Kërko

Vatican News
Mitingu i Riminit Mitingu i Riminit 

Evropa, sipas imzot Gallagher: dashuri për atdheun e zemrën hapur për të tjerët

Rruga për t’u ndjekur nuk është mbyllja e dyerve për të tjerët. Sekretari i Vatikanit për Marrëdhëniet me Shtetet, imzot Paul Richard Gallagher, foli dje në Mitingun e Riminit mbi patriotizmin dhe marrëdhëniet me të tjerët në Evropë.

R.SH. - Vatikan

“Bashkimi Evropian duhet të shikojë drejt sfidave të së ardhmes, duke ruajtur vlerat e tij themeltare”. Kështu tha dje në Mitingun e Riminit, që vijon në Itali, kryeipeshkvi Paul Richard Gallagher, Sekretar i Vatikanit për Marrëdhëniet me Shtetet, duke folur për të ardhmen e kontinentit evropian. Në qendër të diskutimit të tij, centraliteti i njeriut, emigracioni dhe mjedisi. Integrimi evropian, nënvizoi prelati, “është vlerë në vetvete”, ndërsa sovranizmat “janë ekzaltim i tepruar i sovranitetit” të dëmtuar “nga mbylljet dhe përjashtimet”. Imzot Gallagher foli dje pasdite, në takimin me temë “Të drejtat, detyrat. Evropa: 1979 – 2019”.

Kriza e Evropës

         Fragmentimi, që përjeton sot Evropa politike, shpjegoi imzot Gallagher, është “fragmentim i ekzistencës njerëzore”. “Mbizotëron vetmia, individualizmi, kriza familjare, racizmi, mungesa e etikës”. “Është krizë identiteti, e rënduar nga kriza globale, që e ka dobësuar euron me përçarjet ndërmjet shteteve për tema si politika ndërkombëtare, ekonomia, Brexit dhe migracioni”.

Migracioni

         “Kemi nevojë për një vizion të qartë politik, por edhe për një qëndrim kulturor. Papa Françesku na kujton vëmendjen për njeriun. Siç thotë edhe titulli i Mitingut, njeriu është fytyrë e lidhur me Misterin e amshimit. E kemi për detyrë të jemi solidarë me nevojtarët, por, pa harruar virtytin e maturisë. Duhen pranuar – theksoi kryeipeshkvi Gallagher – aq sa mund të mirëpriten me dinjitet, duke u siguruar integrimin përmes punës, familjes, së ardhmes”. “Nga ana tjetër, emigrantët e kanë për detyrë t’ia hapin mendjen dhe zemrën realitetit të ri, ku mirëpriten, dhe të mos mbyllen në geto ku problemet veç mund të shtohen”, shpjegoi ai.

Në intervistën me Radio Vatikanin, menjëherë pasi iu drejtua Mitingut, imzot Gallagher u përqendrua në rëndësinë e Evropës, foli mbi sovranizmin e mbi marrëdhëniet ndërmjet institucioneve dhe njerëzve. Ta dëgjojmë:

         Besoj se Evropa është vlerë në vetvete, sepse përbëhet prej popujsh e njerëzish, që kanë pasur një histori shumë të gjatë së bashku, kanë ndarë me njëri-tjetrin shumë përvoja ndër shekuj dhe në çaste të caktuara. Shumica dërrmuese ndan të njëjtin besim të krishterë. Mbi këtë bazë, “Evropa” është bërë gradualisht një vizion, një projekt në zemrën e evropianëve. Në shekullin e kaluar, përjetuam dy luftëra botërore, që i çuan evropianët dhe udhëheqësit e tyre drejt bindjes se ndërtimi i një paqeje të sigurt, garantimi i begatisë për popujt tanë arrihet me vështirësi, nëse jemi vetëm.

Pse sot, në Evropë, flitet më shumë për të drejta, por më pak për detyra?

         Kjo është e vërtetë, megjithëse, tani shoh më pak armiqësi ndaj atyre, që flasin për detyra dhe përgjegjësi. Sot, e dimë se duhet pasur një këndvështrim më i ekuilibruar për çështjet e ndryshme, se duhen bilancuar elementet, duhen lënë të zhvillohen, përndryshe ndokush mund të mendojë se kemi vetëm të drejta e jo edhe përgjegjësi. Sipas mendimit tonë, kjo krijon një lloj pakënaqësie në disa sektorë. Prandaj, të dyja aspektet duhet të ecin përpara së bashku.

         Aktualisht, ka një debat të madh mbi sovranizmin dhe ekstremet e tij. Ç’kuptim kanë këto diskutime? Faktikisht, çdo shtet është sovran…

         Askush nuk vë në dyshim sovranitetin e një vendi, të një kombi. Problematike është kur bëhet fjalë për sovranistët, kur ka një këndvështrim të tepruar për sovranitetin, kur ngulet këmbë tepër mbi të. Nuk duhet të mbyllemi në një realitet më të vogël. Është shumë e vështirë për një qeveri të vetme të garantojë të gjitha të drejtat për popullin e vet, si, për shembull, paqen, mbrojtjen, sigurinë. Jemi të gjithë të ndërlidhur, siç thotë Papa, dhe këtë e shohim sidomos në media, në rrjetet shoqërore. Ideja se “sovranitet” do të thotë mbyllje e plotë ndaj të tjerëve, ndoshta, të joshë nga pikpamja teorike e pragmatike, por nuk mendoj se është rruga për të ndjekur.

         Imzot Gallagher, kur flitet për Evropë duket sikur kontinenti i bashkuar është më shumë një pasion i elitave institucionale politike se sa i njerëzve të thjeshtë…

         Mendoj se ky është perceptimi i përgjithshëm. Shumë nga vendimet, që janë marrë kohët e fundit, kanë dëshmuar kundërshti të mëdha me institucionet evropiane – nganjëherë të justifikuara, nganjëherë jo - por është e vërtetë që në të ardhmen, institucionet evropiane duhet të afrohen më shumë me njerëzit, duhet të dëgjojnë më shumë, duhet të përpiqen të formohen për t’u dhënë më shumë vlerë investimeve të çdo populli të Evropës në institucionet e tyre. Nëse do të mbetet distancë e madhe - sidomos kur Evropa duket sikur nuk dëgjon dhe nuk merret me problemet, me vështirësitë dhe me sfidat e sotme - do të ketë gjithmonë një lloj përbuzjeje për të nga ana e njerëzve.

Në ç’mënyrë mund ta shoqërojë Kisha udhën evropiane?

         Ne nuk kemi një botëkuptim nacionalist. E vlerësojmë shumë patriotizmin, dashurinë për atdheun, për vendin, për kulturën kombëtare, për popullin. Në fenë katolike – e, besoj, edhe në emërtimet e tjera të krishtera - ekziston botëkuptimi i hapjes së mendjes e të zemrës për të tjerët, që kalon përmes pranimit të asaj fryme, të cilën unë e konsideroj thellësisht kishtare: kemi më shumë gjëra të përbashkëta, sesa gjëra që na ndajnë. Tema e përgjithshme e këtij Mitingu të Riminit është ta zgjerojmë botëkuptimin tonë, të shkojmë drejt tjetrit, të vijojmë të ecim drejt kulturës së takimit, për të cilën Papa Françesku flet gjithmonë.

22 gusht 2019, 17:01