Vatikan: Matteo Bruni “Kemi nevojë për një komunikim zyrtar transparent”
R. SH. - Vatikan
“Në realitetin ku ndodhem, duhet ‘një komunikim zyrtar i qartë, transparent i ngjarjeve, që të japë ndihmesën për leximin e kompleksitetit të botës, në të cilën jetojmë. Mendoj për një komunikim, që ta thellojë mirëkuptimin e konteksteve ku ndodhin ngjarjet”. Këtë nënvizon Matteo Bruni i cili, që nga 22 korriku, do të jetë drejtori i ri i Sallës vatikanase të Shtypit.
“Papnia e Papës Françesku - kujton Bruni në Vatican News - tregohet tashmë përmes gjesteve të tij, fjalëve, rrugëve që zgjedh, por pesha historike e disa ngjarjeve nganjëherë kuptohet më mirë në një perspektivë më të hapur. Në këtë kuptim, do të dëshiroja ta bëja Sallën e Shtypit gjithnjë më shumë pikë mbështetjeje për gazetarët, për t’ia treguar Papën dhe Selinë e Shenjtë mbarë botës”.
Bruni falënderon kolegun, që i parapriu: “Falënderoj atë, që më parapriu në këtë përpjekje, kolegun dhe mikun tim, Alessandro Gisotti që, në këto gjashtë muaj, punoi bujarisht, me gatishmëri, profesionalitet e ndjeshmëri të thellë njerëzore. Dëshiroj që edhe shërbimi im të ecë mbi këto gjurmë, së bashku me kë do të punojë përkrah meje e me të gjithë kolegët e Sallës së Shtypit të Selisë së Shenjtë”.