Kërko

Shenjta Nënë Terezë, Ganxhe Bojaxhiu Shenjta Nënë Terezë, Ganxhe Bojaxhiu 

Thënie të Shenjtës Nënë Terezë që njihen në të gjithë botën

Shenjta Nënë Terezë, Çmim Nobel për Paqe në vitin 1979, e Lume më 2003, Shenjte më 2016, ka shumë për t’u mësuar njerëzve e sidomos kombit ku lindi, atij shqiptar. Nuk pati shkruar kurrë mësime, por mësoi me shembull konkret e, megjithatë, thëniet e saj njihen në të gjithë botën.

R.SH. - Vatikan

Shenjta Nënë Terezë, Çmim Nobel për Paqe në vitin 1979, e Lume më 2003, Shenjte më 2016, ka shumë për t’u mësuar njerëzve e sidomos kombit ku lindi, atij shqiptar. Nuk pati shkruar kurrë mësime, por mësoi me shembull konkret e, megjithatë, thëniet e saj njihen në të gjithë botën. Ja disa prej tyre:

- Të duash do të thotë të bësh gjëra të vogla me dashuri të madhe.

- Ngaqë nuk mund ta shohim Krishtin, nuk mund ta shprehim dashurinë tonë për Të, por fqinjët i shohim gjithmonë, prandaj mund të bëjmë për ta çfarë do të donim ta bënim për Krishtin, nëse do ta shihnim.

- “Do të jem shenjte” do të thotë ta zhvesh vetveten nga çdo gjë që s’është e Zotit; t’i shkul nga zemra të gjitha gjërat e kësaj bote; të jetoj në varfëri dhe mënjanim; të heq dorë nga dëshirat, prirjet, tekat, idhujt e mi e ta bëj vetveten, me dëshirë, skllave të vullnetit të Zotit. 

- Mos i prisni kryetarët. Bëjini gjërat vetë, njëri për tjetrin.

- Fjalët e mira mund të jenë të shkurtra dhe të lehta për t’u thënë, por jehona e tyre është vërtet pa fund.

- Nganjëherë, ne mendojmë se varfëri do të thotë vetëm të jesh i uritur, i zhveshur e pa shtëpi. Varfëria e të qenit i padëshiruar, i padashur, pa njeri që të kujdeset për ty, kjo është varfëria më e madhe. Ne duhet të fillojmë nga shtëpitë tona për t’i dhënë fund kësaj lloj varfërie.

- Vuajtja është dhuratë e madhe e Zotit.

- Të gjithë e provojmë në jetë dhimbjen, vetminë. Duhet të kemi guxim e t’i njohim kur vijnë. Të varfërit mund t’i keni edhe në familjen tuaj. Gjejini. Duajini.

- Duhet të flasim më pak. Një vend për t’u lutur nuk është vend për thashetheme.

- Në Perëndim ka vetmi, të cilën unë e quaj “gërbula e Perëndimit”. Në shumë mënyra, kjo është më keq se ajo e të varfërve tanë në Kalkutë.

- Të varfërit na japin shumë më tepër nga sa u japim ne atyre. Ata janë kaq të fortë, jetojnë çdo ditë pa ushqim e nuk mallkojnë kurrë, nuk ankohen. S’kemi nevojë të tregojmë mëshirë apo simpati për ta. Kemi kaq shumë për të mësuar prej tyre.

- Unë nuk lutem për sukses. Kërkoj plotësinë e fesë.

- Nëse i gjykoni njerëzit, nuk keni kohë t’i doni ata.

23 korrik 2019, 21:32