Spa_Madre Teresa Spa_Madre Teresa 

Porosia e Nënë Terezës: jeta jote të ndriçohet nga dashuria

Jeta e saj është dëshmi e dinjitetit dhe e privilegjit të shërbimit të përvuajtur. Ganxhe Bojaxhiu nuk pati vendosur të ishte thjeshtë e fundmja, por shërbëtorja e njerëzve më të fundmë, e më të braktisurve. Puna që duhet të bëjmë, pavarësisht se e vogël dhe e përvuajtur, duhet bërë në shenjën e dashurisë .

R.SH. - Vatikan

Çdo herë që flasim për Shenjtën shqiptare, Nënë Terezën, përjetojmë një emocion të posaçëm, sepse jemi para një shërbëtore të madhe të të varfërve, të Zotit e të botës. Jeta e saj është dëshmi e dinjitetit dhe e privilegjit të shërbimit të përvuajtur. Ganxhe Bojaxhiu nuk pati vendosur të ishte thjeshtë e fundmja, por shërbëtorja e njerëzve më të fundmë, e më të braktisurve. Si Nënë e vërtetë e të varfërve, Nënë Tereza vendosi t’i provojë vetë format e ndryshme të varfërisë.

Madhështia e saj qëndron në aftësinë për të dhënë pa pritur shpërblim, për të dhënë “deri në dhembje. Jeta e saj radikale, ishte Ungjill i gjallë. Britma e Krishtit në kryq "Kam etje!" (Gjoni 19: 28), që shpreh dëshirën e thellë të Zotit për njeriun, hyri në thelb të shpirtit të Nënë Terezës dhe gjeti tokë pjellore në zemrën e saj. Të shuash etjen e Jezusit për dashuri dhe për shpirtra njerëzore, në bashkim me Shën Marinë, Nënën e Krishtit, u bë qëllimi i vetëm i jetës së Nënë Terezës; u bë forcë e brendshme, që e shtynte atë të mos kujdesej për vetveten dhe të vraponte papushim rreth e përqark globit për të punuar për shpëtimin dhe shenjtërimin e më të varfërve ndër të varfër.

Prandaj ende sot Shenjta shqiptare, Engjëlli i të varfërve na rrëfen udhën e dritës e të dashurisë...

"Dëshiroj me gjithë zemër ta ndez dritën e dashurisë së Krishtit në zemrën e çdo krijese. Hyji na dashuron e vijon të na përdorë, mua e ty, për të ndezur dritën e dashurisë së Tij në botë. Lëre jetën tënde të ndriçohet nga vërtetësia e Tij, kështu që Zoti të vijojë ta dashurojë botën përmes nesh. Mundohu me gjithë zemër të bëhesh dritë e shkëlqyer.
Ne nuk duhet të kemi frikë ta shpallim dashurinë e Jezusit dhe të duam ashtu si na deshi Ai. Puna që duhet të bëjmë, pavarësisht se e vogël dhe e përvuajtur, duhet bërë në shenjën e dashurisë së Krishtit në veprim. Gëzohuni që Krishti ecën përsëri në botë përmes jush e, nëpërmjet jush, vijon të bëjë mirë.

Po, kush është Jezusi për Nënë Terezën?

Jezusi është Fjala e mishëruar.
Jezusi është Buka e Jetës.
Jezusi është Fjala e gozhduar në Kryq për mëkatet tona.
Jezusi është Flija e flijuar në Meshën Shenjtë
për mëkatet e botës dhe të miat.
Jezusi është Fjala për t’u thënë.
Jezusi është e vërteta për t’u treguar.
Jezusi është Rruga ku duhet ecur.
Jezusi është Drita për t’u ndezur.
Jezusi është Jeta për t’u jetuar.
Jezusi është Dashuria për t’u dashur.
Jezusi është Gëzimi për t’u ndarë me të tjerët.
Jezusi është Paqja për t’u dhënë.
Jezusi është Buka e Jetës për t’u ngrënë.
Jezusi është i Urituri për t’u ushqyer.
Jezusi është i Eturi për një pikë ujë.
Jezusi është i Zhveshuri për t’u veshur.
Jezusi është i Pastrehu për t’u strehuar.
Jezusi është i Sëmuri për t’u mjekuar.
Jezusi është i Braktisuri për t’u dashur.

17 korrik 2019, 12:38