Kërko

  Papa Francesku, në lutje pranë Varrit të Shën Pjetrit Papa Francesku, në lutje pranë Varrit të Shën Pjetrit 

Nderimi i madh i besimtarëve për reliket e Shën Pjetrit, në Bazilikën e Vatikanit

Çdo ditë mijëra besimtarë, ardhur nga të katër anët e botës, i nderojnë reliket e Papës së parë, të vendosura nën Altarin e Dëshmisë, në Bazilikën e Vatikanit. Pikërisht aty, ku Shën Pjetri qe kryqëzuar me kokë poshtë, sepse i dukej nderim i pamerituar të kryqëzohej si Krishti. Pjesë e këtyre relikeve ishin nëntë fragmente eshtrash, që Papa Françesku ia dhuroi Patrikut Bartolomeu, më 29 qershorin e kaluar, të ruajtura në një relikuar prej bronzi.

Më 29 qershor, me rastin e solemnitetit të Shën Pjetrit e të Shën Palit, Papa Françesku i dhuroi Patrikut Ekumenik të Kostandinopojës, Bartolomeut, një relikuar, që përmbante disa fragmente nga eshtrat e Shën Pjetrit. Eshtrat e Papës së parë janë ndërmjet relikeve më të rëndësishme të kristianizmit. Të nderuara shumë nga besimtarët e shtegtarët, janë fryt i kërkimeve arkeologjike, që çuan në gjetjen e tyre, lajm të cilin e dha papritmas Pali VI. Histori e gjatë dhe e ndërlikuar, kjo, të cilën duhet ta dijë çdo i krishterë

Reliket, në Bazilikën e Shën Pjetrit

Papa Françesku i dhuroi Bartolomeut “nëntë fragmente nga kockat e Apostullit Pjetër”. Eshtrat u vendosën në një peshtaf apo relikuar, mbi të cilin shënohet se përmban kocka, që besohet të jenë të Shën Pjetrit. Reliket e Shën Pjetrit, dhuruar nga Papa, u shkëputën nga “grupi më i rëndësishëm  i eshtrave, që vijojnë të ruhen me kujdesin më të madh mbrenda të ashtuquajturit “Muri G”, domethënë muri i grafiteve, nën altarin papnor të Bazilikës së Vatikanit.

Pikërisht në këtë vend, më 26 qershor 1968, Pali VI deshi të vendosë 19 kuti transparente me fragmentet e eshtrave të Papës së parë. Prej tyre u morën nëntë fragmentet, që u çuan në kapelën private të apartamentit papnor në Pallatin Apostolik, për të qenë në dispozicion të ndjeteve e  dëshirave të Atit të Shenjtë.

Vlera historike e shpirtërore e relikeve

Gjetja e relikeve të Shën Pjetrit ka rëndësi jashtëzakonisht të madhe. E kjo, sepse provojnë historikisht praninë e Pjetrit në Romë e të martirizimit të tij në Vatikan, ndërmjet zjarrit që ra në Kryeqytetin e Parandorisë, më 19 korrik të vitit 64 dhe fillimit të persekutimit kundër të krishterëve, në vitin 67. Sipas traditës, trupi i zbritur nga kryqi i Kryeapostullit u varros në kodrën e Vatikanit. Më pas, heshtje dekadash. U mendua se qe zhdukur përgjithmonë, pas një mori stuhish, që u reshën mbi Romën e i mbuluan me dhe shumë nga monumentet e Qytetit të Amshuar. Po kujtimin e Shën Pjetrit nuk mundën ta zhduknin. E as dëshirën e besimtarëve për t’u lutur pranë atij Shkëmbi, mbi të cilin vetë Krishti themeloi Kishën e vet. Atij, që deshi të ikte edhe një herë nga martirizmi, nga Roma në flakë. Por u kthye prapë, kur e pa rishtas Zotin. E kur, pas pyetjes “Quo vadis, Domine? – “Ku po shkon, o Zot”, mori përgjigjen “Po shkoj të martrizohem rishtas në Romë”. Atëhere u kthye mbrapsht e pranoi të gozhdohej në kryq, si Mësuesi. E vdiq e u varros e i humbi varri! Po a mund të humbiste përgjithmonë Varri i Shkëmbit, mbi të cilin ngrihet Bazilika e Kombeve e, sidomos, bazilika simbolike e shpirtrave të krishtera? Zoti premtoi të gjindet e të bëhet objekt i një ndermi të madh, botëror. Prej këndej, reliket e tij, rigjetur në vitin 1939-1943, kanë rëndësi të jashtëzakonshme historike dhe arkeologjike, por edhe më shumë shpirtërore e fetare për kristianitetin e edhe për të gjithë njerëzimin!

Dy fjalë për Varrin e Shën Pjetrit

“Varri i  Shën Pjetrit”, mbi të cilin naltohet një nga altarët më madhështorë, me emrin “I dëshmisë”, u realizua nga Bernini. Vepra e Berninit u frymëzua thellësisht nga arti i thjeshtë i të krishterëve të parë. U përurua me 1633, në kohën e Papës Urbani VIII.

“Varri i Shën Pjetrit” ndodhet në qendër të Bazilikës së Shën Pjetrit. Vepër e shkëlqyer,  është i zbukuruar me vepra të tjera të rralla arti dhe i ndriçuar nga 95 llamba bronzi të praruar. Pas portës së vogël, që dallohet në fund të varrit, ruhen mbetjet e bazilikës së lashtë kostandiniane: nikia me një mozaik të shekullit IX, që paraqet Jezu Krishtin.

Këtu rrajnë shtegtarët, gjunjëzohën, luten e prekin me nderim të thellë varrin e Princit të Apostujve. Pranë këtij varri janë kurorëzuar sa e sa papë e mbretër. Seria e kurorëzimit të mbretërve nis me Karlin e Madh të Francës në vitin 800.

Mbi “Varrin e Papës së parë” ngrihet elteri papnor. Baldakini i tij prej bronzi, mbahet nga kolona vigane spirale, që kanë formën e Tabernakullit të thjeshtë, i cili ndodhej dikur mbi varrin e Shën Pjetrit.

Pas elterit sodisim Katedrën, që mbahet nga duart e shtatoreve prej bronzi të katër Etërve grekë e latinë të Kishës: Atanazit, Gjon Krizostomit, Agostinit dhe Ambrozit. Mbi ta qëndron Pëllumbi i Shpirtit Shenjt. Brenda Katedrës së veshur me fildish, ruhet relikja prej druri e një katedre shumë më të lashtë. Është Katedra e Shën Pjetrit, simbol i dinjitetit papnor, Selia e së vërtetës që frymëzohet dhe ruhet prej Shpirtit Shenjt.

I gjithë kompleksi skulpturor, i derdhur në bronz, mishëron misterin e Kishës e njihet me emrin “Gloria e Berninit”, kryevepër e artistit.

Në bazën e shtyllës së fundit, në të djathtë, ndodhet shtatorja e Shën Pjetrit mbi fron. Besohet se është krijuar në shekullin XIII nga Arnolfo di Kambio. Është një nga gjërat më të bukura të Bazilikës. Për të kremten e Shën Pjetrit dhe të Shën Palit, shtatorja e bronzët vishet me petkat mahnitëse kishtare, stolisur me gurë të çmuar. Mbi këtë shtatore ndodhet medalioni, i vendosur nga Pio IX me 1871, i cili na kujton se Pjetri qe Papa i parë, papnia e të cilit zgjati 25 vjet.

Shtegtarët, si kanë soditur mrekullitë e Bazilikës, i afrohen shtatores dhe i puthin me devocion këmbët, mbi të cilat kanë lënë gjurmët e veta miliona buzë të vizitorëve, që vijnë ditë për ditë prej të katër anëve të botës!

07 korrik 2019, 15:43