Kërko

Varrezat Teutonike në Vatikan Varrezat Teutonike në Vatikan 

Rasti Orlandi: Vatikani hap dy varre në Varrezën Teutonike

Varret do të hapen më 11 korrik, në praninë e avokatëve të palëve. Vendimi është marrë pas denoncimit të familjes së Emanuela Orlandit. Siç dihet tashmë, gjatë muajve të fundit, të afërmit e vajzës kanë sinjalizuar fshehjen e mundshme të kufomës në Varrezën Teutonike, brenda territorit të Shtetit të Vatikanit.

R.SH. - Vatikan

Drejtori i përkohshëm i Sallës së Shtypit të Selisë së Shenjtë, Alessandro Gisotti, deklaroi se Zyra e Promotorit të Drejtësisë në Gjykatën e Shtetit të Vatikanit, në veçanti, prof. Gian Piero Milano dhe zëvendësi i tij, prof. Alessandro Diddi, me dekretin e 27 qershorit 2019, urdhëruan hapjen e dy varreve në Varrezat Teutonike.

         Veprimet do të bëhen më 11 korrik, në praninë e avokatëve të palëve - përveç të afërmve të Emanuela Orlandit dhe të afërmve të njerëzve të varrosur aty - me ndihmën teknike të prof. Giovanni Arcudi, të komandantit të Xhandarmërisë së Vatikanit, Domenico Giani, dhe të personelit të Xhandarmërisë.

Historia e Emanuela Orlandit

         Kujtojmë se historia e Emanuela Orlandit, vajza 15-vjeçare e një punonjësi të Prefekturës së Shtëpisë Papnore, daton më 22 qershor 1983, ditë në të cilën ajo u zhduk për të mos u gjetur më. Çka në fillim dukej si një largim i zakonshëm vullnetar i një të reje nga shtëpia, u bë shpejt një nga rastet më të panjohura në historinë e Italisë dhe të Vatikanit, ku janë përfshirë subjekte të tjera si Banda e Magliana-s, Banka Ambroziane dhe shërbimet sekrete të vendeve të ndryshme. E vërteta mbi këtë ngjarje akoma nuk ka dalë.

         Vendimi, që u bë i njohur sot, tregon se Zyra e Promotorit ka kryer hetime të mëtejshme, me qëllim rishikimin e fazave kryesore gjyqësore të këtij rasti të ndërlikuar dhe të dhimbshëm. Është e rëndësishme të themi se, për arsye ligjore, autoriteti hetues i Vatikanit nuk ka jurisdiksion për të shqyrtuar zhdukjen e Emanuela Orlandit në Itali. Prandaj, iniciativa e Vatikanit ka të bëjë vetëm me konstatimin e varrimit të mundshëm të trupit të vajzës në territorin e Shtetit të Vatikanit.

Roli i kardinalit Parolin

Më 4 marsin e këtij viti, duke iu përgjigjur pyetjeve të gazetarëve, Alessandro Gisotti pati pohuar se “letra e familjes Orlandi ishte pranuar nga kardinali Pietro Parolin dhe se kërkesat e saj do të studioheshin”. Familja e vajzës i pati kërkuar Sekretarit të Shtetit të Vatikanit të hapte një varr të lashtë në Varrezat Teutonike të Vatikanit.

Si lindi kërkesa e familjes Orlandi

         Kjo kërkesë u bë menjëherë pasi avokatja e familjes, Laura Sgrò, mori një letër me fotografinë e varrit, ku mendohet të jetë kufoma. Në të shkruhet: “Shikoni ku tregon engjëlli”. Pikërisht në njërin nga muret e Varrezës, ndodhet një shtatore engjëlli, që mban një fletë ku shkruhet në latinisht: “Requiescat in pace” (Pushoftë në paqe). Mbi rrasën e varrit ka një mbishkrim kushtuar princeshës Sofia dhe Princit Gustavo von Hohenlohe, i cili, në vitin 1857, u emërua kryeipeshkëv nga Papa Piu IX. Nga ai çast u bënë disa hetime dhe u zbulua se varri ishte hapur të paktën një herë dhe se datimi i shtatores ishte i ndryshëm nga ai i rrasës. Hetimet vazhdojnë, por, vlen të theksohet se në rastin e Emanuela Orlandit ka pasur shumë sinjalizime të pabazuara.

02 korrik 2019, 15:05