Cerca

Vatican News
2019.08.13 I martiri di Otranto del 1480  2019.08.13 I martiri di Otranto del 1480  

Më 14 gusht kalendari kujton Shenjtorët Martirë laikë të Otrantos, vrarë nga turqit më 1480

Është fjala për martirë të vrarë nga Turqit e Gedik Ahmet Pashës gjatë rrethimit të qytetit të Otrantos nga 28 korriku deri më 13 gushtin e vitit 1480, të cilët nuk pranuan t’i binin mohit Krishtit e për shkak të fesë tyre të gjallë e të patundur të krishterë, u vranë prej turqve.

R.SH. - Vatikan

Më 14 gusht kalendari kishtar përkujton Shenjtorët Martirë laikë të Otrantos së Puljes së Italisë, Antonio Primaldo e shokët, që jetuan në shekullin e XVI, kur qyteti qe rrethuar prej turqve otoman. Është fjala për martirë të vrarë nga Turqit e Gedik Ahmet Pashës gjatë rrethimit të qytetit të Otrantos nga 28 korriku deri më 13 gushtin e vitit 1480, të cilët nuk pranuan t’i binin mohit Krishtit e për shkak të fesë tyre të gjallë e të patundur të krishterë, u vranë prej turqve.

Emrat e Antonio Primaldo dhe shokëve tjerë laikë, viktima të martirizimit të 13 gushtit 1480 në Otranto të Pulies nga ana e turqve, për shkak të urrejtjes së fesë së krishterë, na kujtojnë këtë ngjarje të largët, po që vijon të kujtohet e të vlerësohet nga Kisha katolike, sepse martirët e Otrantos derdhën gjakun pikërisht për arsye se nuk pranuan ta mohonin Zotin e tyre, Jezu Krishtin, pse refuzuan të kalonin me dhunë në fenë islame.

Atë ditë të largët – tregojnë kronikat – qyteti i Otrantos u rrethua nga një flotë turke, e udhëhequr nga admirali i madh i perandorisë otomane, Gedik Ahmed Pasha. Garnizoni aragonas, që mbronte qytetin, nuk mundi t’i bëjë ballë sulmit turk e u detyrua të tërhiqej. Turqit mundën të hynin ndërmjet mureve, që mbroheshin vetëm nga qytetarët. Kapën me qindra e vijuan t’i masakronin tri ditë me radhë. Ra martir, ndërmjet tjerëve, edhe ipeshkvi imzot Stefano Pendineli, duke larë me gjak të tij Kishën Katedrale të famshme për dyshemenë më të bukur mesjetare, stolisur me mozaikë. 

Ahmed Pasha dha urdhër të mbyteshin të gjithë meshkujt mbi moshën 15 vjeç, që ishin kapur gjatë pushtimit. Ishin rreth 800 vetë në moshë 15 vjeç e më tej. Më 13 gusht 1480 atyre u propozuan të zgjidhnin ndërmjet mohimit të fesë në Krishtin dhe vdekjes. Në emër të të gjithëve u përgjigj qetësisht e vendosmërisht plak i grigjës së deleve, Antonio Primaldo, që tha pa i dridhur qerpiku: “Deri tani kemi luftuar për të mbrojtur atdheun tonë, pasuritë tona e jetën tonë: tani na takon të luftojmë për të mbrojtur Jezu Krishtin e për të shpëtuar shpirtrat tonë”. Atëherë, në grupe prej 50 vetash, i çuan në kodrën, që asokohe quhej “e Minervës”, ndërsa më pas, “Kodra e martirëve”, ku Turqit ua prenë kokat.

Trupat e tyre u lanë mbi tokë (dhé) për një vit rresht, deri më 15 gusht 1481, kur të krishterët e çliruan qytetin e Otrantos nga forcat otomane. Atëherë reliket e martirëve, të kthyera dalë-nga–dalë në skelete para syve të tmerruar të qytetarëve, u mbartën e u varrosen me nderim të thellë. E tani nderohen si relike shenjtorësh.

Në vitin 1539 me propozim të Kryetarit të Bashkisë së Otrantos, Giovanni Francesco de Cesanis, për çështjen e formës së kultit, që besimtarët e qytetarët i bënin Martirëve të vrarë mbi Kodrën e Minevrës, paraqitur nga kryeipeshkvi Pietro Antonio de Capua (1536-1579), Vikari shpirtëror imzot Antonio De Beccariis, Ipeshkëv i Shkodrës, nga 17 qershori deri më 22 shtator përpiloi dëshmitë e dhjetë “Qytetarëve të nderuar...të vlerësuar nga të gjithë si dëshmitarë, si të ndershëm e të mirë, e shëndosh nga mendja”, pra përpiloi ‘Informatio’ (Të dhënat apo “Procesin e Parë Kanonik të Otrantos”) mbi historinë e kultin e Martirëve si dhe mbi shenjat e mrekullueshme që janë bërë prej tyre.

Më pas procesi kanonik vijoi deri me dekretin e Papës Klementit XIV më 14 shtator 1771 kur i shpall të Lumtur. Më 14 dhjetor 1771 qe lëshuar një dekret që konfirmon kultin “ab immemorabili” për nderë të Martirëve. Më 1988 qe emëruar nga kryeipeshkvi i Otrantos komisioni historik e në vitet 1991-1993 qe kremtuar hetimi dioqezan, njohur si e vlefshme nga Kongregata e Vatikanit për Çështjen e Shenjtorëve me dekretin e 27 majit 1994.

Më 6 korrik 2007 Papa Benedikti XVI miratoi dekretin me të cilin njihte që të Lumtë Martirë Antonio Primaldo e shokët qenë vra për shkak të fesë e të besnikërisë së tyre ndaj Jezu Krishtit. Më 12 maj 2013 Papa Françesku i shpalli shenjtorë në Vatikan. Festën e tyre liturgjike, kalendari kishtar e kujton më 14 gusht.

Këta Martirë Shenjtorë të Otrantos, të kujtojnë edhe shumë martirë shqiptarë të vrarë po nga turqit osmanë, për shkak të urrejtjes ndaj fesë së krishterë, qindra e mijëra martirë shqiptarë që presin të njihet historia e martirizimit të tyre, historia e guximit dhe e dëshmisë së jashtëzakonshme që ata dhanë për Fe e Atdhe, për Krishtin e Vendlindjen e tyre.

Po mjerisht, sot, shumë shqiptarë janë të gatshëm ta rishikojnë e madje ta ndryshojnë historinë e popullit shqiptar, me kërkim e trysni të pushtuesit e të vrasësit osman, ndërsa italianë e shumë popuj tjerë, i vlerësojnë martirët e vet dhe ata që dhanë jetën duke mbrojtur identitetin kombëtar, përcaktimin e udhës së qytetërimit dhe përkatësinë fetare.

14 gusht 2019, 10:54