Kërko

 Mesha e Dritës e kardinalit Paolo Sardi Mesha e Dritës e kardinalit Paolo Sardi 

Mesha e Dritës e Kardinalit Paolo Sardi: “Mjeshtër i teologjisë morale”

Sekretari i Nderit i Shtetit të Vatikanit, kardinali Tarcisio Bertone, kryesoi sot, në Bazilikën e Shën Pjetrit, funeralin e kardinalit piemontez Paolo Sardi, vdekur më 13 korrik, në moshën 84 vjeçare, duke kujtuar kontributin e tij në hartimin e teksteve për fjalimet e Shën Gjon Palit II e të Benediktit XVI si dhe detyrën e tij të fundit, duke nisur nga viti 2009, të patronit të Urdhërit të Maltës.

R. SH. - Vatikan

“Kardinali Paolo Sardi ishte “mjeshtër i teologjisë morale”. Dha një ndihmesë të shquar në formulimin dhe përhapjen e magjisterit moral të Papës Shën Gjon Pali II”. Kështu e kujtoi kardinali Tarcisio Bertone, sekretar nderi i Shtetit të Vatikanit, në homelinë e mbajtur gjatë Meshës së dritës, sot paradite, në Bazilikën e Shën Pjetrit, kardinalin piemontez, vdekur në Romë, më 13 korrik, pas një sëmundjeje që zgjati shumë pak.

Bashkëpunoi edhe në hartimin  e “Veritatis Splendor”

Kardinali Bertone nënvizoi se kardinali Sardi, pasi hyri në Sekretarinë e Shtetit më 1976, në moshën 41 vjeçare, që nga viti 1990 “koordinoi zyrën që bashkëpunon me Papën në hartimin e teksteve të fjalimeve”. Në këtë detyrë, bashkëpunoi edhe në hartimin e Enciklikës “Veritatis splendor”, të vitit 1993, që shkëlqen në Papninë e Gjon Palit II, me aktualitet të përhershëm, të cilën kardinali Paolo e shpjegoi edhe në kumunikimet e vazhdueshme me besimtarët, duke treguar se termat “e vërtetë”, “Liri”, “ndërgjegje”, “ligj” kuptohen plotësisht vetëm brenda horizontit  vërtetësisht të krishterë.

Botimi i vëllimit “Aborti dje e sot”

Nga krijimtaria e të ndjerit, ish-sekretari i Shtetit të Vatikanit kujtoi “përvujtërinë dhe ndershmërinë”, që e trashëgoi nga prindërit si dhe botimin, më 1975, të vëllimit “Aborti dje e sot”, histori e evolucionit të mendimit katolik mbi këtë çështje kaq delikate. Vëllim themelor - shpjegoi kardinali Bertone - posaçërisht në rrethanat e diskutimit të ndezur kohët e fundit në shoqërinë italiane. Në vijim nënvizoi se angazhimi në Sekretarinë e Shtetit, nuk e pengoi kurrë kardinalin Sardi, dishepull i Palit VI, të vijonte me të njëjtin zell edhe shërbimin baritor: posaçërisht e ndjekur, Mesha që kremtoi, derisa u shtrua në spital, çdo mëngjes, në Bazilikën e Vatikanit, në altarin e Shën Jeronimit, ku besimtarët ndalohen vazhdimisht për t’u lutur, para trupit të Shën Gjonit XXIII.

Nga viti 2009 ishte pro-patron e pastaj edhe patron i Urdhërit të Maltës

Në dhjetor 1996, Shën Gjon Pali II e emëroi kryeipeshkëv e nunc apostolik me detyra të posaçme. Asokohe kryeipeshkvi Sardi vijoi të punojë pranë Papës, në Sekretarinë e Shtetit. Në qershor të vitit 2009 - kujtoi akoma kardinali Bertone - u emërua pro-patron i Urdhërit Sovran Ushtarak  të Maltës e, që nga 30 nëntori 2010, pasi Benedikti XVI e krijoi kardinal,  patron, detyrë që e kreu (deri në nëntor 2014) duke i pasur mirë parasysh  mundësitë e Urdhërit për t’u dhënë përgjigje problemeve të shumta dramatike, që trondisin botën”.

Fjalët e fundit- drejtuar Jezusit

Dëshiroj të përsëris me fenë dhe dashurinë e Palit VI, fjalët që ndoshta vetë kardinali Paolo, dishepull i Papës Shenjt, mund t’ia ketë drejtuar Zotit Jezus, duke përmbledhur të gjitha tiparet e jetës së tij në takimin përfundimtar me Të:

“Ja ku jam me dashurinë Tënde, ja, përgjithmonë me Ty. Në një gjendje  sublimimi, që nuk më lejon të bie rishtas në psikologjinë instinktive të njeriut të varfër, veçse për të rikujtuar realitetin e qenies sime e të mëshirës sate, e për të reaguar me besimin më të pakufishëm, me atë përgjigje, që e kam për detyrë ta jap. Amen! U bëftë vullneti yt! Ti e di se të dua. Fiksoje në një akt të përhershëm besnikërie absolute dëshirën time të shërbimit për dashuri. Mos lejo që unë të ndahem nga Ti! I mbledh të gjitha forcat e mia  e pohoj dhuratën e plotë të kryer, duke menduar për Tënden”. Gjithçka u krye!”.

Këto, fjalët e fundit të homelisë së Meshës shqiptuar gjatë kremtimit,  në përfundim të të cilit Papa Françesku u bashkua me pjesëmarrësit për të kryesuar ritin e Ultima Commendatio e të Valedictio - Lëshimit në dorë të Zotit dhe të Lamtumirës së e fundit.

15 korrik 2019, 13:28