Kardinali kuban Ortega Kardinali kuban Ortega 

Vdiq kardinali Ortega, kryeipeshkëv nderi i San Cristóbal de La Habana (Kubë)

Kardinali kuban Jaime Lucas Ortega u shua pas orës 6 të mëngjesit. Ishte kryipeshkëv i kryeqytetit kuban për 34 vjet e në krye të Kishës së Kubës gjatë vizitës historike të Gjon Palit II, por edhe të Benediktit XVI e Papës Françesku.

R. SH. - Vatikan

Vdiq sot në agim, pas një beteje të gjatë për të mundur kancerin, kardinali kuban Jaime Lucas y Alamino, kryipeshkëv-nderi i San Cristóbal de La Habana. Ishte 82 vjeç. Në një komunikatë, nëshkruar nga kryeipeshkvi aktual i Havanës, imzot Juan de la Caridad García Rogriguez, prelatët kubanë kujtojnë cilësitë e tij e, sidomos, zellin baritor. “Ne e kemi këtë thesar në enë balte”; “hiri im të mjafton!” - shkruajnë - ishin sloganet e shkëputura nga Letra drejtuar Korintianëve, që Kardinali i ndjerë i kishte zgjedhur për shugurimin meshtarak e atë ipeshkvnor, si forcë frymëzuese për atë meshtari, mungesën e së cilës e ndjejmë fort sot”. Kështu shkruhet në komunikatën e ipeshkvijve. “Sepse - shtojnë - nuk do ta kemi më mes nesh me buzëqeshjen e tij, me inteligjencën largpamëse e dëshminë e një  meshtarie që u dhurua, e nganjëherë vuajti thellësisht”.

Jetëshkrim i shkurtër

Kardinali Ortega lindi në Jagüey Grande, të dioqezës së Matanzas, më 18 tetor 1936. U formua si meshtar në Seminarin dioqezan të Shën Albertit të Madh, drejtuar nga Etërit e Misioneve të Huaja të Québec. Pas katër vjet studimesh humanistike e filozofike, u dërgua nga ipeshkvi vendas pranë Etërve të Kanadasë, për studimin e teologjisë. Sapo u kthye në Kubë, u shugurua meshtar, më 2 gusht të vitit 1964, në Katedralen e Matanzas. Nësa ishte Mëkëmbës i ipeshkvit të Cárdenas, shërbesa e tij u ndërpre për 8 muaj, në vitin 1966, kur u internua në kampet e punës së detyruar (UMAP). Si u lirua, më 1967, u emërua famullitar i fshatit ku kishte lindur e, dy vjet më pas, famullitar i Katedrales së Matanzas.

Apostullimi i tij qe shumë aktiv

Më 4 dhjetor 1978, Gjon Pali II e emëroi ipeshkëv të Pinar del Rio. Më 20 nëntor 1981 ishte kryeipeshkëv i San Cristobal de l’ Avana e këtu, për më se 34 vjet me radhë, zhvilloi një punë të zellshme baritore, duke treguar vëmendje të posaçme për laikët e të rinjtë, për të cilët ngriti disa qendra formimi. Krijoi famulli të reja, kushtetutën e Këshillit Dioqezan të baritorisë, rindërtoi katër kisha e shtëpi baritore. Më 1991, themeloi Karitasin e Havanës, zanafillë e Karitasit kuban. Edhe pse Kisha në Havanën nën Fidel Kastron, nuk kishte të drejtë të përdorte mjetet e komunikimit shoqëror, ia doli mbanë që zëri i tij të arrinte tek njerëzit përmes homelive, buletineve, fjalimeve, mesazheve.

Shoqëroi vizitën e tre Papëve në Kubë

Katër herë kryetar i Konferencës së ipeshkvijve katolikë të Kubës, ishte edhe kryetar i C.E.L.A.M.(Këshilli Ipeshkvnor Latinoamerikan) dhe këshilltar i Komisionit për Amerikën Latine. Në janar 1998 priti Shën Gjon Palin II, në shtegtimin e tij historik në Kubë e, në mars 2012, Papën Benedikti XVI. E po ai priti edhe Papën Françesku, në shtator 2015; pastaj, ishte i pranishëm edhe në ndalesën e Atit të Shenjtë, më 12 shkurt 2016, në Havanë, për takimin me Shenjtërinë e Tij Kirill, Patrik i Moskës dhe i gjithë Rusisë.

I krijuar kardinal nga Gjon Pali II në Koncistorin e 26 nëntorit 1994, mori pjesë në konklavin e prillit 2005, që zgjodhi Papë Benediktin XVI dhe në atë të marsit 2013, kur u zgjodh Papa Françesku. Dha dorëheqjen për arsye moshe, më 2016.

Kolegji aktual kardinalor

Me vdekjen e kardinalit Jaime Lucas Ortega Y Alamino, jo zgjedhës, kolegji kardinalor përbëhet nga 217 kardinaj, nga të cilët, 120 me të drejtë zgjedhore, 97 jo zgjedhore. Me vdekjen e tij në Kolegjin Kardinalor nuk ka më asnjë kardinal nga Kuba, ndërsa vendet, që përfaqësohen në kolegj, janë 87.

26 korrik 2019, 17:48