La Croce dolomiti foto da don David Gjugja La Croce dolomiti foto da don David Gjugja  

Kardinal Ravasi: pushimet dhe përshpirtëria e natyrës

Pushimet vjetore, tё mos harrojmё, duhet të na shërbejnë edhe për të krijuar një hapësirë shpirtërore brenda nesh, që pastaj këtë hapësirë ta mbushim me Zotin, e kur bekimi i Hyjit është në ne, atëherë kemi gjithçka na lypet në jetë.

R.SH. - Vatikan

Pushimet janë një kohё dhe mundësi e çmuar për përtëritjen e energjive tё trupit e tё shpirtit. E nga deti e deri tek malet, pyjet e shkëmbinjtë ndihmojnë shumë pikërisht në procesin e pushimit të shpirtit dhe të kontaktit me natyrën. Pra e ndihmon njeriun ta gjejë vetveten, duke u bërë i aftë për Zotin, sepse në brendësi të zemrës, i hapet Amshimit.

Kur për një person arrin çasti i shumëpritur i pushimeve dhe mund të ndërpresë ritmin e zakonshëm të jetës dhe të përgjegjësive të përditshme, atëherë, shpesh, shfaqet edhe prirja për të hequr nga shpatullat atë që e mban të lidhur pikërisht me këto përgjegjësi.

Çdo i krishterë e di se pushimet janë një kohë e përshtatshme për të çlodhur trupin dhe për të ushqyer shpirtin nëpërmjet lutjeve të zgjeruara dhe të meditimit, që pastaj të rritet në një lidhje personale me Krishtin dhe të bëhet një gjithmonë e më shumë me mësimet e Tij.

Mendimi i imzot Ravasit për përshpirtërinë e natyrës e të malit.

Në muajt veror gjatë pushimeve, disa herë edhe Papët kanë shpreh admirimin e tyre për bukuritë natyrore, të cilat shndërrohen lehtë në lutje. Një mendim për këtë shndërrim të bukurisë së natyrës në himn lavdi për Krijuesin e saj dhe për pushimet verore na e jep imzot Gianfranco Ravasi, President i Këshillit Papnor për Kulturën:

“Dëshiroj të nisem nga një frazë e një shkrimtari anglez, e pikërisht e Çestertonit, i cili në një nga veprat e tij thotë: “Bota do të mbarojë jo pse i mungojnë mrekullitë, por pse i mungon aftësia për t’u mrekulluar”. Njerëzimi do ta humbasë humanitetin e vet të thellë e identitetin e vet, atëherë kur nuk do të ketë më aftësi për t’u mahnitur, për të kundruar. Posaçërisht në vizionin fetar, njeriu arrin të depërtojë në brendësinë e kozmosit – e jo rastësisht quhet kozmos, fjalë greke që do të thotë i rregullt – e të gjejë në të një mesazh të mbinatyrshëm, të gjejë shenjat e Krijuesit. Parë në këtë dritë, është e natyrshme që duhet ta kesh aftësinë për t’u mrekulluar”.

Si në Besëlidhjen e Vjetër, ashtu edhe në të Renë, mali është gjithnjë vend i lidhur me çaste të jashtëzakonshme, që i paraprijnë vendimeve të rëndësishme: mjafton të mendojmë për jetën e Jezusit…

Kjo është më se e vërtetë! Në një farë çasti – e unë e kam bërë një herë këtë me një libër të tërë - mund të rindërtohen të gjitha malet e Biblës e janë vërtetë një vargan i pafund. Vetë Krishti në Malin e Lumturive, paraqet gati paralelisht me Sinain, ligjin e tij të ri, të plotë, të përkryer, por që lidhet gjithnjë me atë që zbriti si zëri i Zotit, përmes fjalës së Moisiut, nga ajo majë. Dua të kujtoj se ekziston, pastaj, edhe një mal gjeografikisht krejt i parëndësishëm, që tanimë mbyllet brenda një bazilike: e kam fjalën për një majë shkëmbore 7-8 metrash, për Kalvarin, në hebraisht Golgota, që u bë vend simbolikisht qendror për fenë e krishterë e, sadopak, edhe për të gjithë ata që kundrojnë misterin e dhimbjes e të shpresës”.

Kalimi i një periudhe pushimesh, nuk do të thotë të dalim nga vetvetja…

“Kjo është e vërtetë. Po e them menjëherë se fjala pushim ‘vakancë’ vjen nga latinishtja, nga folja latine ‘vacare’, që nuk do të thotë zbrazësi, boshllëk, vakuum, por impenjim, do të thotë ‘t’i kushtohesh diçkaje”. E në këtë dritë duhet ta rizbulojmë edhe ne pushimin, posaçërisht kur tundohemi të bëjmë një pushim që s’është tjetër, veçse imitim i pështjellimit, i lodhjes e i zhurmës së kohës së punës, që bëjmë gjatë gjithë vitit. Ti mendojmë, për shembull, ata që shkojnë të pushojnë në qytete të ndryshme bregdetare, të cilat në fund të fundit s’janë tjetër, veçse vise ku dëgjohen përsëri të gjitha zhurmat e përtërihen prapë të gjitha tensionet e jetës së përditshme që përjetohen në qytete. Ndërsa do të ishte mirë të kujtojmë se majat e maleve e natyra janë simbolikisht më frymëzuese e të ndihmojnë të gjesh sërish aftësinë për të hyrë në vetveten”. 

Gëzuar pushimet verore!

Këto pushime vjetore, tё mos harrojmё, duhet të na shërbejnë për të krijuar hapësirë brenda nesh, hapësirë shpirtërore që pastaj këtë hapësirë ta mbushim me Zotin, e kur bekimi i Hyjit është në ne, atëherë kemi gjithçka na lypet në jetë. Në përfundim ju urojmё të gjithë punëtorëve të gëzojnë një periudhë prehjeje.

10 korrik 2019, 05:41