Varreza Teutonike Varreza Teutonike 

Varreza Teutonike në Vatikan dhe çështja Orlandi

Çështja Orlandi: do të hapen edhe dy gropa të tjera me eshtra, në Varrezën Teutonike, pas varreve të dy princeshave, që u gjetën bosh.

Siç dihet, eshtrat e Emanuela Orlandit, vajzës 15-vjeçare të një punonjësi vatikanas, zhdukur pa gjurmë që prej 35 vjetësh, u kërkuan këto ditë në Varrezën Teutonike, por nuk u gjetën. Për të zhdukur çdo dyshim, magjistratura vatikanase vendosi të bëjë kërkime të reja në dy vende të tjera, brenda Kolegjit Teutonik, ku ruhen eshtra, jo larg nga varret boshe të dy princeshave. Njoftimin e dha sot drejtori i përkohshëm i Sallës së Shtypit të Selisë së Shenjtë, Alessandro Gisotti.

Kërkimet e eshtrave të Emanuela Orlandit do të vijojnë

Do të vijojnë, pra, kërkimet, në këtë vend, që quhet “Campo Santo dei Teutonici”. Varreza teutonike, vendvarrim brenda mureve të Vatikanit, ku pushojnë në paqe, duke pritur zgjimin e mbramë edhe njerëz, emrat e të cilëve shkruhen në faqet e historisë së njerëzimit, ka një të kaluar sa të lashtë, aq edhe interesante. Po e kujtojmë, prandaj, shkurtimisht, historinë e kësaj varreze e të “banorëve” të saj të vdekur, që të mund të kuptohet më mirë edhe vijimi i kërkimit të eshtrave të vajzës së zhdukur, me jehonë shumëvjeçare në mjetet e komunikimit.

Friedhof der Deutschen und der Flamen - Varreza e Gjermanëve dhe e Fiamingëve

Varreza e Gjermanëve dhe e Fiamingëve ndodhet në Udhën vatikanase të Sakrestisë, pranë Kishës së vogël, të lashtë, të Shën Marisë së Mëshirës, Kishë që frekuentohet shumë nga Rojet zvicerane të Papës.  

Në Varrezën e lashtë, me histori qindravjeçare, në zemër të Qytetit të Vatikanit, “banojnë” një mori njerëzish, vdekur në rrethana të ndryshme, në Qytetin e Amshuar. Janë me origjinë austriake, jugtiroleze, zvicero-gjermane, liehtenshtaineze, luksemburgeze, belge,  gjermane e hollandeze.

Një kuadrat i vogël toke, i rrethuar dimër-verë me lule e me blerimin e selvive. Ndërmjet Kolegjit teutonik, Bazilikës së Shën Pjetrit dhe Sallës Pali VI, ku mbahen audiencat e Papës. Është varreza më e lashtë gjermanike në Romë. Zona, e rrethuar me një mur të lartë, dikur ishte cirku i Neronit. Vend simbolik, ku u martirizuan një mori të krishterësh të bashkësive të para. Aty gjinden eshtra qindravjeçare. Eshtra mbi eshtra, pra, në këtë vend. Sepse ka shumë mundësi që u përdor edhe si varrezë, pikërisht në këto kohë heroike. Thuajse dymijë vjet më parë! Në vitin 799, këtu u ngrit Schola francorum, e themeluar nga Karli i Madh. Shtresë mbi shtresë eshtrash e shtresë mbi shtresë historie. Në këtë kuadrat dheu blerosh, ku flejnë njerëz të të gjitha epokave: klerikë e dijetarë, princër e artistë, madje edhe endacakë, do të vijojnë kërkimet. Jo të lehta.

Rindërtimi i Varrezës

Duke shfletuar historinë e këtij vendi gjatë vitit 1450, lexojmë  se kisha e varreza teutonike ishin dëmtuar rëndë e duheshin rindërtuar. Më 1454 anëtarët e Kuries Romake me origjinë gjermane dhanë fondet e nevojshme  për rindërtimin e plotë të zonës, duke garantuar edhe mirëmbajtjen gjatë shekujsh e duke i dhënë formën aktuale nga fundi i atij shekulli. Në vitin 1597 u themelua  “Arqivëllazëria e Zojës”, me seli pranë varrezës e me detyrën ta mirëmbante. E mirëmbajtja vijon edhe sot e kësaj dite aq, sa vizitorit që bën hapin e parë brenda mureve të saj, në fillim i duket si të ishte duke hyrë në një lulishtë.

Emra të shquar, mbi rrasa

Veç martirëve të paemër, por sigurish të paharruar, mbi rrasat e bardha, të mermerta, lexojmë një mori emrash, të njohur mirë nga ata, që studiojnë historinë e Kishës, apo atë të njerëzimit. Ndërmjet këtyre emrave po kujtojmë vetëm disa: këtu është varrosur Stefan Andrei, shkrimtar, vdekur në vitin 1970; Johann Baptist von Anzer, ipeshkvi i parë i misionarëve verbitë, vdekur më 1903; Hubert Jedin, historian i Kishës, studiuesi më i njohur i Koncilit të Trentos, vdekur më 1980; Hermann Kanzler, komandant i ushtrisë papnore në Betejën e Mentanës, vdekur më 1888. Pastaj, dy aristokratet, që nuk u gjetën: Carlotta Federica di Magdenburgo-Schwerin, dukeshë, bashkëshorte e mbretit Kristiani VIII i Danimarkës, vdekur në vitin 1840 dhe Sofia di Hohenlohe-Waldenburg-Bartenstein, princeshë, vdekur më 1836.

Po kujtojmë edhe Augustin Theiner, prefekt i Arkivit Sekret të  Vatikanit, vdekur më 1874, Rolf Schot, historian arti e një nga studiuesit më të shquar të Mikelangelo-s, vdekur më 1977 si dhe Johann Martin von Wagner arkeolog e artist, vdekur në vitin 1858.

Kriteri për t’u varrosur në Varrezën Teutonike është të jesh katolik, i gjuhës amtare gjermane ose fiaminge, pavarësisht nga kombësia, e të kesh banuar në Romë, deri në çastin  e pushimit të pasosur në këtë Varrezë, që i shëmbëllen një lulishteje, ku spikasin një mori engjëjsh e shtatoresh të ndryshme, prej mermeri të bardhë.

Kjo është, pra, varreza, sot në qendër të vëmendjes, në kërkim të një vajze të humbur pa nam pa nishan, e cila vijon të kërkohet për t’i dhënë fund  kërkimeve pa rezultat, që ngjallin shqetësime që prej rreth 40 vjetësh, jo vetëm në familjen e saj. A do të gjindet ndërmjet malit me eshtra të varrezës? Që të mund të pushojë më në fund në paqe? Këtë do ta tregojë vijimi i kërkimeve!

13 korrik 2019, 17:52