Kërko

 San Bernardo abate dottore della Chiesa San Bernardo abate dottore della Chiesa 

Më 20 gusht kalendari përkujton shën Bernardin e Kiaravales

Shën Bernardi, që jetoi ndërmjet shekullit XI e XII, është një nga protagonistët e përvojës së monakizmit perëndimor, që shpëtoi kulturën e lashtë, duke krijuar mundësitë e lindjes së një kulture të re. Pa kulturën e punës të murgjërve mesjetarë as që mund të bëhej fjalë për zhvillimin e Evropës.

R. SH. - Vatikan

 Me 20 gusht kalendari kishtar përkujton Shën Bernardin e Kjaravales, abat e dijetar i Kishës, themeluesi i Urdhrit Cestercens. 

Shenjti, që jetoi në shekullin XII, numërohet ndërmjet Dijetarëve të Kishës e njihet si një nga Etërit e saj të fundit, që mblodhi, me aftësi e urti, trashëgiminë e pasur të doktrinës patristike. Dëshironte të jetonte i zhytur në luginën e ndritur të kundrimit, por detyrohej t’i kushtohej një veprimtarie të dendur, të palodhshme, të gjithanshme. Bindja ndaj Kishës dhe dashuria që pati për të, e shtynë shpesh herë ta braktiste qetësinë e manastirit, për t’iu kushtuar çështjeve të ndërlikuara politike e fetare të kohës së vet.

Shën Bernard themeloi 68 manastire të cilat, përveçse qendra fetare, bëhen edhe shkolla të kulturës, të bujqësisë e të punës së dorës. Shtegton në mbarë Evropën në shërbim të Papës për të çuar paqen ndërmjet kombeve. Por gjithë kjo veprimtari e ethshme, nis nga heshtja e thellë e lutjes, sepse për të gjëja më e rëndësishme është të kërkojë Zotin.

Kёshtu, Shën Bernardi i Kiaravales njihet edhe si ‘Ati i fundit” i Kishës, sepse në shekullin XII, edhe një herë, e përtëriu dhe e bëri të pranishme teologjinë e madhe të Etërve kishtar. Nuk i njohim hollësirat e fëmijërisë së tij. Dimë vetëm se lindi në vitin 1090 në Francë, në një familje të madhe e mjaft të kamur. Në rini e tërhoqën të ashtuquajturat ‘arte liberale’, posaçërisht gramatika, retorika e dialektika, të cilat i studioi si nxënës i shkollës së Kanonikëve të Kishës së Shën Vorlë, në Shâtijo-mbi-Sienë, ku dalë-nga-dalë mori vendim të hynte në jetën rregulltare. Ishte njëzet vjeçar, kur trokiti në portën e Sito, një fondacion i ri murgar, plot gjallëri, në krahasim me manastiret më të vjetra të asaj kohe, e njëkohësisht, më i rreptë në praktikimin e këshillave ungjillore.

Në këto vite, para 1300-ës, Bernardi pati një letërkëmbim të shpeshtë me shumë njerëz, të shquar e të thjeshtë. Letrave të shumta të kësaj periudhe, u duhen shtuar Sermonet apo Predikimet e shumta si dhe Sentencat e Traktatet. Gjithnjë në këtë kohë lindi miqësia e tij e ngushtë me Gulielmin, Abat i Sen-Tierrí e me Gulielmin e Shampò, personalitete nga më të rëndësishmit në shekullin XII. Nga viti 1130 e në vijim, nisi të merrej me problemet e rënda të Selisë së Shenjtë e të Kishës. Për këtë arsye iu desh të dilte gjithnjë më shpesh nga manastiri e, nganjëherë, edhe nga Franca.

Themeloi edhe disa manastire femërore e qe protagonist i një letërkëmbimi me Pjetrin e Nderuar, Abat i Klyni, për të cilin fola të mërkurën e kaluar. Në këtë kohë Bernardi luftoi edhe kundër herezisë së katarëve. Shkroi edhe veprat e tij më të famshme, si ‘Sermonet për Këngën e Këngëve”. Në vitet e fundit të jetës – kujtojmë se vdiq në vitin 1153 - Bernardit iu desh t’i kufizonte udhëtimet, gjë që i krijoi mundësitë të rishikonte përfundimisht kompleksin e Letrave, Sermoneve e Traktateve. Meriton të përmendet edhe një libër i veçantë, të cilin e përfundoi më 1145, kur ish-nxënësi i tij, Bernardo Pinjateli, u zgjodh papë, me emrin Eugjeni III. Titullohet “De Consideratione” e përmbledh këshilla që duhen ndjekur për t’u bërë papë i mirë. Libri mbetet aktual për papët e të gjitha kohëve.

Po e përfundoj këtë jetëshkrim të Shën Bernardit me një lutje drejtuar Marisë, shkëputur prej njërës nga homelitë e tij më të bukura: “Në rreziqe, në angështi, në pasiguri, mendo gjithnjë për Marinë, lutu Marisë. Emrin e saj ta kesh gjithnjë në buzë, gjithnjë në zemër. E me që kërkon ndihmë nga lutja e saj, mos e harro kurrë shembullin e jetës së Marisë. Në se e ndjek, nuk do të dredhosh rrugë; në se i lutesh, nuk mund të dëshpërohesh; në se mendon për të, nuk mund të gabosh. Në se ajo të mban, nuk mund të rrëzohesh; në se të mbron, nuk duhet të kesh frikë nga asgjë; në se të prin, nuk do të lodhesh; në se të përkrah, do të arrish pa tjetër tek caku!” (Hom, II super “Missus est”, 17: PL 183, 70-71).

20 gusht 2019, 11:00