Kërko

Varrezat Teutonike në Vatikan Varrezat Teutonike në Vatikan 

Në Varrezën Teutonike në Vatikan, asnjë shenjë e Emanuela Orlandit

Hapja e dy varreve në Vatikan, për të verifikuar praninë e mundshme të eshtrave të Emanuela Orlandit, nuk sollën ndonjë rezultat.

R.SH. - Vatikan

Asnjë kufomë. Asnjë arkivol, asnjë urnë dhe asnjë kockë. Operacionet në Varrezat Teutonike në Vatikan, për të verifikuar hipotezën e pranisë së trupit të Emanuela Orlandit, nënshtetates vatikanase zhdukur 36 vjet më parë, përfunduan në orën 11.15. Hulumtimet dhanë rezultat negativ. Inspektimi i kujdesshëm filloi me hapjen e varrit të princeshës Sophie von Hohenlohe, duke nxjerrë në dritë një hapësirë të madhe nëntokësore prej rreth 4 me 3.70 metra, krejtësisht bosh. Më pas, u hap varri i dytë-sarkofag, i princeshës Carlotta Federica e Mecklemburg-ut. Edhe në këtë rast, nuk u gjet asgjë. Anëtarët e familjes së dy princeshave u informuan menjëherë për rezultatet e hulumtimit.

         Në këtë operacion, bashkëpunoi personeli i Fabrikës së Shën Pjetrit, profesor Giovanni Arcudi, i ndihmuar nga stafi i tij, në prani të një eksperti, caktuar nga avokatja e familjes së Emanuela Orlandit. Të pranishëm, edhe vetë avokatja Laura Sgrò dhe vëllai i Emanuelës, Pietro Orlandi. Promotori i Drejtësisë i Gjykatës së Shtetit të Vatikanit, Gian Piero Milano dhe ndihmësi i tij, Alessandro Diddi, së bashku me komandantin e Trupave të Xhandarmërisë, Domenico Giani, ndoqën të gjitha fazat e punimeve.

         “Për detaje të mëtejshme - informon drejtori i përkohshëm i Sallës së Shtypit të Selisë së Shenjtë, Alessandro Gisotti, - po kontrollohen dokumentet, që kanë të bëjnë me ndërhyrjet strukturore në zonën e Varrezave Teutonike, në një fazë të parë në fund të shekullit të XIX dhe, në një fazë e dytë, ndërmjet viteve gjashtëdhjetë dhe shtatëdhjetë të shekullit të kaluar”. Në fund të kërkimeve të sotme, shtoi Gisotti, “dëshirojmë të theksojmë se Selia e Shenjtë ka treguar gjithmonë vëmendje dhe afërsi për vuajtjen e familjes Orlandi, në veçanti, për nënën e Emanuelës. Vëmendje e dëshmuar edhe me këtë rast, duke pranuar kërkesën e veçantë të familjes për të bërë verifikime në Varrezat Teutonike”.

11 korrik 2019, 13:18