Kërko

Vatican News
Kardinali Parolin me Papen Françesku ne Abu Dabi, 4 shkurt 2019 Kardinali Parolin me Papen Françesku ne Abu Dabi, 4 shkurt 2019  (AFP or licensors)

Kardinali Pietro Parolin nё shёrbim tё Papёs e tё një Kishe mes njerëzve

Kardinali Pietro Parolin: shërbimi është i rëndësishëm, kërkues e plot përgjegjësi. Por, dua të nënvizoj se është edhe apasionues, në këtë epokë të re për Kishën, përuruar nga papnia e Françeskut. Përparësi ka shndërrimi misionar i Kishës, në një Kishë që shkon mes njerëzve.

R.SH. - Vtaikan

Mё 31 gusht tё 2013 kardinali Pietro Parolin emërohej nga Papa Françesku Sekretar i ri i Shtetit të Vatikanit.

Sekretari i Shtetit të Selisё sё Shenjtё, Hirësia tij Kardinali Pietro Parolin, lindi në Schiavon, në provincën e Viçencës (Itali) më 17 janar 58 vjet më parë. 25 vjeç u shugurua meshtar e u emërua zëvendës-famullitar në bashkësinë kishtare të së Shenjtueshmes Trini, në Schio. Në vitin 1983 hyri në Akademinë Kishtare Papnore. Filloi, pastaj, shërbimin diplomatik pranë Selisë së Shenjtë, duke u nisur nga nunciatura apostolike e Nigerisë e më pas, ajo e Meksikës. Pastaj u kthye në Romë ku, në vitin 2001, u emërua zëvendës-sekretar i Sekretarisë sё Shtetit tё Vatikanit, i ngarkuar për Marrëdhëniet me Shtetet, duke iu kushtuar, në mënyrë të veçantë, marrëdhënieve ndërmjet Selisë së Shenjtë e Vendeve aziatike, posaçërisht, Vietnamit e Kinës.

Dha një kontribut shumë të rëndësishëm në aderimin e Vatikanit në Traktatin e mospërhapjes së armëve bërthamore. Gjithnjë në këtë detyrë, pranë Sekretarisë së Shtetit të Vatikanit, imzot Parolin u njoh nga afër edhe me realitetin e Kishës ndër shqiptarë: në Shqipëri, Kosovë, Mal të Zi e vende tjera, ku jetojnë pakica shqiptarësh.

Në vitin 2009 u emërua Nunc Apostolik në Venezuelë. Më 12 shtator 2009, Papa Benedikti XVI e shuguroi ipeshkëv, në Bazilikën e Shën Pjetrit në Vatikan. Po këtu u krijua kardinal nga Papa Françesku, në Konçistorin e 22 shkurtit 2014.

Një vit më parë, mё 2013, duke marrë detyrën e rëndësishme, pohoi: “Jam mëse i vetëdijshëm se shërbimi është i rëndësishëm, kërkues e plot përgjegjësi. Por, dua të nënvizoj se është edhe apasionues, në këtë epokë të re për Kishën, përuruar nga papnia e Françeskut. Përparësi ka shndërrimi misionar i Kishës, në një Kishë që shkon mes njerëzve, siç thotë Papa, një Kishë në gjendje të përhershme misioni”.

Po kujtojmë se diplomacia e Vatikanit është në shërbim të paqes në botë. Çështja e paqes në botë, në njërën anë sot paraqitet në domethënien dhe vlerën aq të domosdoshme, e në anën tjetër rrezikon të nëpërkëmbët e të asgjësohet, në dëme të popujve e kombeve të botës.

E kur është fjala për politikën ndërkombëtare, kujtojmë fjalët e Benediktit XVI, sipas të cilit, ‘diplomacia është arti i shpresës’. E diplomatët e Vatikanit e dinë se kjo shpresë ka një emër, sepse është diplomaci e meshtarëve. E këtu, kujtojmë se përfaqësuesit diplomatik të Papës dhe Selisë së Shenjtë në shumë vende të botës, si dhe në Shqipëri, janë Nuncat Apostolikë (Ambasadorët), të cilët janë meshtarë, zakonisht ipeshkvij.

Si lindi struktura diplomatike dhe si e çon përpara Vatikani politikën ndërkombëtare?

Sipas Sekretarit të Shtetit të Vatikanit, kardinalit Pietro Parolin: “Diplomacia e Selisë së Shenjtë ka lindur nga historia, gjë që do të thotë se Selia e Shenjtë, që në zanafillë, ka gëzuar personalitet juridik ndërkombëtar. Prej këndej, mund të zhvillojë edhe të gjitha ato veprimtari që janë tipike për subjektet ndërkombëtare, dmth për shtetet. Ka edhe mundësinë të dërgojë ambasadorë e të pranojë ambasadorë. Do të thosha se është një mjet, që i shërben Selisë së Shenjtë si qeveri qendrore e Kishës katolike, për zhvillimin e misionit të saj” 

Tiparet që dallojnë shërbimin e Përfaqësuesit Papnor.

Në Meshën, kremtuar në Bazilikën e Shën Pjetrit mё 12 qershor 2019, Sekretari i Shtetit të Vatikanit, kardinali Parolin, vuri në dukje tiparet që dallojnë shërbimin e Përfaqësuesit Papnor. Me këtë kremtim filloi takimi i thirrur nga Papa, në të cilin morën pjesë 103 përfaqësues papnorë, nga të cilët, 98 Nuncë Apostolikë e 5 Vëzhgues të Përhershëm.

Sjellje shembullore e kristaline në shërbim të njerëzimit, dashuri e apasionuar për Kishën e për njerëzit, shërbim i lartë, i kryer me përvujtëri të mirëfilltë. Janë këto, karakteristikat e Përfaqësuesit diplomatik Papnor, theksuar nga kardinali Pietro Parolin, sekretar i Shtetit të Vatikanit, në homelinë e Meshës, kremtuar mё 12 qershor 2019, në Bazilikën e Shën Pjetrit.

Shembullorë në sjellje

Duke u frymëzuar nga leximet e liturgjisë së ditёs, Hirësia e Tij Parolin vuri në dukje se Jezusi, me mësimet dhe sjelljen e Tij, ia ktheu Ligjit “lëvizjen, lehtësinë”, duke e çliruar nga “suvatë sklerotizuese” e “armaturat e jashtme”, duke bërë të shpërthenin kundërshtitë, por edhe duke rigjetur “domethënien, shpirtin, logjikën e fundit”. Jemi vazhdimisht të thirrur ta vigjilojmë lidhjen tonë me ligjin - pohoi kardinali Parolin - duke pasur parasysh ligjin kanonik kishtar, pa përjashtuar as atë civil:

“Nga njëra anë, duhet të jemi rojtarët e parë: veprimtaria jonë si përfaqësues të Selisë së Shenjtë duhet të jetë gjithnjë shembullore; sjellja jonë, kristaline. Shërbimi ynë dhe të gjitha sistemet juridike të pranishme në botë janë (a duhet të ishin) në dobi të së mirës së njeriut, të çdo njeriu: të respektimit të të drejtave të tij, të ndërtimit të një shoqërie më të drejtë, të bashkëjetesës në paqe. Ligji duhet të jetë gjithnjë e vetëm në shërbim të njerëzimit!”.

Ligji i dashurisë

Dashamirësia është fjala kyçe për shërbimin, që duhet kryer në kushte të ndryshme:

“Veprimtaria e Kishës mund të favorizohet në njërën anë, ndërsa mund të kundërshtohet fuqimisht në të tjerat. Por asgjë e askush nuk duhet të na pengojë të duam. Me një dashuri  të apasionuar për Krishtin, për Kishën e Tij, një dashuri bujare për njerëzit, për popullsitë, pranë të cilave u dërguam e, posaçërisht, për të varfërit”.

Diplomacia e Ungjillit

Duke e marrë shtytjen nga Letra e Shën Palit, kardinali Sekretar i Shtetit të Vatikanit kujtoi lartësinë e pamasë të shërbesës, e, njëkohësisht,  relativizimin e shërbyesit.

Çdo shërbesë në Kishë, duke përfshirë edhe këtë të përfaqësisë papnore, nuk pasqyron lavdinë vetjake, por vetëm  atë  të Besëlidhjes së Re të lidhur me Krishtin. Çdo ditë në Meshë e kremtojmë kujtimin eukaristik, me fjalët e vetë Palit:

“Ky kelk është Besëlidhja e Re në gjakun tim’, duke u përpjekur të krijojmë vazhdimisht të gjitha lidhjet e nderimit e të vëllazërimit e duke i shërbyer diplomacisë së Ungjillit”.

Të shndërruar në zemër

Të jetojmë nën shenjën e varfërisë e të mundësive - porositi kardinali Parolin - sepse mund të jesh përfaqësues papnor “vetëm duke e nderuar detyrën që t’u besua e, njëkohësisht, duke dëshmuar përvujtëri të sinqertë. Kjo do të thotë të bëhesh pasqyrë e lavdisë së Zotit:

“Të shndërrohemi, pra, nga detyra jonë; nëse lajmëtarët duhet të bëhen një korp i vetëm me lajmin që kumtojnë, edhe përfaqësuesit papnorë janë të thirrur, në një farë mënyre, të shndërrohen nga kumti, që mbartin. Jo vetëm duhet ta bëjmë tonin stilin baritor të Atit të Shenjtë, që e përfaqësojmë në Shtetet e ndryshme, pranë të cilave jemi të akredituar, por zemra jonë prej barinjsh e ipeshkvijsh duhet të përkojë gjithnjë më shumë me Ungjillin e me Besën e Re, lidhur me Jezusin”.

Kredencialet e vërteta

Shndërrim ky - shpjegoi kardinali Parolin - që do të na bëjë burra me fe të gjallë, me përvujtëri të vërtetë, me dashuri të apasionuar për Zotin e për njeriun e me shërbim të pakushtëzuar për Kishën, Nusen e Krishtit:

“Të lutemi, vëllezër, që shërbimi ynë si Përfaqësues papnorë, të na mbajë të lidhur me zinxhirët e Ungjillit të Krishtit në mënyrë të pazgjidhshme, kështu që të bëhemi edhe ne ambasadorë gazmorë e guximtarë në zinxhirë, “të burgosur” përgjithnjë, të ligjit të dashurisë” .

31 gusht 2019, 10:58