Kardinali Pietro Parolin Kardinali Pietro Parolin 

Kard. Parolin: thellimi në liturgji na bën të aftë t’i duam vëllezërit

Në një Letër për Javën e 70-të Italiane të Liturgjisë, Sekretari i Shtetit të Vatikanit, kardinali Pietro Parolin, transmeton përshëndetjen e Papës dhe nxit të kuptohet gjithnjë e më mirë gjuha simbolike e liturgjisë, ku përfshihet arti, kënga, muzika, heshtja.

R.SH. - Vatikan

Të formohen njerëzit nga pikpamja liturgjike që Populli i Zotit ta dojë liturgjinë si “përvojë takimi me Hyjin dhe me vëllezërit”, prirur drejt kthimit të zemrës, i cili na bën të aftë t’i duam dhe t’u shërbejmë vëllezërve, siç bëri Krishti. Ky është misioni, që, sipas Sekretarit të Shtetit të Vatikanit, kardinalit Pietro Parolin, duhet të kenë ata, që marrin pjesë në Javën e 70-të Italiane Litugjike, e cila filloi sot në Messina të Sicilisë e do të përfundojë të enjten. Këtë vit pjesëmarrësit reflektojnë mbi temën: “Liturgjia: thirrje në shenjtërinë e pagëzimit për të gjithë”.

Java e 70-të Italiane Litugjike
Java e 70-të Italiane Litugjike

         Në letrën drejtuar imzot Claudio Maniago, ipeshkëv i Castellaneta-s dhe kryetar i Qendrës së Veprimit Liturgjik, që organizon ngjarjen, prelati bën thirrje për t’i “ndihmuar bashkësitë ta bëjnë të tyren lutjen e Kishës”, duke rizbuluar përmbajtjen e saj dhe duke ndjekur ritet. “Liturgjia do të jetë ashtu si duhet, pra, e aftë t’i formojë dhe t’i shndërrojë ata që marrin pjesë në të”, shpjegon kardinali Parolin, nëse barinjtë e Kishës dhe laikët “do të mësojnë ta kapin gjithnjë e më mirë kuptimin dhe gjuhën e saj simbolike, përfshirë artin, këngën dhe muzikën në shërbim të misterit të kremtuar, si edhe heshtjen”.

Shenjtëria dhe liturgjia

         Në qendër të Javës Italiane Liturgjike është pikërisht risia e dëshiruar nga Koncili II i Vatikanit. Duke u nisur nga Kushtetuta “Sacrosanctum Concilium”, kardinali Parolin nënvizon se Etërit konciliarë “ngulin këmbë në faktin që liturgjia, meqë kremton shenjtërinë, i shenjtëron ata, që marrin pjesë në të”. Edhe Papa Françesku kujton se “liturgjia është jetë për tërë popullin e Kishës”. “Në liturgji, shenjtëria e paarritshme e Zotit”, na komunikohet në Krishtin me fytyrën e mëshirës, të dashurisë pa interes, duke u dhënë njerëzve mundësinë “ta jetojnë jetën e Tij”. Prandaj Papa shpreson që gjatë kësaj Jave “të rritet vetëdija se liturgjia është vend i privilegjuar, në të cilin shenjtëria e Zotit na tërheq drejt vetes”.

26 gusht 2019, 16:30