Kërko

Shën Nënë Tereza, Ganxhe Bojaxhiu Shën Nënë Tereza, Ganxhe Bojaxhiu 

Më 26 gusht bie përvjetori i lindjes së Shën Nënë Terezës

Shёn Nënë Tereza, Ganxhe Bojaxhiu lindi më 26 gusht 1910 në Shkup, asokohe nën pushtimin osman, qytet i vendosur në udhëkryq të historisë së Ballkanit, ndërroi jetë më 5 shtator 1997 në Kalkutë të Indisë, u shpall e Lume në Vatikan nga Papa Shën Gjon Pali II më 19 tetor 2003, u shpall Shenjte në Vatikan nga Papa Françesku më 4 shtator 2016.

R.SH. - Vatikan

Më datën 26 gusht bie 109 përvjetori i lindjes së Shenjtes shqiptare Nënë Terezës, një nga figurat më të ndritura të Kishës Katolike universale dhe të popullit shqiptar.

Kështu, me mirënjohje të thellë ndaj Zotit e kujtojmë Shën Nënë Terezën, Ganxhe Bojaxhiun, në përvjetorin e lindjes. E kujtojmë, e nderojmë ikonën e dashurisë së Zotit, shërbëtoren e madhe të të varfërve, të Kishës, të shqiptarëve e të njerëzimit mbarë që e shndërroi botën e mjerimit me shërbimin e pakursyer e me buzëqeshjen e saj, dhe e lusim të ndërmjetësojë pranë Zotit për paqen e njerëzimit mbarë.

Shёn Nënë Tereza, Gonxhe Bojaxhiu lindi më 26 gusht 1910 në Shkup, asokohe nën pushtimin osman, qytet i vendosur në udhëkryq të historisë së Ballkanit, ndërroi jetë më 5 shtator 1997 në Kalkutë të Indisë, u shpall e Lume në Vatikan nga Papa Shën Gjon Pali II më 19 tetor 2003, u shpall Shenjte në Vatikan nga Papa Françesku më 4 shtator 2016.

Nënë Tereza e përmblodhi jetëshkrimin e saj me këto fjalë: "Me gjak jam shqiptare; me nënshtetësi, indiane. Përsa i përket besimit, jam murgeshë katolike. Sipas thirrjes, i përkas botës. Por zemra ime i përket plotësisht Zemrës së Krishtit".

E gjithë jeta dhe vepra e Shën Nënë Terezës është një dëshmi e gëzimit që buron nga dashuria ndaj madhështisë e dinjitetit të çdo njeriu, ndaj vlerësimit të gjërave të vogla të bëra me besnikëri e me dashuri, e sidomos, ndaj vlerës së pakrahasueshme të miqësisë personale e të thellë me Zotin, që lidhet e ushqehet përmes lutjes së vazhdueshme, meditimit të Fjalës së Zotit, adhurimit të të Shenjtueshmit Sakrament të Eukaristisë, të Jezu Krishtit të Kryqëzuar. Këtu Nënë Tereza gjente ushqimin e saj shpirtëror dhe fuqinë për të kundruar njeriun, posaçërisht të varfrin e të nëpërkëmburin në dritën e dashurisë së Hyjit.

Jeta e saj është vërtetë dëshmi e dinjitetit dhe e privilegjit të shërbimit të përvuajtur. Ajo deshi të zvogëlohej sa më shumë para syve të Zotit, duke u bërë shërbëtorja e më të vegjëlve. „Ti duhet të jesh dora e Provanisë Hyjnore kur nuk të shikon askush, në mënyrë që ata të cilët marrin të mira e ndihmë, t’i jenë mirënjohës Zotit e jo ty“, thoshte Shёn  Nënë Tereza. Kështu krahët e saj u bënë krahët e vetë Zotit e ajo, simbol i dukshëm, i prekshëm i dashurisë së Tij Hyjnore. Mbi vete mori barrën e rëndë të të gjithë të varfëve e të braktisurve të botës, duke e ditur se kështu plotësonte vullnetin e Zotit të vet.

Ky pra është edhe thelbi i spiritualitetit të Nënë Terezës, që i ka themelet në dashurinë e pakufishme të Atit Qiellor për të varfrit e të braktisurit, e cila gjen shprehjen më të lartë në misterin e Kryqit e të ngjalljes së Krishtit. Kjo është edhe forca e vërtetë mistike e mësimit që na la trashëgim Shёn Nënë Tereza.

Sa herë, në ferrin e lagjeve të Kalkutës, ose në atë, shpesh edhe më tragjik, të Perëndimit, …sapo dukej Nënë Tereza, njerëzve të përulur nga fati i keq e nga mjerimi, u shndriste në fytyrë një shprehje lumturie, mirënjohjeje, besimi. Sikur vetëm prania e kësaj gruaje, që mishëronte bamirësi e dashuri, ta zhdukte frikën, ta mbushte barkun bosh, të rijepte shpresën. Sepse ky ishte mesazhi i vetëm i Nënë Terezës: t’u thoshte njerëzve, që vuajnë, se janë krijuar nga dora plot dashuri e Zotit, për të dashur e për t’u dashur.

Pra, Ganxhe Bojaxhiu - Shën Nënë Tereza, është dhuratë tejet e çmueshme për botën dhe dishepulle e vërtetë e dashurisë së Krishtit. Jeta dhe dëshmia e kësaj ikone të vërtetë të dashurisë së Zotit, së cilës pikërisht me 26 gusht i kremtohet përvjetori i lindjes, janë një ftesë për mbarё Kishës dhe për mbarë njerëzimin, që t’i shërbejnë me besnikëri Zotit në njerëzit më të varfër ndër varfër, në njerëzit më nevojtarë e të jenё dëshmitarë e përçues tё qytetërimit tё dashurisë.

E mënyra më e mirë për të kremtuar dhe për t'ia uruar përvjetorin e Lindjes Nënës sonë shenjte e të dashur shqiptare, Ganxhe Bojaxhiut, Nënë Terezës, është  të vazhdojmë ta ndjekim dhe ra imitojmë shembullin e saj, e të jemi kudo mjete të dashurisë, tё vëllazërimit dhe të paqes hyjnore.

Në përvjetorin e lindjes së Ganxhe Bojaxhiut, zgjodhëm këtë rrëfim bazuar tek libri “Nënë Tereza e Kalkutës, Jeta Ime” i José Luis Gonzales-Balado, që tingëllon si testament:

Mundohem ta dua Zotin me gjithë vetveten.
Jam lëshuar plotësisht në duart e tij, me gjithë të metat e mia e mungesat e mia.
Ai më pranoi si nusen e vet, me ngrohtësi e dashuri të pakufishme.
Tashmë, për gjithë jetën, jam fati i Krishtit të Kryqëzuar.
Pranova të përfaqësoj të varfrit e mbarë botës: të padëshiruarit, të padashurit, të lënët pas dore, të keqtrajtuarit, të verbrit, të gërbulurit, të alkoolizuarit, të përjashtuarit nga radhët e shoqërisë, të gjithë ata që e kanë harruar ngrohtësinë e dashurisë njerëzore e takimin e njeriut me njeriun.
Jam thellësisht e bindur se e keqja më e madhe dhe vuajtja më e thellë burojnë nga braktisja e njeriut, që nuk duhet, që përbuzet, lihet pas dore, nuk vlen asgjë për askënd.
Nga ana ime mundohem t’u jap të varfërve, për dashuri, atë që të pasurit mund ta blejnë me para.
Unë nuk do ta kisha prekur kurrë me dorë një të gërbulur, edhe sikur të më paguanin një miliard dollarë. Ndërsa e bëj me kënaqësi për dashuri të Zotit.
Kur vërej si trajtohen të varfrit, e kuptoj më mirë trishtimin e Krishtit, që nuk pranohet nga të vetët.
Kush nuk i përfill të varfrit, vijon të mos e përfillë Krishtin.
Të varfrit na nderojnë, duke na lejuar t’u shërbejmë ditë natë, pa ndjerë kurrë lodhje.
Ushqimi shpirtëror që më mban në këmbë, është Mesha Shenjte.
Pa të nuk do të mund të vijoja rrugën që zgjodha as një ditë, madje as një orë.
Në Meshë Jezusi na paraqitet nën trajtën e bukës, ndërsa në lagjet e mjerimit e shikojmë dhe e prekim në trupat e gjymtuar, në fëmijët e braktisur.
Shpesh herë, kur mendoj sa pak jemi në gjendje të bëjmë, më pushton një trishtim i thellë.
Ajo që bëjmë, është vetëm një pikë uji në një oqean të pacak. Tepër e vogël, me një ndikim gati të pandjeshëm mbi pafundësinë e vuajtjeve njerëzore.

25 gusht 2019, 10:16