Kërko

Kryetari i ri i Këshillit Papnor për Dialogun Ndërfetar, imzot Miguel Ángel Ayuso Guixot Kryetari i ri i Këshillit Papnor për Dialogun Ndërfetar, imzot Miguel Ángel Ayuso Guixot 

Imzot Ayuso Guixot: Dokumenti për Vëllazërimin Njerëzor po jep frytet e para

Kryetari i Këshillit Papnor për Dialogun Ndërfetar, imzot Miguel Ángel Ayuso Guixot, përvijon bilancin e parë të fryteve të Deklaratës për Vëllazërimin Njerëzor, nënshkruar shkurtin e kaluar në Abu Dabi nga Papa Françesku dhe Imami i Madh i Al Azharit.

R.SH. - Vatikan

Dialogu ndërfetar është i vetmi ilaç kundër fundamentalizmit. Këtë nënvizon kryetari i ri i Këshillit Papnor për Dialogun Ndërfetar, imzot Miguel Ángel Ayuso Guixot, në një intervistë për mediat e Vatikanit. Pasi Papa Françesku dhe Imami i Madh i Al- Azharit shprehën, këto ditë, vlerësimin e tyre për lindjen e Komitetit të Lartë, që ka si detyrë zbatimin e Dokumentit për Vëllazërimin Njerëzor, nënshkruar në Abu Dabi më 4 shkurtin e kaluar, imzot Ayuso thekson se ky Komitet është shembull konkret për mënyrën se si liderët fetarë mund të ndërtojnë ura, të përforcojnë dialogun dhe të kapërcejnë tundimin për t’u mbyllur në vetvete e për të ushqyer “ndeshjen ndërmjet qytetërimeve”. Por le ta dëgjojmë vlerësimin e tij:

Siç është thënë tashmë nga media të ndryshme botërore, krijimi i këtij Komiteti të Lartë është akt i rëndësishëm. Në komunikatën, që njofton lindjen e tij, nënvizohet se është fjala për të promovuar idealet, që përmbahen në Dokumentin për Vëllazërimin Njerëzor, sepse është “deklaratë e impenjimit për ta bashkuar njerëzimin dhe për të punuar për paqen në botë, që t’u sigurohet brezave të ardhshëm jeta, në një atmosferë respekti të ndërsjellë dhe bashkëjetese të shëndoshë”. Vërtet, objektiv fisnik! I jam mirënjohës princit të kurorës së Abu Dabit, Lartmadhërisë së tij, shehut Mohamed bin Zayed Al Nahyan, i cili punoi për nisma, që synojnë të vënë në jetë objektivat e dokumentit të Abu Dabit. Po aq mirënjohje ndiej edhe për Papën Françesku dhe Imamin e Madh të Al-Azharit, sepse me fjalët dhe me dëshminë e tyre, bënë të mundur ç’u tha nga princi i kurorës në paraqitjen e këtij Komiteti të Lartë. Në vazhdimësi me papët paraardhës, Ati i Shenjtë Bergoglio, me dialogun e tij plot respekt e miqësi, me fjalë e me vepra, nuk resht së nxituri botën e gjithë njerëzit vullnetmirë të promovojnë tri gjëra: vëllazërimin, paqen dhe bashkëjetesën. Këto tre elemente janë thelbësore nëse duam, me të vërtetë, të shërojmë plagët e kësaj bote.

Këto ditë, në Taizé, të rinjtë myslimanë dhe të krishterë janë mbledhur për të diskutuar pikërisht mbi Dokumentin e Abu Dabit. Si mund të inkurajohen këto nisma “nga poshtë”, përveç dialogut ndërmjet krerëve fetarë?

Nismë e bukur, e cila u shtohet nismave të tjera të shumta, që vijojnë të lindin nga poshtë, duke dëshmuar se Deklarata e Abu Dabit u nënshkrua nga Papa dhe nga Imami i Madh, si angazhim i përbashkët që përmbajtja e saj të zbatohet. Ngjarja e Taizé-së edukon të rinjtë, por duhet të mendojmë edhe për edukimin e formuesve dhe të krerëve fetarë, sepse siç jam shprehur në Mitingun e Riminit, e ardhmja do të jetë fetare. Jam i bindur se, përmes Komitetit të Lartë të sapoformuar, mund të inkurajohen më tej përgjegjësit shkollorë dhe akademikë që të përdorin strukturat zyrtare për edukimin, në mënyrë që Deklarata të arrijë në thelbin e studimeve e të reflektimeve në shkolla e në universitete. Hapi i parë konkret do të jetë studimi, reflektimi dhe përhapja e “Dokumentit mbi Vëllazërimin”, siç na ka kërkuar Ati i Shenjtë.

Në disa ambiente katolike mendohet se Deklarata e Abu Dabit, duke kërkuar dialogun, mund të bjerë në sinkretizëm. Si e komentoni këtë kritikë?

Ndonëse i respektoj mendimet e atyre, që mendojnë se Deklarata e Abu Dabit mund të kalojë në sinkretizëm ose relativizëm - të cilët janë edhe në mirëbesim - besoj se frika është armiku numër një i dialogut ndërfetar. Kisha Katolike kujton vlerën e identitetit të vet, të guximit për ta pranuar tjetrin dhe sinqeritetin e synimeve. Nuk është fjala për të bërë një “melting pot”, ku të gjitha fetë të konsiderohen njësoj, por ku të gjithë besimtarët, ata që kërkojnë Zotin dhe gjithë njerëzit vullnetmirë pa besim fetar, të kenë dinjitet të barabartë. Duhet të impenjohemi që Zoti, i cili na krijoi, të mos bëhet shkak për ndarje, por për bashkim. Le t’ia hapim zemrën aventurës për të qenë shokë udhëtimi të çdo qenieje njerëzore në rrugën drejt së Vërtetës. Ta jetojmë identitetin vetjak me “guximin për ta pranuar tjetrin”: ky është pragu, që na kërkon të kapërcejmë sot, Kisha e Papës Françesku. Vetëm kështu besnikëria ndaj Zotit, në Jezusin, bëhet histori e re, ndërtim i një qytetërimi të besëlidhjes, që përfshin krejt larminë e dallimeve, në paqe dhe në shkëmbimin e dhuratave të ndërsjella. Pluralizmi i shoqërive tona, jo vetëm ai fetar, është realitet, që na fton të reflektojmë mbi identitetin tonë, pa të cilin nuk mund të kemi një dialog të vërtetë ndërfetar.

Pas pak ditësh bie 18-vjetori i atentateve të 11 shtatorit. Ngjarje tragjike, që e pati ushqyer tezën e “ndeshjes ndërmjet qytetërimeve”. A mund të jetë Deklarata e Abu Dabit ilaç kundër virusit të “ndeshjes ndërmjet qytetërimeve”?

Unë mendoj se Deklarata e Abu Dabit është një thirrje globale për “qytetërimin e dashurisë”, e cila u kundërvihet atyre, që duan ndeshje qytetërimesh! Lutja, dialogu, respekti dhe solidariteti janë armët e vetme fitimtare kundër terrorizmit, fundamentalizmit dhe të gjitha llojeve të luftës dhe të dhunës. E janë armë, që bëjnë pjesë në arsenalet shpirtërore të të gjitha feve. Paqja është pasuri e çmuar, aspiratë që jeton në zemrën e çdo njeriu, besimtar apo jo besimtar, e duhet të frymëzojë çdo veprim njerëzor. Papa Françesku, në fjalimin e tij në Konferencën Globale për Vëllazërimin Njerëzor në Abu Dabi tha: “Nuk ka alternativë. Ose do ta ndërtojmë të ardhmen së bashku, ose nuk do të ketë të ardhme. Veçanërisht fetë nuk mund të heqin dorë nga detyra urgjente e ndërtimit të urave ndërmjet popujve dhe kulturave”. Ka ardhur koha, në të cilën “fetë të punojnë në mënyrë më aktive, me guxim e kurajo, pa u shtirë, për ta ndihmuar familjen njerëzore të zhvillojë aftësinë për pajtim, vizionin e shpresës dhe të gjejë shtigjet konkrete për paqen”.

Komiteti, ashtu si edhe Deklarata, lindi nga dialogu islamo-kristian. A mund të mendohet për “zgjerimin” e kësaj nisme edhe për fetë e tjera?

Deklarata lindi nga dialogu islamo-kristian, në kuadrin e Konferencës Globale për Vëllazërimin Njerëzor. Dhe është pikërisht në këtë kuadër global që mesazhi i Deklaratës përhapet në të gjithë botën: dritare “e re”, në kontekstin e Frymës së Asizit. Prandaj, përtej pyetjeve “kush, ku dhe kur”, ky mesazh universal i vëllazërimit, paqes dhe jetesës së përbashkët është gjithëpërfshirës dhe mund të pranohet nga besimtarët e të gjitha feve, së bashku me të gjithë njerëzit vullnetmirë. Për shembull, në shtator, unë do të marr pjesë në takimin ndërkombëtar “Njerëzit dhe fetë” në Madrid, organizuar nga kryedioqeza e Madridit dhe nga Bashkësia e Shën Egjidit. Do të flas në një tryezë të rrumbullakët mbi temën e vëllazërimit njerëzor, së bashku me përfaqësues të feve të ndryshme. Fetë monoteiste së bashku me gjithë të tjerat duhet të punojnë që ç’u nënshkrua nga Papa Françesku dhe Imami i Madh të përhapet dhe të jetohet nga të gjithë, për të mirën e njerëzimit. Në këtë kuptim, Komiteti i ri do të jetë mjet i vlefshëm. Prandaj, përsëris edhe një herë falënderimet e mia personale për vlerësimin e vyer, që shprehu në media vëllai ynë, Imami i Madh i Al Azharit, me të cilin bashkohem, në emër të Këshillit Papnor për Dialogun Ndërfetar, si kryetar i tij.

27 gusht 2019, 17:14