Siria Siria 

Selia e Shenjtë: nuk mund të mos e dëgjosh britmën e atyre, që nuk kanë ushqim as ilaçe

Shqetësimi i thellë i Papës Françesku për situatën humanitare në Siri, ndjehet fort në fjalët e imzot Bernardito Auzës, drejtuar OKB-së së New York-ut. Shoqëruar me urimin që të rifillojnë edhe bisedimet ndërmjet izraelitëve e palestinezëve e me shqetësimin ndaj Jemenit, ku ndjehet nevoja për koherencë e për ndihma humanitare, të cilat janë jetike e nuk mund të zëvendësohen.

R. SH. - Vatikan

Çështja palestineze, Siria, Jemeni, Iraku! Përfshiu gjithë zonën e Lindjes së Mesme imzot Bernardito Auza, vëzhgues i përhershëm i Selisë së Shenjtë pranë OKB-së, duke folur dje, gjatë diskutimit të hapur nga Këshilli i Sigurimit, kushtuar “Lindjes së Mesme, përfshirë këtu dhe çështjen palestineze”. Thënë me dy fjalë, imzot Auza ritheksoi se duhet ecur në rrugën e dialogut, të tolerancës e të bashkëjetesës paqësore, në mënyrë  që të mund të zgjidhen problemet kryesore ekonomike, shoqërore, politike e ambientale, të cilat rëndojnë fort mbi kurrizin e pjesës më të madhe të njerëzimit.

Izraelitë-Palestinezë: duhet të rikthehen në tryezën e bisedimeve

Mbështetja humanitare mbetet jetike, për të krijuar ambientin e nevojshëm lidhur me bisedimet ndërmjet izraelitëve e palestinezëve, por nuk mund t’i zëvendësojë - vërejti imzot Auza -  duke e nisur reflektimin e tij pikërisht nga “shkallëzimi i rrezikshëm  i dhunës” në Gazë e Çisjordani, gjë që u theksua nga koordinatori i posaçëm për procesin e paqes në Lindjen e Mesme, Nickolay Mladenov. Klimë mosbesimi ndërmjet palëve kjo - theksoi - që mund të shndërrohet me shpejtësi rrufeje në akte të dhunshme, të cilat vënë në rrezik jetën e palestinezëve dhe të izraelitëve të pafajshëm.  Për përfaqësuesin e Selisë së Shenjtë pranë e OKB-së, ky debat i hapur duhet të çojë në veprime konkrete e të mos mbetet thjesht koment kushtuar pengesave për arritjen e zgjidhjes së shumëdëshiruar “të krijimit të dy shteteve, me kufij të njohur në nivel ndërkombëtar”. Imzot Auza kërkoi, më pas, angazhimin e bashkësisë ndërkombëtare me donacione që, përmes UNRWA u garantojnë shërbimet e bazës refugjatëve palestinezë, por që, nuk mund t’i zëvendësojnë bisedimet. Angazhimi që uron imzot Auza është “të inkurajohen palët për t’u rikthyer në tryezën e bisedimeve”, për një ardhmëri paqësore gju më gju".

Siri: të respektohet e drejta humanitare

Duke folur për Sirinë, posaçërisht për disa nga zonat e saj ende të pasigurta, nënvizoi se krijimi i krizës më të keqe humanitare mbetet shumë i lartë. Nuk mund t’i bëjmë veshët të shurdhër, para britmës së njeriut që po vdes nga uria, që nuk ka kujdesin e duhur mjekësor, që i mungon shkolla për fëmijët, e aq më pak, para vajit të jetimëve, vejushave, të plagosurve” - theksoi me forcë imzot Auza, duke shprehur shqetësimin e tij të thellë për situatën humanitare në Siri, theksuar edhe nga Papa Françesku në letrën dërguar këto ditë presidentit Assad. Shqetësim, që buron nga kushtet dramatike, në të cilat jeton posaçërisht popullsia civile e Idlib, ku vijojnë bombardimet. Papa - kujtoi përfaqësuesi i Selisë së Shenjtë - përsërit thirrjen e tij për mbrojtjen dhe respektimin e së drejtës humanitare.

Për Jemenin, prelati kërkoi koherencë në shitjen e armëve

E pastaj kujtoi se keqësimi i situatës humanitare në Jemen, ku nevojtarët  nuk kanë bukë as kujdes mjekësor, ngjall një shqetësim shumë të madh. Mjafton të mendosh se, sipas Pam, miliona njerëz vuajnë nga mungesa  e ushqimit, shkaktuar nga një konflikt, i cili vijon që nga viti 2014, ndërmjet forcave qeveritare e kryengritësve. Imzot Auza, përveç ndalimit të zjarrit, kërkoi edhe hyrjen e menjëhershme të furnizimeve në vend.  Pa harruar të nënvizojë edhe nevojën e koherencës. Sepse - theksoi me forcë - “si mund të bëjmë thirrje për paqe në Lindjen e Mesme e të angazhohemi në aksione humanitare, duke vijuar njëkohësisht të lejojmë shitjen e armëve në këto vise, që nuk po  gjejnë paqe!”.

Rrugëzgjidhje paqësore në zonën e Gjirit

Së fundi, shikimi i vëzhguesit të Selisë së Shenjtë pranë OKB-së u zhvendos në Irak, ku ngjallen shpresa të mëdha për ecjen në udhën  e pajtimit e të rindërtimit, pas krimeve të pabesueshme kryer nga Shteti i vetëshpallur Islamik mbi popullsinë, e posaçërisht mbi pakicat fetare dhe etnike. Uroi, prandaj, që bashkësia ndërkombëtare të jetë gjithnjë në kërkim të rrugëzgjdhjeve paqësore të krizave aktuale në zonën e Gjirit, që të mos vlojnë  përsëri konfliktet ndërmjet fuqive të kësaj zone, gjithnjë në flakë! 

24 korrik 2019, 14:39