonit në Lateran, seli e Ipeshkvit të Romës, si të donte të nënvizonte se po e shkruante pikërisht si Ipeshkëv i Romës, Papa u shpreh afërsinë, inkurajimin, mbështetjen, ngushëllimin, të gjithë meshtarëve të botës. Atyre priftërinjve që çdo ditë, shpesh me lodhje të madhe, duke sfiduar zhgënjimet e moskuptimet, i mbajnë Kishat hapur e kremtojnë Sakramentet. Atyre priftërinjve që, duke e mundur trishtimin, vijojnë të  vënë në lojë vetveten, duke e mirëpritur njeriun, që ka nevojë për një fjalë të mirë, për një ngushëllim, për një shoqërim. Atyre priftërinjve, që ditë për ditë vizitojnë njerëzit e tyre, duke ua dhuruar pa ngurrim vetveten, duke qarë me kë qan e duke u gëzuar me kë gëzohet. Atyre priftërinjve, që jetojnë “në llogore”, që shpesh rrezikojnë jetën e tyre, për të qenë gjithnjë pranë popullit të vet. Atyre priftërinjve, që u duhet të shtegtojnë ditë e ditë në kanoa, për të arritur në ndonjë nga fshtatrat  e humbura, për të shkuar e për të takuar delet e izoluara të grigjës së vet!

Në jetën e zakonshme të Kishës ka një madhështi të treguar tepër pak. Madhështi e aftë për të bërë historinë, edhe pse nuk do t’i fitojë kurrë faqet  e doracakëve a dritat e paraskenave.  Është madhështia  e shërbimit në fshehtësi, e atyre që dhurohen pa protagonizma, duke besuar vetëm në hirin e Hyjit. Është madhështia  e jetës, që u dhurohet të tjerëve nga këta priftërinj, “mëkatarë të falur”, siç e quan Papa edhe vetveten, e që,  duke e pasë provuar e duke vijuar ta provojnë mëshirën, ia lënë Zotit nismën  dhe e ndjekin në shërbimet e bashkësisë së tyre.

Ishte nevoja për një fjalë inkurajimi, nderimi, afërsie! Nevoja për një falënderim, si ai që e lexojmë në faqet e letrës papnore. Që dhimbja e shkaktuar në korpin e Kishës nga pabesia e pakicës – siç ndodhi në plagën e hatashme të shpërdorimeve, të mos krijonte rrezikun për t’u harruar besnikëria e shumicës, e jetuar pavarësisht nga mundimet dhe kufizimet e shumta njerëzore. Prandaj Papa deshi t’i falënderonte  të gjithë ata, që edhe sot e kësaj dite e dhurojnë krejtësisht vetveten e, duke shërbyer  në gjirin e njerëzve të vet, e përsërisin atë “po” me të cilën iu përgjigjën Zotit, në kujtim të çastit, kur i thirri!

04 gusht 2019, 12:24