Kryqi Jezu Krishtit Kryqi Jezu Krishtit 

Gjovana Françeska: bashkëshorte, nënë, vejushë, shenjte

Ç’na duhen shenjtorët - mund të thotë ndokush. Janë dritëza, që të krijojnë mundësi të shikosh larg. Një nga këto drita është Giovanna Françeska Frémiot, konteshë, që i hapi dyert e njërës nga kështjellat më të famshme të Francës, të cilën ajo e shndërroi në spital për të varfërit,

R.SH. - Vatikan

Gjovana Françeska: bashkëshorte, nënë, vejushë, shenjte

Ç’na duhen shenjtorët - mund të thotë ndokush. Pse i shpallim? E pse i kujtojmë? E të mendosh se pyetja bëhet në një kohë, kur para syve tanë, nga mjetet e panumërta të komunikimit parakalojnë ditë për ditë figura të diskutueshme, që na propozohen për t’i admiruar, për t’u përngjarë. Duken e zhduken sakaq. Duken në tribunat e politikës, në lojërat e ekonomisë, në dritat verbuese të skenave, në garat e korsive…Për t’u zhdukur në errësirën e vetmisë e të harresës e për t’u zëvendësuar menjëherë me të tjera, po kaq jetëshkurtëra. E ne mbetemi në terr, në kërkim të premtimeve të reja, të rreme, për modele, që të na lëshojnë një rreze drite të vërtetë në rrugën e jetës, e të mos zhduken aq shpejt nga horizonti, pa lënë në shpirtin tonë, spektatorë të mjerë të skenës së kësaj bote, as më të voglën gjurmë. Kalojnë. Menjëherë…

 Janë dritëza, që nuk të krijojnë mundësi të shikosh larg, sepse u mungon energjia e mjaftueshme. Ndërsa për Kishën, t’u propozojë njerëzve  bijtë e saj më të mirë, ka një domethënie shumë të thellë. Do të thotë se ata shndritën për të ngrohur, për të ndritur e për të na prirë drejt dritës, që buron nga Ungjilli, fjalët e të cilit nuk do të kalojnë kurrë, sepse fjalë të  jetës së pasosur.

Një nga këto drita është Giovanna Françeska Frémiot, lindur konteshë, martuar lumturisht me një baron, që i hapi dyert e njërës nga kështjellat më të famshme të Francës, të cilën ajo e shndërroi në spital për të varfërit, si u vu  në provën e rëndë të vdekjes së dy fëmijëve e të shokut aq të dashur të jetës, që e la me katër fëmijë të tjerë. Kur ishte vetëm 29 vjeçe.

Pastaj takimi me një shenjt, Shën Françeskun e Sales dhe nisma e vështirë, e madhe. Themelimi i Urdhërit të Vizitacionit kur, pa harruar se ishte nënë e fëmijëve të vet, u bë edhe nënë e fëmijëve të botës. Grua me amësi të dyfishtë, i ndoq të vetët hap pas hapi, në sa i vdisnin njëri pas tjetrit. Mort pas morti! E në një ditë të zezë të jetës, me dhimbje të thellë në shpirt, shfreu me fjalët: “O Zot, sa shumë të vdekur!”. Por e korrigjoi menjëherë veten: “Sa shtegtarë shpejtojnë të kthehen në Shtëpinë e amshuar; pranoi, o Zot, në krahët e mëshirës sate!”.

Në një botë, ku amësia vihet keqas në diskutim, ajo, me amësinë e saj të dyfishtë, bëhet shembull i madh për Kishën e për njerëzimin. Na lë trashëgim moton: “Gjithçka bën, bëje për e me dashuri”. E këtë moto e dëshmoi deri  sa dha frymën e fundit, duke shqiptuar tri herë emrin Jezus.

Në Parriz e prisnin shumë njerëz, që i patën paraprirë. Të tjerë do ta pasojnë. E ne nuk mund të mos shpresojmë të jemi, një ditë, mes tyre…

Të zgjedhim

Parakalojnë ditë për ditë para nesh figura të diskutueshme, që na propozohen për t’i admiruar, për t’u përngjarë. Që shuhen pa ndritur. E figura mbi të cilat nuk ka pushtet as vdekja. S’na mbetet tjetër, veçse të zgjedhim…

12 gusht 2019, 16:30