Kërko

 Në Siri vijon konflikti Në Siri vijon konflikti  

Kardinali Parolin: “Papa i kërkon Assadit nisma konkrete për popullsinë”

Vijojnë veprimet luftarake dhe bombardimet, në dëm të civilëve të pambrojtur; në Idlib janë shkatërruar ose mbyllur dhjetra struktura shëndetësore; Françesku i dorëzon, përmes kardinalit Turkson, një letër presidentit sirian.

R. SH. - Vatikan

Andrea Tornielli - Qyteti i Vatikanit

“Mbrojtje e jetës së civilëve, stop katastrofës humanitare në zonën e Idlib, nisma konkrete për rikthimin, në kushte të sigurta, të të shpërngulurve, lirim i të burgosurve politikë. E akoma, thirrje për rifillimin e dialogut e të bisedimeve, me pjesëmarrjen e bashkësisë ndërkombëtare”. Janë këto, shqetësimet dhe kërkesat konkrete, që përmban një letër, të cilën Papa Françesku deshi t’ia drejtojë presidentit sirian Bashar Hafez al-Assad. Letra e Papës,  datuar më 28 qershor, u dorëzua  në këto orë nga kardinali Turkson, Prefekt i Dikasterit për shërbimin e zhvillimit të gjithanshëm njerëzor. Kardinali, dorëzues i dokumentit, shkruar në gjuhën angleze, shoqërohej nga Nicola Riccardi OFM, Zëvëndës-sekretar i të njëjtit Dikaster dhe nga kardinali Zenari, nunc apostolik në Siri. Lidhur me përmbajtjen dhe qëllimet e letrës, Vatican News intervistoi Sekretarin e Shtetit, kardinalin Pietro Parolin, bashkëpunëtor i parë i Papës:

Hirësi, pse vendosi Papa t’i shkruajë Presidentit Assad?

“Në zanafillë të kësaj nisme, është shqetësimi i Papës Françesku dhe i Selisë së Shenjtë për situatën e emergjencës humanitare në Siri, posaçërisht në provincën e Idlib-it. Në zonë jetojnë më se 3 milionë vetë, nga të cilët, 1.3 milion të shpërngulur të brendshëm, të detyruar nga konflikti i gjatë në Siri të gjejnë strehë pikërisht në këtë zonë,  e cila që vitin e kaluar u deklarua zonë e çmilitarizuar. Sulmi ushtarak i kohëve të fundit iu shtua kushteve tejet të rënda të jetës në kampe, duke e detyruar shumëkënd të ikë. Papa e ndjek me vëmendje e dhimbje të thellë fatin dramatik të popullsive civile, posaçërisht të fëmijëve, që jetojnë në mes të ndeshjeve të përgjakshme. Lufta vijon, nuk është ndaluar. Vijojnë edhe bombardimet e shkatërrimet, në këtë zonë, të disa strukturave shëndetësore, ndërsa shumë të tjera janë detyruar ta ndërpresin krejtësisht ose pjesërisht veprimtarinë.

Çfarë i kërkon Papa Presidentit Assad në letrën, që iu dorëzua?

“Papa përsërit thirrjen të mbrohet jeta e civilëve e të mbrohen edhe infrastrukturat kryesore, si shkollat, spitalet dhe strukturat shëndetësore. Me të vërtetë kjo që po ndodh është çnjerëzore e nuk mund të pranohet! Ati i Shenjtë i kërkon Presidentit të bëjë ç’është e mundur për ta ndaluar këtë katastrofë humanitare, për ta shpëtuar popullsinë e pambrojtur e të pafajshme, posaçërisht më të ligshtit, duke respektuar të Drejtën Humanitare Ndërkombëtare”.

Nga sa thatë,  duket qartë se nisma e Papës nuk është “politike”. Është kështu?

Po, kështu është! Siç ju shpjegova, shqetësimi është humanitar. Papa vijon të lutet që Siria të mund të gjejë klimën e vëllazërimit, pas gjithë këtyre vitesh lufte, e që pajtimi të ketë epërsi mbi përçarjen e mbi urrejtjen. Në letrën e tij, Ati i Shenjtë përsërit tri herë fjalën “pajtim”: ky është qëllimi i i tij për të mirën e këtij vendi e të popullsisë së tij të pambrojtur! Papa e inkurajon presidentin Bashar al-Assad të bëjë gjeste domethënëse në këtë proces tejet të ngutshëm pajtimi e ta bëjë me shembuj konkretë: kujton, për shembull, kushtet për rikthimin e sigurt të të gjithë atyre, që duan të rikthehen si dhe lirimin e të burgosurve”.

Një temë tjetër dramatike është pikërisht ajo e të burgosurve politikë. E cek Papa edhe këtë në letër?

“Po. Papa e ka shumë zemër gjendjen e të burgosurve politikë të cilëve -pohon - nuk mund t’u mohohen kushtete njerëzore. Në mars 2018 Indipendent International Commision of Inquiry on the Sirian Arab Republic botoi një relacion lidhur me dhejtra mijëra njerëz të burgosur arbitrarisht, që shpesh pësojnë edhe tortura, pa asnjë asistencë legale e pa të drejtë të takojnë familjarët. Sipas relacionit, shumë prej tyre vdesin në burg. Ndërsa të tjerë vriten masivisht”.

Cili është, atëhere, qëllimi i kësaj nisme të re të Françeskut?

“Selia e Shenjtë ka ngulur këmbë gjithnjë mbi nevojën e kërkimit të rrugëzgjidhjes politike për t’i dhënë fund konfliktit, duke kapërcyer çdo interes të palëve. E kjo duhet bërë me mjetet e diplomacisë, të dialogut, të bisedimeve, me asistencën e bashkësisë ndërkombëtare. Mësuam edhe një herë se lufta sjell luftën, siç e kujton shpesh Papa, e siç e përsërit edhe në këtë letër. Për fat të keq jemi të shqetësuar për amullinë e procesit të bisedimeve, posaçërisht atij të Gjenevës për zgjidhjen politike të krizës. Prandaj letra e dërguar nga Ati i Shenjtë e inkurajon Presidentin Assad të tregojë vullnet të mirë e të përpiqet për të kërkuar rrugëzgjidhje të praktikueshme, që i japin fund konfliktit, i cili po zgjat tepër e po vijon të shkaktojë humbje të shumta jetësh të pafajshme”.

21 korrik 2019, 18:06